Fatihaja – Sureja e parë kur’anore

Surja Fatiha është shpallur në Mekë. Këtë mendim e ndajnë shumica e hulumtuesve muslimanë, dhe si dëshmi përmendin:

1. Ajetin kur’anor: “Ne të kemi dhënë ty shtatë ajete që përsëriten[/b] (Fatiha përsëritet në reqatet e namazit) edhe Kur’anin e madhërishëm”. (15:87) ky ajet ndodhet në suren El-Hixhr, e cila është shpallur në Mekë.

2. Namazi si obligim i detyrueshëm  është  caktuar në Mekë,  dhe ai (namazi) sipas Kur’anit dhe Sunnetit nuk mund të kryhet pa leximin e Fatihasë.

Ekzistojnë edhe mendime të tjera. Disa konsiderojnë se Fatihaja është shpallur në Medinë, ndërsa disa se është shpallur dy herë.  Një herë në Mekë dhe herën e dytë në Medinë.

Ekziston edhe një mendim sipas të cilit një pjesë e kësaj sureje është shpallur në Mekë, ndërsa pjesa tjetër në Medinë. Mirëpo, ç’është e vërteta ky mendim askund nuk bazohet.

Fatihaja ka 113 germa (ar. harfe), 25 fjalë dhe 7 ajete. Për këtë të gjithë pajtohen, por mendimet e tyre ndahen kur është fjala për ajetin e 8. Disa Besmelen e konsiderojnë si ajet të parë, ndërsa sipas tyre ajeti i parafundit dhe ai i fundit përbëjnë një ajet. Të tjerët e përjashtojnë Besmelen, ndërsa ajetin e parafundit dhe të fundit të kësaj sureje i konsiderojnë si dy ajete. Një qëndrim të tillë ata e bazojnë në thënien e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s:

Allahu i Madhërishëm thotë: “ Namazin (Fatihanë) e kam ndarë në mes Meje dhe robit Tim, dhe robit ia kam dhënë atë që e kërkon. Kur robi thotë: “Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!”; Allahu kësaj i përgjigjet:

“Robi Im më falënderoi”; Kur robi thotë: “Sundimtarit të Ditës së Gjykimit!”; Allahu përgjigjet: “Robi Im më madhëron dhe më lartëson.” Kur robi thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!” Allahu përgjigjet: “Kjo është në mes Meje dhe robit Tim, dhe robi do ta ketë atë që e kërkon.” ; Kur robi thotë: ]Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten”   Allahu  përgjigjet: “ Kjo është për robin Tim dhe ai do ta ketë atë që e kërkon (do t’i jepet).”

Fatihaja ka mbi tetëmbëdhjetë emra, mes tyre po përmendim: El-Hamd  (Falënderimi), Fatihatul- Kitab (Hyrje në shpalljen e hyjnore), Ummul- kitab (Thelbi i shpalljes hyjnore), El-Kafij (i Çmuar), Es-Seb’ul- methane (Shtatë ajetet që përsëriten), Er-Rukkijj (Sure që lexohet për shpëtimin e të pa lumturit), En-Nur (Nuri, Drita),  Suretus-Salat (Surja e namazit), Esasul-Kur’an (Themeli i Kur’anit), Ummul-Kur’ani (Nëna e Kur’anit), El-kur’anul-adhim (Kur’ani famëlartë) etj.

Nga tërë këto emra, vetëm emri Ummul-Kitab (Thelbi i Shpalljes  hyjnore) është tevifi, d.m.th., ajo është e emëruar/caktuar nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., gjegjësisht, Shpallje. Tërë emrat tjerë janë gajr tavifi, d.m.th. të emëruara nga ana e ndonjërit as’hab (shok të Pejgamberit).

Në suren Fatiha gjendet edhe katër emra të bukur të Zotit: “Allah, Er-rab (Zotëriu), Er-Rahman (I Mëshirshmi),  Er-Rahim (i Gjithëmëshirshmi) dhe El-Malik (Sundimtari).

Fatihaja lexohet në çdo reqat të namazit, ngase i Dërguari i Allahut s.a.v.s, thotë: “Nuk ka namaz pa leximin e Fatihasë.”

“Nuk është i vlefshëm namazi i atij që nuk e ka lexuar në të Fatihanë”.

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka urdhëruar të shpall se nuk ka namaz pa leximin e Fatihasë.

Sipas Imam Kurtubiut ai që nuk është në gjendje ta lexoj Fatihanë  edhe përkundër mundit  dhe përpjekjeve të dhëna, mundet që në vend të Fatihasë të lexoj “Ve la havle ve la kuvvete il-la bil-lah” (Nuk ka shpëtim, as ndihmë as forcë pa Allahun!)

