Verseti kuranor, transparent i situatave provokuese të muslimanëve në Amerikë

Lavdërimet i takojnë Allahut. Paqja dhe Mëshira e Tij qoftë mbi zotëriun e njerzimit, Muhamedin, familjen e tij të pastër, shokët e tij besnikë dhe mbi gjithë besimtarët.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare! Në këtë ligjëratë kam dëshirë të analizoj një nga versetet e Sures Bekare, duke komentuar jo vetëm arsyen e zbritjes dhe rrethanat e caktuara, por dhe mbi situatat provokuese të cilat përsëriten jopak ndaj muslimanëve në Amerikë. Bëhet fjalë për versetin Kuranor ku thuhet:

” Mos e mbuloni të vërtetën me të pavërtetën dhe mos e fshihni të vërtetën, megjithëse ju e dini. “ (Bekare, 42)

Ky verset, në bazë të kontekstit të verseteve që gjinden para tij, i drejtohet Izraelitëve, por jo vetëm, duke kritikuar mënyrat e tyre në trajtimin e të dërguarit të Allahut, Muhamedit (a.s.). Izraelitëve u ishte zbritur Tevrati, në të cilin tregohej jo vetëm esenca e besimit por dhe dërgimi i një profeti të ri në Medine, në këtë vend ku tre fise të mëdha nga ata kishin emigruar. Sipas komentimit të Ibn Kethirit, kur Muhamedi (a.s.) emigroi në këtë qytet, Izraelitët e mohuan atë, megjithëse ata i kishin premtuar Zotit se kur Ai do dërgonte profetin e ri, do e pranonin dhe pasonin atë. Dy versete para versetit të lartpërmenduar, Zoti i drejtohet Izraelitëve: Përmbushni premtimin që Më keni dhënë (besimin në Muhamedin [a.s.]), që edhe Unë të përmbush premtimin që ju kam bërë (për t’ju futur në Xhenet)”. Israelitët vepruan të kundërtën. Ata jo vetëm që nuk e pranuan, atë por dhe u bënë pengesë në zhvillimin e shtetit të ri në Medine dhe arritën kulminacionin e tyre duke luftuar muslimanët në mënyra të ndryshme dhe arritën deri në planifikimin e vrasjes së Muhamedit (a.s.). Mënyrat e tyre denigruese, qartazi kristalizojnë dhe një herë versetin Kuranor ku thuhet: ” Mos e mbuloni të vërteën me të pavërteten dhe mos e fshihni të vërtetën, megjithëse ju e dini. “

Një mënyrë e veçatë e Kur’anit famëlartë është dhe përdorimi unik i metaforave. Në versetin e lartpërmendur unë e përshtata foljen “telbisu” në gjuhën shqipe me “mbuloni”. Disa përkthyesa e kanë përkthyer dhe “përzini”, por në fakt në gjuhën arabe kjo folje vjen nga fjala “lebise-jelbisu” që do të thotë të vishesh, ndërkohë veshja është gjëja më e afërt me trupin e njeriut, e cila gjindet menjëherë sipër lëkurës së tij. Kështu që dhe mesazhi që i drejtohet atyre është intim dhe esencial për ta dhe mbarë njerëzimin.

Në ditët tona, ashtu si më përpara, njerëzit i shkelin ose i mbulojnë të vërtetat për qëllime të ndryshme. Ndër ato më të dukshmet janë rastet kur thelbi është motiv i përfitimeve personale të disa individëve, të cilët shpeshherë rezultojnë në sjelljen e problemeve dhe distabilizimit të një komuniteti. Konkretisht në Amerikë, duke u bazuar në statistika të përmendura nga John Esposito, profesor i studimeve Islame të universitetit George Town të Washington, tregon se në vitet e fundit ka një rritje të Islamofobisë në Amerikë. Me rritjen e saj rritet gjithashtu dhe numri i krimeve të bazuara në urrejtje. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por mediat dhe organet e shtypit luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e opinjonit rreth Islamit dhe muslimanëve në shoqërinë Amerikane.

Dallohet qartazi se stacione të rëndësishme televizive, gazeta, revista dhe njerëz ndikues në publik, përmes programeve të tyre anuase ektreme të djathtës, në mënyra direkte dhe indirekte, përpiqen të ekspozojnë muslimanët e Amerikës si njërëz të “hunit dhe litarit” dhe të cilët japin një kontribut shumë të vogël në shoqërinë amerikane.  Disa liderë fetarë, sidomos nga ata që i përkasin evangjelizmit kristian si Pat Robertson, kongresmenë dhe senatorë si Peter King dhe Rick Perry (kandidat për president në 2012), shfaqin tendencat e tyre “patriotike” në publik, duke u përpjekur që t’i bindin amerikanët të ndihen të pasigurtë në mesin e muslimanëve dhe duke vendosur një vizë ndarëse midis “Ne” dhe “Ata”.  Shumë amerikanë të cilët nuk kanë pasur kontakt direkt me muslimanë, ose nuk kan njohuri të mjaftueshme për Islamin dhe muslimanët, mbesin viktima të këtyrë nxitjeve dhe bindjeve islamofobike, të cilat sic e thashë më lart rezultojnë jo vetëm në krijimin e njw koncepti të gabuar, por dhe në abusime dhe krime të ndryshme. Disa javë më parë në shtetin California, nëna e pesë fëmijëve me origjinë nga Iraku, e cila mbante veshjen Islame, u vra në banesën e saj në mënyrë brutale dhe pranë saj gjindej një notë në të cilën shkruhej: ” Kthehu prapa nga ke ardhë. Je terroriste!” Ky nuk është i vetmi krim, ka shumë e shumë të tjerë, por për arsye që të vazhdojmë me pikat e tjera të kësaj ligjërate, fatkeqësisht, këtë rast e shikoj mëse të mjaftueshëm.

