Kosovë

Protestojnë për shoqet e mbuluara

Rreth 60 nxënës të gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, kanë bojkotuar të mërkurën mësimin, në shenjë proteste kundër largimit nga shkolla të shoqeve që mbajnë shami në kokë.

“Ligji për shaminë, për shkollat fillore dhe të mesme është aprovuar në Parlamentin e Kosovës dhe ai duhet të zbatohet”, ka thënë Ahmet Fazliu, drejtor i gjimnazit, raporton “Kosovapress”.

Ai tha se shkolla që ai drejton ka shtatë “nxënëse me shami”, dhe se të martën i ka ftuar në zyrë për t’ua kumtuar vendimin e Drejtorisë së Arsimit, sipas të cilit ato nuk do ta kenë mundësinë që ta vazhdojnë procesin mësimor në të ardhmen, “nëse vazhdojnë të vijnë me shami në kokë”.

Nxënësi Behar Salihu, tha se janë shtatë paralele që kanë dalë për të protestuar kundër ndalimit të ardhjes në shkollë të shoqeve. Ndërsa, nxënëset që mbajnë shami, Fatime Veliu dhe Raza Zena, thanë se mbajtja e shamisë është e drejtë e tyre personale.

“Nuk kuptojmë pse të përjashtohemi tani, kur kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të vitit”, thanë ato.

Drejtori thotë se e ka transmetuar vendimin e Drejtorisë së Arsimit.

“Ndërsa, u kam premtuar se një javë para përfundimit të procesit mësimor do t’i ftojmë ato që t’i nënshtrohen provimeve të lëndëve, për të marrë klasën dhe për të mos e humbur vitin”, shton Fazliu, i cili kërkoi nga nxënëset t’i kthehen mësimit.

Përndryshe, nëse për tre ditë mungojnë pa arsye, atëherë në bazë të ligjit nuk janë nxënës të rregullt të kësaj shkolle dhe mund ta humbin vitin.

(Telegrafi)

P.S. Rubrika "Shtypi" është krijuar për të sjellë tekstet që publikohen në mediumet e ndryshme, të cilat prekin çështjet e Islamit dhe të myslimanëve në përgjithësi. Redaksia e portalit "Breziiri.com" nuk qëndron prapa këtyre teksteve dhe jo çdo herë pajtohet me përmbajtjen e tyre.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!