Përfaqësimi i gruas në disa parlamente arabe

Shkruan: Qemajl Morina

Përfaqësimi i gruas në disa parlamente arabe

Gratë arabe do t’ua kishin lakmi simotrave të tyre kosovare me përfaqësimin e tyre në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Në zgjedhjet e fundit në Egjipt, nga 498 ulëse sa numëron parlamenti i këtij vendi më të madh arab, numri i grave që fituan në zgjedhje është vetëm nëntë, që nuk tejkalon 1.8 për qind të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të parlamentit. Kjo përqindje, sipas të gjitha standardeve, është shumë e vogël, për të mos thënë simbolike, në veçanti pas kontributit që dha gruaja egjiptiane në revolucionin e 25 janarit të vitit 2011.

Sipas shumë analistëve egjiptianë, kjo përqindje ka qenë e pritur për dy shkaqe.

I pari ka të bëjë me keqpërdorimin e zgjedhjeve deri në atë masë që nuk ia vlente dalja në to, mungesa e lirisë dhe e konkurrencës së lirë për dekada të tëra. Ndërkohë që, shkaku i dytë ka të bëjë me temperamentin e përgjithshëm që mbizotëron në një shoqëri konservative, siç është shoqëria egjiptiane.

Ajo që duhet theksuar me këtë rast është se nga ky numër, katër ulëse i përkasin Partisë për Liri dhe Drejtësi, e themeluar nga “Vëllezërit Myslimanë”, pastaj vjen Partia e Vafdit me tri dhe me nga një përfaqësuese Partia Demokratike e Egjiptit dhe Partia e Ripërtëritjes.

Gruaja në lëvizjen e “Vëllezërve Myslimanë” në vazhdimësi ka pasur rol me rëndësi në shoqëri, duke filluar prej kohës së themelimit të Lëvizjes para tetëdhjetë vjetësh. Mirëpo, aktiviteti politik i gruas është i vonshëm. Në zgjedhjet e vitit 2000 ishte hera e parë që një grua nga Lëvizja e “Vëllezërve Myslimanë” po e shpallte kandidaturën e saj për t’u bërë anëtare e parlamentit. Ajo ishte Xhejhan El-Halfavi nga qyteti i Aleksandrisë. Në zgjedhjet e vitit 2005, u kandidua dr. Mekarim El-Hariri në Kajro. Ky numër në zgjedhjet e viti 2010 u rrit në 13, kurse në zgjedhjet e fundit ky numër tejkaloi 76, katër prej të cilave u bënë anëtare të parlamentit.

Përfaqësimi i gruas në jetën parlamentare nuk dallon shumë edhe në vendet e tjera arabe. Kështu, në zgjedhjet e fundit që u zhvilluan në Marok, më 29 nëntor 2011, ku partia islamike “Drejtësi dhe Zhvillim” fitoi 107 ulëse nga numri përgjithshëm i 266 ulëse sa numëron parlamenti i atij vendi, numri grave të përfaqësuara në parlamentin e ri ishte 16, edhe pse mbreti, Muhamedi VI kishte paralajmëruar se ky numër do të rritej në 30.

Kurse në Kuvajt, në zgjedhjet e vitit 2009, për herë të parë në parlamentin e këtij shteti ishin zgjedhur katër gra. Por, për fat të keq, në zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën në fund të muajit janar, në përbërjen e re nuk ishte zgjedhur asnjë grua!

Çështja e përfaqësimit të gruas qëndron krejt ndryshe në Tunizi. Në zgjedhjet e 23 tetorit 2011, në zgjedhjet e para të lira që ishin mbajtur në Tunizi, ku partia islamike “En-nahda” fitoi 90 vende nga 217 ulëse sa numëronte parlamenti. Numri i grave që hynë në parlament ishte 49 apo 24.9 për qind. Ajo që vlen të potencohet me këtë rast është se 40 deputete i përkasin partisë islamike “En-nehda” të Rashid El-Ganushit. Kryetarja e Forumit të Gruas së kësaj partie parashikonte që pjesëmarrja e gruas në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jetë 60% .

Në tendencë e këtillë na bën të shikojmë me optimizëm kah avancimi i pozitës së gruas në partitë islamike, të cilat fituan besimin e popullit në zgjedhjet e para të lira në disa vende arabe.

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!