Trasmeton Ebu Davudi nga Abdullah  b. Ebi Evfa se ky i fundit i ka thënë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.:

“Asgjë nuk di nga Kur’ani, andaj, më mëso si ta fal namazin!”

I Dërguari i tha: “ Lexo: Subhanallahi vel hamdulilahi ve lailahe il-llahi allahu ekber. Vel havle ve la kuvvete il-la bil-lah! (“Madhërimi dhe falënderimi  qoftë për Allahun! Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Allahu është më i Madhi, nuk ka shpëtim, as ndihmë e as forcë pa Allahun”).

“O i Dërguari i Allahut kjo është për Allahun, e çka më takon mua?”- i tha Abdullahu.

Allahummerhammi, ve’afini, vehdini, verzukni. (“O Zot më mëshiro, më mbro, më udhëzo dhe më furnizo!”) – iu përgjigj i Dërguari i Allahut s.a.v.s.

Nëse asgjë nga këto nuk dimë, kurrsesi nuk duhet që të mos e falim namazin pas imamit, ngase imami në vend tonin do ta lexoj atë që nevojitet.

Të gjithë pajtohen se namazi është në rregull qoftë e lexuam Besmelen në vete apo me zë, por ndahen tek çështja se Besmeleja a është pjesë përbërëse e Fatihasë apo jo. Imam Kurtubiu flet gjerësisht mbi këtë çështje, ndërsa ne e shohim të arsyeshme që të mos flasim më gjerësisht në lidhje me këto mospajtime.  Fundja, Besmeleja është pjesë  ajeti në suren En-Neml dhe në Kur’anin Fisnik, gjegjësisht në fillim të çdo sureje përmendet 113 herë nga 114 sure. Përndryshe, ne si muslimanë çdo punë  të mirë e fillojmë me Besmele, ngase i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë:

Çdo punë  që nuk  fillohet me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit do të jetë  e mangët.”

Besmeleja përfshin tri Emra të Bukur të Zotit: Allah, Er-Rahman dhe Er-Rahim. Këtu mjafton që ta përkujtojmë vetëm ajetin kur’anor të sures El-Isra: Thuaj: “Thërrisni: Allah ose thërrisni Er Rrahman, me cilindo që ta thërrisni (me këta dy emra), emrat e Tij janë më të bukurit…”(El-Isra, 110). Allah është Emër i Zotit ndërsa rahman në thelb është atribut/cilësi. Asnjë krijesë e Zotit nuk mund t’i mbajë/posedoj këto emra. Participi aktiv i emrit Er-Rahman  është i intensitetit më të lartë se participi Er-Rahim. Allahu i Madhërishëm dy nga 99 Emrat e Tij të Bukur ia ka dhuruar të Dërguarit të Tij Muhammedit s.a.v.s., kur thotë: “Juve ju erdhi i Dërguari nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët. (Et-Tevbe, 128).

Kjo sure mund të ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë tri ajetet e para flasin mbi Cilësitë e Allahut, mbi Mëshirën e tij gjithëpërfshirëse e cila kap tërë  çështjet dhe krijesat, mbi mëshirën e cila do t’i përfshijë të gjithë robërit e tij të nënshtruar në botën e amshuar.

Në pjesën e dytë, katër ajetet e tjera flasin mbi kahëzimin e shpirtit drejt përkryerjes së tij, ngase  një ditë gjithsesi do të del para Krijuesit të vet. Fatihaja gjithashtu është edhe një lutje (dua) nga Kur’ani e cila mund të lexohet në çdo kohë.

Është mirë (mustehab) që kur të lexohet Fatihaja të thuhet ”Amin” e cila tek shumica nënkupton: “O Zot, na u përgjigj neve!”

Transmetohet se i  Dërguari i Allahut s.a.v.s.  thotë: “Kur përfundova së lexuari suren Fatiha, engjëlli  Xhibril më tha që të them amin.” Dhe më pas i Dërguari s.a.v.s. shtoi: “Amini është sikur duaja e hatmes e cila thuhet pas mbarimit të leximit të Kur’anit.”

 Fatihaja është misteri i  Kur’anit (Sirrul-Kur’an), ndërsa misteri i Fatihasë është ajeti “Ijjakke ne’abudu ve ijjake nestein” (“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!)

 

Autor:
Jusuf Ramiç

Burimi: Preporod, 30 godina 1970-2000 (izbor testova), Sarajevo, 2000.

Përkthyes:
Ahmed R. Ramdani
Arsim Dauti

 

(Breziiri.com)

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!