Shqipëri

Medreseja e Korçës, program festiv për Profetin a.s.

Medreseja e Korçës për të tretin vit radhazi ka organizuar paraditen e sotme programin festiv “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”.

Programi është hapur me fjalën përshëndetëse të drejtorit të medresesë Omer Çallësh, i cili pas fjalëve të ngrohta të mirëseardhjes, u ndal në vlerat e mësimeve profetike në një kohë kur sipas tij bota po na shfaqet pa dimension dhe në të cilën shumë vlera janë zbehur e janë zhbërë.

“Pikërisht sot, shoqëria globale ka nevojë më shumë për mësimet e Zotit, mesazhet profetike, pra për dashuri, tolerancë dhe solidaritet, të cilat pa diskutim janë virtyte të pashmangshme. Arsimimi dhe edukimi janë zemra e punës sonë. Ne mundohemi t’i edukojmë dhe t’i arsimojmë të rinjtë për t’i bërë të aftë dhe të dobishëm për veten, familjen, komunitetin, shoqërinë dhe të mirën e përgjithshme”, tha drejtori Çallësh.

Më pas aktiviteti është përshëndetur nga Prefekti i Qarkut Korçë Andrea Mano. Duke shprehur respektin dhe konsideratën për angazhimin arsimor e edukativ të drejtuesve të këtij institucioni, z. Mano theksoi se ky institucion po edukon brezat e rinj me dije fetare-islame dhe ato shkencore, duke synuar të nxjerrë elementë me përgatitje të dyfishtë. Në vazhdim të fjalës së tij, ai vlerësoi maksimalisht aktivitetin e pasur e të larmishëm të medresesë si institucion në gjallërimin e jetës artistike e kulturore si dhe në aksione bamirësie e fushata sensibilizuese në ndihmë të shtresave në nevojë.

“Sot është një ditë e veçantë dhe e shënuar për të gjithë ne pa përjashtim. Në këtë ditë në të cilën përkujtojmë lindjen e Profetit Muhamed, ne përcjellim edhe urimet më të mira për paqe, dashuri e mirëkuptim. Le të shërbejë kjo ditë për të reflektuar e vepruar jo vetëm për veten por edhe për të tjerët, për ata që na rrethojnë dhe na e bëjnë jetën tonë më të bukur. Dua të shpreh urimet dhe vlerësimet më të mira për organizatorët, stafin dhe nxënësit e kësaj shkolle, e cila është kthyer në një institucion model në fushën e arsimit dhe edukimit”- tha prefekti Mano.

Programin e përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi. I impresionuar nga ky organizim serioz, z. Peleshi u shpreh: “Jam i nderuar që marr pjesë në këtë aktivitet të shkëlqyer, në të cilin vijmë jo vetëm për kortezi, por për të takuar e ndarë me njëri-tjetrin urimet për paqe e harmoni. Dua të përshëndes drejtuesit, stafin dhe nxënësit e Medresesë, jo vetëm për këtë program cilësor e me shije të hollë artistike, por edhe për rezultatet e tyre në këto tre vjet, që e kanë bërë medresenë një institucion të suksesshëm me të cilin krenohemi të gjithë”, tha z. Peleshi.

“Sot jemi mbledhur për të kujtuar Profetin Muhamed, mesazhet dhe porositë e tij për njerëzimin. Mendoni si do të ishte bota po qe se fjalët e tij, por edhe të profetëve të tjerë, do të ishin ndjekur e zbatuar. Sigurisht që do të kishim më pak luftra, më pak dhimbje e më trishtim”, nënvizoi kreu i Bashkisë Korçë.

“Në periodikun që m’u dhurua këtu, më bëri pështypje kjo thënie profetike: “Nuk është prej nesh kush nuk tregon dhembshuri ndaj fëmijëve dhe respekt ndaj të rriturve, kush nuk urdhëron të mirat dhe ndalon të këqijat.” Mjafton kjo fjali që e gjithë bota të rregullohet dhe njerëzimi të kalojë një jetë në paqe e harmoni”, shtoi z. Peleshi.

