Personalitete

Hafiz Shaban Saliaj, 78-vjeçari që punon 10 orë në ditë

Një ditë pushimi s’kam bërë deri më sot!”. E thotë këtë një 78-vjeçar, që fare mirë mund të ishte një pensionist “i rënë nga vakti”. Por sikur të kishte ende energjitë e një djalë të ri, punon më shumë se tetë orë në ditë. Sa në zyrë, e sa duke udhëtuar pa pushim rreth e përqark katundeve të kryeqytetit. “Të jesh myfti i Tiranës është përgjegjësi e madhe para Zotit. Dhe është Zoti që më jep fuqi. Kur je mirë me shëndet, mund të jesh përherë efikas, e vitet s’do të thonë shumë. Një njeri i fortë në besim, sipas Kuranit, duhet të jetë i fortë edhe fizikisht. S’ka paqe dhe lumturi pa shëndet. Shëndeti është dhurata më e madhe që Zoti na ka dhënë”.

Këto shpjegime jep mbi çudinë e tij, myftiu Shaban Saliaj, ai që e ka lexuar Kuranin që në vitet ’50-të, kur studionte në Medresenë e Tiranës, e që fitoi titullin ‘hafiz’ pasi mësoi çdo rresht të librit të shenjtë  në arabisht përmendësh. Apo që mbante një Kuran të vogël, fshehur, edhe në komunizëm, e përsëriste po fshehur çdo rresht të tij. “Një javë ta lësh pa recituar, e harron”, thotë edhe hafizi Shaban Saliaj.

Për ata që nuk e njohin hierarkinë fetare, në një përfytyrim fare të thjeshtë krahasues të jesh myfti i Tiranës i bie si të jesh kryebashkiaku i Tiranës, por brenda llojit, brenda institucioneve fetare myslimane. Shaban Saliaj mbikëqyr jo vetëm 8 xhamitë e mëdha të kryeqytetit, por gjithsej rreth 100 xhami katund më katund të ‘Tironës’. Duke iu hedhur një sy edhe xhamive në Krujë, Kavajë, Durrës, Peqin, Elbasan, Librazhd, që mund t’i quajmë si ‘prefektura’ të myftinisë së Tiranës. “Secili qytet ka myftininë e tij, por duke qenë se gjithsej në Shqipëri ka gjashtë myftini të mëdha, një nga të cilat është edhe Tirana, unë mbikëqyr ato rreth e qark Tiranës në ngjarje apo probleme të rëndësishme”.

E bën këtë që nga viti 2005 pas të tjera detyrash të rëndësishme që pati fill me rihapjen e xhamive në vitin ’91. Do të ishte imami i parë i xhamisë së dëmtuar të Kokonozëve te Pazari i Ri dhe xhamisë së Et’hem Beut, dy të parat që u rihapën në Tiranë. E njëkohësisht edhe mësues i Kuranit në Medrese, në të cilën pati përfunduar studimet qysh në vitin e largët 1955, kur ende feja nuk i kishte pësuar sulmet komuniste si ilegjitime. ‘Atëkohë mora titullin hafiz, i cili iu jepet vetëm atyre që dinë Kuranin përmendësh”, kujton myftiu i Tiranës, Shaban Saliaj, që di jo pak, por 600 faqet e tij përmendësh.

Dikush e pat këshilluar që dalëngadalë komunistët do t’i ndërprisnin me përdhunë udhët e Zotit dhe Shabani, sikurse shumë medreseistë të tjerë që ndërruan profesion, i futet shkollës gjeologjike. Dhe mbërriti viti ’67, kur iu vunë përfundimisht kyçet vendeve ku adhurohej Zoti. Shabani punoi plot 36 vjet në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës. ‘Si ish-medresist nuk kisha telashe në punë, sepse isha shumë korrekt. Por askush nuk dinte që unë në shtëpi lutesha dhe mbaja një Kuran të vogël. Traditë besimi trashëguar edhe nga familja”, kujton myftiu. Erdhi ’90-a, e meqë njohësit e Kuranit ishin fare të paktë, edhe pse ishte 57 vjeç, gati duke dalë në pension, Shaban Saliaj bëhet ndër të parët imamë të Tiranës.

E nuk i është ndarë këtij përkushtimi hyjnor deri më sot. “Nuk kemi statistika, por në gjithë këto vite është shtuar numri i besimtarëve. E vë re tek xhamitë, të cilat çdo të premte mbushen plot. Por ne nuk detyrojmë kënd. Kemi për detyrë të kumtojmë librat e shenjtë, me durim, sa më butë jo me ofendim, jo me dhunë. I thotë Kurani këto. Besimtarët e dhunës nuk kanë vend tek ne, pastaj njerëzit janë të lirë të besojnë ose jo, të vijnë tek ne apo tek besime të tjera”, thotë myftiu, që gjithmonë ka këshilluar tolerancën fetare mes gjithë besimeve. Vetë është ndjerë i mbrojtur nga Zoti, nuk ka frikë nga vdekja apo gjykimi i tij e këshillon se sa më e lartë shkalla e besimit, aq më të ruajtur nga të këqijat janë të gjithë. “Njeriu që beson arrin një shkallë më të lartë shpirtërore se sa ateisti, sepse rruga e vetme e drejtë është rruga hyjnore”.

“Problemet? Ngaqë s’kemi edukatë fetare”

“Shoqëria jonë ka shumë probleme. Këto vijnë sepse na mungon edukata fetare, e shkëputur vite më parë, edhe nëpër shkolla. Në kohën e Zogut, kur bëja filloren tek shkolla laike ‘Ismail Qemali’, krahas mësimeve të tjera ne kishim edhe një orë mësim fetar në javë. Myslimanët futeshin në një klasë më vete me hoxhën, ortodoksët dhe katolikët me priftërinjtë e tyre përkatës. Është një përvojë që sot njihet edhe në vende të zhvilluara”

“Si myslimanët e katolikët, kemi ardhur të gjithë nga Ademi dhe Havaja ose ndryshe Adami dhe Eva. Sa herë populli humbte rrugën e Zotit, ai dërgonte një profet. Janë të gjithë të dërguar të Zotit, si profetët e katolikëve, edhe ata të myslimanëve.”

Hafiz Shaban Saliaj është 78 vjeç. Ai ka lindur dhe jetuar në Tiranë. Ka mbaruar Medresenë e Tiranës, më pas ka bërë 1 vit specializim në Shkollën e Mesme Pedagogjike dhe më pas ka studiuar 2 vjet shkollë gjeologjike.

Ai ka një përvojë pune: 36 vjet në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës. Në vitin ’91 imam në xhaminë e Kokonozit dhe të Ethem Beut në Tiranë, deri në 2004. Paralelisht mësues në Medresenë e Tiranës nga 1991-2003. Myftiu aktual i Tiranës, që nga viti 2005.

 

(Shekulli)

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!