Diplomacia egjiptiane dhe Kosova

Shkruan: Qemajl Morina

Diplomacia egjiptiane dhe Kosova

Qemajl Morina

Egjipti, me një popullatë 90 milionëshe dhe me një pozitë gjeostrategjike, që shtrihet në dy kontinente, të Azisë dhe të Afrikës, si në të kaluarën edhe në ditët e sotme ka luajtur rol të rëndësishëm në politikën rajonale dhe në atë ndërkombëtare. Që nga themelimi i Ligës Arabe, në vitin 1948, e cila tash ngërthen në vete 22 shtete, me një popullatë prej afër 300 milionëshe, selia e saj gjendet në metropolin e Egjiptit në Kajro.

Sekretarët e përgjithshëm të saj, që nga themelimi i saj e deri më sot, janë diplomatë egjiptianë prej karriere, nëse përjashtohet periudha e tërheqjes së selisë nga Kajroja në Tunizi, në vitet e tetëdhjeta të shekullit që lamë pas, në shenjë proteste të nënshkrimit të marrëveshjes paqësore të Kamp Dejvidit, në mënyrë unilaterale nga ana e Egjiptit dhe Izraelit, në vitin 1979.

Diplomacia egjiptiane ka luajtur rol me rëndësi jo vetëm në kuadër të botës arabe dhe islame. Sepse ajo është anëtare aktive e Ligës Arabe dhe Organizatës për Bashkëpunim Islamik. Por, Egjipti është vend me ndikim edhe në Unionin Afrikan, në përbërje të të cilit veprojnë 53 shtete. Me këtë rast, nuk duhet harruar edhe rolin e Egjiptit në themelimin e Lëvizjes së Vendeve të Painkuadruara në fillim të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit XX.

Këtu duhet përmendur se kur kemi të bëjmë me çështjen e njohjes së Kosovës nga ky vend arab, edhe pse opinioni i përgjithshëm egjiptian ishte në anën e Kosovës, kjo nuk u realizua për shkaqe, të cilat kishin të bënin me regjimin e Mubarakut dhe me lidhjet e tij të mëhershme me Serbinë dhe me ndikimin e Federatës Ruse në këtë vend.

Me rënien e regjimit të Mubarakut, më 11 shkurt 2011, dhe me përfundimin e periudhës së transicionit, me zgjedhjen e presidentit të ri të Egjiptit, do të bëhet një reformim i ri në politikën e jashtme dhe në diplomacinë egjiptiane. Vlen të theksohet se, për dallim nga koha e regjimit të Mubarakut, kur ministri i Punëve të Jashtme qëndronte në dikasterin e tij për vite të tëra, në periudhën e transicionit, prej 11 shkurtit 2011, në këtë post qëndruan tre ministra, diplomatë prej karriere.

I pari ishte Nebil El-Arabi, i cili në postin e ministrit të Punëve të Jashtme qëndroi tre muaj, për t’u zgjedhur më vonë në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës Arabe. Në vendin e tij erdhi Muhamed El-Urabi, i cili në postin e ministrit të Punëve të Jashtme qëndroi vetëm një muaj. Ndërkohë, ministri aktual, Muhamed Kamil Amr, në postin e tij është më gjatë se një vit dhe ka gjasa që në këtë post të zgjidhet edhe nga mandatari i ardhshëm për formimin e qeverisë së re.

Nëse qeveria e ish-presidentit Mubarak, për shkaqet që u përmenden më lartë, nuk e kishte në agjendën e saj njohjen e Republikës së Kosovës, strukturat e reja që tash janë në pushtet në agjendën e tyre kanë solidaritetin dhe ndihmën e popujve të shtypur dhe të vuajtur, siç është rasti i Kosovës. Në anën tjetër, ata do të plotësonin njërën nga kërkesat e opinionit të përgjithshëm egjiptian me ndihmën dhe përkrahjen e të cilëve erdhën në pushtet.

Përpjekjet e pushtetarëve të rinj në Egjipt, për të gjetur një gjuhë të përbashkët me Perëndimin në përgjithësi dhe me administratën amerikane në veçanti, do të jetë një ndihmesë shtesë për njohjen e Kosovës nga Egjipti. Vizita e sapopërfunduar e sekretares së amerikane të Shtetit, zonjës Klinton, në Kajro dhe takimi i saj me presidentin e sapozgjedhur egjiptian, Muhamed Mursin, japin shpresë për dominim të gjuhës së dialogut dhe mirëkuptimit në mes dy qeverive të dy vendeve.

Për këtë, diplomacia kosovare, e cila kohë më parë ka bërë kontaktet e para me strukturat politike që në atë kohë ishin në opozitë, është e udhës që këto ditë t’i vazhdojë kontaktet me ato kur ato tash janë në pushtet. Në mënyrë të veçantë, kur atje po bëhet reformimi i politikës së jashtme të Egjiptit.

Njohja e Kosovës nga Egjipti do t’i hapte dyert e njohjeve edhe nga shumë vende të tjera, jo vetëm në kuadër të vendeve arabe dhe islame, por edhe të shteteve të tjera afrikane.

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!