“Jemi mësuar të festojmë së bashku ditë të tilla. Për vetë rëndësinë dhe peshën e tyre, shpresoj që raste të tilla të na kujtojnë e të na afrojnë më shumë me njëri-tjetrin, jo vetëm një herë apo disa herë në vit”, mbylli fjalën e tij përshëndetëse Kryebashkiaku i Korçës.

Përshëndetje bëri edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu. Në mesazhin e tij me rastin e kësaj dite, z. Spahiu kujtoi se Profeti gjatë tërë jetës është dalluar për moral të lartë dhe vepra madhështore, është veçuar me cilësi nga më të mirat dhe e gjithë jeta e tij është shëmbëlltyrë për ne. “Vetë Zoti në Kuran urdhëron e thotë: Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut. Mjafton ky verset për të kuptuar se njohja e të Dërguarit dhe e mesazhit të tij, pranimi i asaj që ai ka paralajmëruar, dhe nënshtrimi ndaj asaj që ai ka urdhëruar është nevoja më e madhe për njeriun më shumë se çdo gjë tjetër.

Nuk ka asgjë të mirë veçse e ka udhëzuar njeriun për të, dhe s’ka asgjë të keqe veçse e ka paralajmëruar nga ajo”, tha z. Spahiu.

Programi i organizuar nga Medreseja e Korçës (Fondacioni “SEMA”) me regji të Agron Hoxha, drejtor i Medias në KMSH, ishte një aktivitet i pasur dhe mjaft cilësor si në planin artistik edhe në atë estetik. Pjesët e përzgjedhura poetike dhe ilahitë e interpretuara mjeshtërisht nga nxënësit: Laura Agolli, Marinel Bregu, Marinela Kullolli, Maja Kamo, kori i medresesë, etj., sollën emocione dhe ndjesi të veçanta.

Një surprizë e këndshme ishte prania e Artistit të Popullit, Mirush Kabashi. Pas një mesazhi të përzemërt drejtuar të ftuarve, prindërve e qytetarëve pjesëmarrës në këtë aktivitet, z. Kabashi u shpreh: “Falënderoj Komunitetin Mysliman, Medresenë, organizatorët, që më dhanë shansin për të marrë pjesë, përjetuar e dhuruar emocione dhe marrë duartrokitje të ngrohta në Korçën e traditave fetare, kulturore e atdhetare. Shpreh vlerësimet e mia për organizatorët dhe uroj më të mirën për nxënësit e kësaj shkolle, që të bëhen jo vetëm të ditur por edhe të dobishëm, për t’i shërbyer më shumë dhe më mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve”, uroi z. Kabashi.

Me një emocion që preku publikun në sallë aktori i njohur recitoi poezinë “U nda hëna në dy pjesë”, të poetit kosovar Fatmir Muja dhe më pas, duke qenë se festimi i kësaj ngjarjeje përkon me një vit të rëndësishëm për shqiptarët, 100 vjetorin e pavarësisë, ai recitoi edhe poezinë “Shpresë” të shkrimtarit dhe rilindësit tonë kombëtar Naim Frashëri.

Në fund, për të pranishmit është dhuruar një kopje e revistës “Drita Islame”, botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndërsa më pas ata janë ftuar në një koktej të shtruar me këtë rast, për të kaluar të tjera momente të bukura dhe ndarë gëzimin e madh të kësaj ngjarjeje të shënuar e të përbotshme.

Në këtë eveniment të rëndësishëm ishin të pranishëm, prefekti i Qarkut të Korçës, Andrea Mano, kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, deputetë, përfaqësues të spektrit politik, përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues institucionesh, figura intelektuale, si dhe mjaft miq të ftuar nga Kosova e Maqedonia. Të pranishëm gjithashtu ishin nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, drejtori i Arsimit, Altin Shima, myftiu i Zonës Korçë, H. Qazim Muçi si dhe qindra besimtarë dhe qytetarë të Korçës, të cilët për të tretin vit radhazi bëhen dëshmitarë të një organizimi të këtyre përmasave.

Programi është përcjellë me interes të jashtëzakonshëm nga publiku, si dhe nga mediat lokale, duke gjetur një pasqyrim të gjerë në programet e tyre.

(DI)

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!