Kuriozitete

Përse na “çmend” futbolli… ?!

Çarku që të vendos futbolli duket se është herë i veçantë, herë tragjik e herë ekstazë kur mendon se ka tifozë që nuk lëvizin as qepallat dhe nuk ia heqin sytë vetëm një fanelle që lëviz në fushë…!

Por emocioni dhe pasioni që të jep një ndeshje e zakontë futbolli, “normal” as që nuk mund të krahasohet me ‘gjullurdinë’ që krijojnë kampionatet organizuar enkas për të. Ndjenja për futbollin është kaq globale sa që rezulton se është vështirë ta anashkalosh atë.

Njerëzit ndërpresin punën që kanë për të kryer për të parë ndeshjet; studentët lenë mënjanë studimin për të bërtitur; detyrimet lihen në mes të rrugës; shumë të tjerë harxhojnë para për të vënë baste. Njerëzit duken si të hipnotizuar dhe pak të lajthitur, si të dashuruarit . Sepse për këtë bëhet fjalë, për hipnozën e të dashuruarit .

Frojdi e shpjegon : “Si në hipnozë dhe në dashuri humbet gjykimi dhe përgjegjësia i kalohet tjetrit, të cilit i ke dhënë të gjitha idealet”.

Kampionati Europian i Futbollit që sapo ka nisur -përtej marketingut dhe fitimit – përcjell momente të çmendurisë së përgjithshme të legjitimuar; në të luhet duke luftuar, dhe luhet për të fituar. Eshtë një amfiteatër me emocione, rivalitet dhe konkurrim. Por interesante është se skenari nuk përbëhet vetëm nga lojtarët dhe as nga terreni ku ata luajnë, por edhe nga spektatoret që zënë një hapësirë jo të paktë .

Për njerëzit e zakonshëm duket se nuk është aspak i ekzagjeruar përdorimi i fjalës “çmenduri” në lidhje me atë që ndodh në këtë ngjarje.

“Po…, Europiani është një fenomen që na prek të gjithëve nga një çikë”-thotë një ri, i cili studion dramë në Tiranë.

Shumë psikoanalistë e shpjegojnë futbollin si dëshirë për të shkatërruar tjetrin . Gjithçka lind nga dëshira për të fituar, sikurse u lejon njerëzve të nxjerrin jashtë vetes një konflikt të brendshëm . Nga ana tjetër forcohet edhe iluzioni që asgjë nuk u mungon, as si njerëz, as nga intuita, as nga zhdërvjelltësia mendore për të fituar në baste, as edhe nga inteligjenca për të bërë komente për këtë apo për atë skuadër.

Duket se e gjitha është një lumturi e përgjithshme. Një formulë që rigjeneron.

Një studim i publikuar nga Fondacioni i Shëndetit Mendor në Britaninë e Madhe tregon se pjesa më e madhe , 64% e njerëzve mendon se futbolli i ndihmon të shprehin ndjenjat e tyre; 70 %, se të luash futboll është më mirë se ta shikosh të luhet , dhe 67%, se është më mirë që ndeshjet e futbollit t’i shikosh me miqtë dhe familjen.

Futbolli ka një impakt pozitiv në shëndetin mendor, pohojnë psikoanalistët. Në një anketim të zhvilluar në Norvegji , një nga katër të anketuarit pohoi se futbolli është një nga gjërat më të rëndësishme të jetës së tij . Për ekspertët anglezë , Kupa e Botës ka efekte pozitive; një studim i realizuar në Skoci tregoi se gjate kampionateve botërore të futbollit ulet numri i të shtruarve në spital.

Njihet tashmë se ngjarjet e mëdha ngjallin entuziazmin dhe vemëndjen e komunitetit dhe kjo ka ekzistuar gjithnjë. Intimiteti i lojtarëve, mendimi se çdo veprim i tyre duhet të ketë një shpjegim, komentet për golat apo për humbjet e tyre bëhen globale, dramatike , fatdhënëse, kolektive , triumf apo dështim . Shfaqet një çast atë që bashkon një shoqëri dhe kur mund të arrihet një gjuhë e përbashkët . Dhe e gjitha është një fshikëllimë utopie që zgjat në rastin më të mirë një muaj. Pastaj jeta vazhdon sërish.

Psikoanalistja Hugo Litvinoff, thotë se: “pas shumë zhgënjimeve dhe pas dhimbjes që shkakton inferioriteti mbi të gjitha për fuqitë perendimore, mundësia për t’u shprehur duket si një substanë ushqimore që ushqen dashurinë për veten.”

Në epokën tonë, e cila karakterizohet nga individualizmi, përballja sportive mes vendeve nxjerr në dritë ndjenjën kombëtare. Shumë thonë se në fund të fundit e gjithë kjo gjullurdi nuk është gjë tjetër vecse një iluzion i përkohshëm dhe se lavdia , historia, e tashmja dhe e ardhmja e çdo vendi varen nga faktorë të ndryshëm dhe të largëta nga përmbajtja sportive.

Sigurisht që një farë të drejtë duhet të kenë , sepse harrojnë ose injorojnë faktin se iluzion nuk është ndonjë fjalë e keqe, se kapaciteti i iluzionizmit ka të bëjë me mundësinë e tolerimit dhe të shijimit të jetës .

Ndoshta asgjë e rëndësishme nuk ndodh në ndonjë kampionat futbollli… ! /TRT/

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!