Kush qëndron pas djegies së Kur’anit?

Shkruan: Qemajl Morina

Kush qëndron pas djegies së Kur’anit?

Për më tepër se tri javët e kaluara, një numër i konsiderueshëm i artikujve në gazetat më të rëndësishme të botës ka qenë i përqendruar në djegien e Kur’anit, në bazën ajrore të Bagramit në Afganistan. Me dhjetëra njerëz kanë vdekur në protestat dhe sulmet që ndodhën pas këtij akti barbar. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy oficerë të lartë amerikanë, njëri me gradën kolonel e tjetri me gradën major, të cilët u vranë nga një oficer afgan, në selinë e ndërtesës së Ministrisë të Punëve të Brendshme, duke shqyrtuar çështjen e djegies së Kur’anit, për arsye se ata e kishin quajtur Kur’anin “libër të keq”.

Amerikanët kishin bërë përdhosjen e Kur’anit vite më parë në burgun Guantenamo, ndërkohë që një prift amerikan haptazi kishte bërë djegien e Kur’anit. Të gjitha këto janë veprime të këqija, sipas të gjitha standardeve, të cilat janë rezultat i një “ideologjie” përplot fanatizëm dhe urrejtje kundër Kur’anit dhe islamit. A nuk kishte deklaruar prifti i njohur amerikan, Xheri Fajvel, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001: “Terrorizmi që kishte atakuar Amerikën është mbështetur në Kur’an, i cili stimulon dhunë dhe terrorizëm”.

Ndërkohë, Samuel Hantington, i njohur si shpikës i përplasjeve të qytetërimeve, thotë: “Perëndimi nuk përballet me problemin e fundamentalizmit islamik, por ai përballet me vetë islamin”.

Pothuajse në të njëjtën periudhë kohore, Daniel Pajps, njëri prej simboleve të urrejtjes së islamit dhe myslimanëve në Amerikë, pohonte se “Lindja e Mesme dhe myslimanët e saj kanë zënë vendin e ish-Bashkimit Sovjetik, si armik ideologjik i Perëndimit”.

Me gjithë kërkimfaljen nga presidenti amerikan për këtë akt të shëmtuar, kjo nuk mundi t’i qetësojë shpirtrat e trazuar të myslimanëve, jo vetëm në Afganistan, por edhe në të gjitha anët e botës. Ata betohen se nuk do t’i lejojnë askujt ta fyejë “librin tonë” të shenjtë, i cili është burim i ekzistencës, i dinjitetit, i krenarisë dhe forcë e jetës sonë, në këtë botë dhe në botën tjetër.

Në aspektin politik, aktet e këtilla, nuk do ta ndihmojnë administratën amerikane në strategjinë për “përmirësimin e imazhit të saj tek opinioni i përgjithshëm i botës islame”, sepse shkeljet e vazhdueshme të këtilla amerikane ndaj shenjtërive të islamit, vetëm mund ta prishin imazhin e Amerikës tek opinioni përgjithshëm i botës islame, i cili beson në Kur’anin e tij të shenjtë dhe krenohet me të.

Nuk mjafton për Amerikën që, pas gjithë këtyre shkeljeve dhe fyerjeve, disa nga politikanët e saj të kërkojnë falje, ndërkohë që keqbërësit të mbesin pa u dënuar për prishjen e marrëdhënieve mes Amerikës dhe botës islame. Sepse, ai që shpëton prej dënimi, ai do të vazhdojë në djegien e Kur’anit, pohon analisti nga Egjipti, Emil Emin.

Është më se e vërtetë se ndodhia e Bagramit, me gjithë kërkim faljen e presidentit amerikan, Barak Obama, dhe ministrit amerikan të Mbrojtjes, Leon Paneta, i ka shkaktuar dëme serioze SHBA-së dhe atë me tre dëshmi amerikane, të cilat pohojnë se reagimet afgane janë vetëm fillimi i dhembjeve të vështira të lindjes.

Dëshminë e parë e ka sjellë “New York Times”, që pohon se djegia e disa kopjeve të Kur’anit ka ndezur një zjarr që nuk mund të fiket. Në veçanti, pas rritjes së dhunës afgane që nga një herë ka përkrahje edhe nga institucionet shtetërore.

Dëshmia e dytë vjen nga gazeta “Cristian Scince Monitor”, e cila pohon se shpresat e SHBA-së për të fituar simpatinë e popullit afgan janë humbur përgjithmonë, kurse shpresat NATO-s për ta stabilizuar gjendjen janë shumë të vogla.

Dëshmia e tretë vjen nga shkrimtari i njohur amerikan David Ignatijos, të botuar në gazetën “Washington Post”, i cili “veprimet e ushtarëve amerikanë i quajti të marra, që mund të çojnë deri te shkatërrimi i SHBA-së”.

Kur’ani për myslimanët është fjala e Zotit, për këtë të tjerët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj tij.

Me sa dimë ne, nuk ka asnjë alternativë sjellja tjetër ndaj këtyre gjërave të shenjta, përveçse t’i trajtosh me respekt të veçantë. Dhe, e parë me këtë sy, djegia është me siguri një fyerje e rëndë.

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!