Është i çuditshëm fakti se mediat dhe personat ndikues në publik, kur propagandojnë teoritë e tyre djallëzore, nuk ndalen në statistikat e bëra kohët e fundit në Amerikë, të cilat deri në një pikë hedhin dritë rreth realitetit të gjëndjes së muslimanëve në Amerikë. Disa fakte që do përmendi hudhin poshtë deklaratat e qëllimshe dhe të gabuara që bëhen shepshherë në publikun amerikan. Numri i krimeve të shoqëruara me vrasjeve në vitin 2010 ka qënë rreth 14,000 individë dhe numri i vrasëve muslimanë është zero. Ky fakt dhe të tjerë tregojnë qartazi se muslimanët janë njerëz të paqes dhe jo të dhunës në këtë shtet. Në statistikat e bëra nga organi statistikor Pew Research Center, tregohet se muslimanët janë grupi i dytë në Amerikë në fushën e arsimit. Një fakt i tillë tregon se gjeneratat e reja në Amerikë, do kenë një përqindje të madhe të arsimohen në fusha të ndryshme nga muslimanët. Gjithashtu në këto statistika të bëra tregohet se muslimanët në Amerikë, posedojnë një gjendje ekonomike më të mirë se një amerikan me gjendje ekonomie mesatare. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme, sidomos në një shtet ku taksat merren me shumë seriozitet dhe luajnë një rrol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Pra, duke e përgjithësuar, një musliman në Amerikë kontribon për ekonominë amerikane më shumë se një amerikan që posedon një ekonomi mesatare.

Faktet e lartpërmendura nuk dëgjohen, ngase realiteti nuk është në interesë të disave, por përkundrazi, është mbulimi i të vërtetës me gënjeshtra dhe hipoteza. Atëherë lind pyetja: Cili është motivi i përhapjes së ideve dhe gënjeshtrave kundër muslimanëve? Motivet mund të jenë të shumtë, por besoj se një nga motivet kryesore është mbrojtja e interesit individual, të cilin e kam përmendur dhe më lart. Nëse përqindja më e madhe e publikut amerikan do mendonte pozitivisht rreth Islamit dhe muslimanëve duke reflektuar në burime të besueshme informacioni dhe statistikash, atëherë si do justifikohej vrasja, shfrytëzimi dhe grabitja e pasurisë dhe e tokave të muslimanëve? Kur arrinë t’i bindësh njerëzit përmes mashtrimeve se muslimanët janë barbarë dhe Sheriati i tyre (që përmban rregullat e fesë duke përfshier dhe ato që praktikohen individualisht) është aq i keq, sa duhet të bëhet i jashtligjshëm, siç ka ndodhur në disa shtete të Amerikës, atëherë është shumë më e lehtë t’i plotësosh ato interesa nën maskën e atdhetarizmit, praktikë të cilën kan filluar ta ushtrojnë disa të pangopur në Amerikë. Për këtë dhe Zoti i bën thirje përmes Kur’anit, jovetëm izraelitit të shekullit të shtatë, por dhe mashtruesve publikë dhe të tjerëve të shekullit njëzet e një, duke thënë: “ Mos e mbuloni të vërtetën me të pavërtetën dhe mos e fshihni të vërtetën, megjithëse ju e dini. “

Reflektimi i këtij verseti Kur’anor duhet të bëhet dhe nga muslimanët, të cilët kanë marrë përsipër përmbushjen e dispozitave të Kur’anit në jetën e tyre. Kam dëshirë që për aplikimin e duhur të këtij verseti nga ana e muslimanëve, të sjelli përsëri shembullin e izraelitëve në kohën e Muhamedit (a.s.) nga një këndvështrim tjetër. Përmes këtij ajeti dhe ajeteve tjera, Zoti i Madhëruar kërkon nga ata që ta përqafojnë të vërtetën, duke qënë se ata e kuptojnë atë. Allahu (xh.sh.), pasi që i dërgoi atryre profetë pas profetëve, i bëri ata liderë në devotshmëri dhe shembull për njerëzit tjerë. Nësë ata, duke qenë ithtarë të librit, fjalës së Zotit, e kundërshtojnë Muhamedin (a.s.), të cilin e kanë të përmendur në librat e tyre, si mund të pritet drejtwsi dhe virtyt nga të tjerët, të cilët janë larg moralit dhe mësimeve hyjnore? Ashtu dhe sot me muslimanët, duke qënë se ata janë dëshmitarë dhe besimtarë të mesazhit hyjnor, nëse nuk bëhen liderë në virtyte të larta dhe devotshmëri për mbarë njerëzimin, si pritet që drejtësia dhe morali të qëndrojnë të balancuara në botë? Për muslimanët është koha që thënia ” Muhammedur- Resulullah”, të mos mbesi vetëm në gjuhët e tyre, por të pasqyrohet në ndërgjegjen dhe veprat e tyre.

E lus të Madhin Zot, t’i mbrojë komunitetet tona besimtare në Amerikë e kudo në botë dhe të na bëjë nga të sinqertët e atij grupi muslimanë që Ai i përmend në Kur’anin a Tij famëlartë: ” Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun…” (Ali Imran, 110)

 

Ligjërata e Xhumas, e mbajtur me 6 Prill, 2012 në Greenway Masjid, Arizona, nga Imam Didmar Faja.

 

(Breziiri)

 

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!