Hukmet dhe burimet e Sheriatit islam shkurtazi

Definicioni i Sheriatit: Përmbledhja e dispozitave fetare, sipas të cilave veprojnë myslimanët, quhet sheriat. Sheriati është ligj fetar i myslimanëve. Dispozitat e Sheriatit përfshijnë të gjitha veprat e personave të rritur dhe të mençur – të arsyeshëm dhe për këto vepra parasheh rregullat e veta. Obligimet, ndalimet e veprave të individëve sipas sheriatit, ndahen në këto lloje:

FARZ: është ajo vepër që rreptësisht e urdhëroi All-llahu xh.sh. të punohet, dhe dihet saktësisht se është urdhër i All-llahut xh.sh. siç janë: falja e namazit, dhënia e zeqatit, etj. Ai njeri që e refuzon këtë nuk është mysliman , por hynë në grupin e qafirëve.

Farzi është dy lloje: Farzi-ajn dhe farzi-kifaje

FARZI – AJN: është obligim për secilin mysliman që ta kryejë individualisht, p.sh. falja e pesë kohëve të namazeve, agjërimi i Ramazanit, etj.

FARZI – KIFAJE: është obligim për tërë shoqërinë, bashkësinë myslimane, e nëse njëri prej atyre e kryen këtë obligim të tjerët lirohen nga kjo detyrë, por në qoftë se asnjëri nuk e kryen, atëherë të gjithë janë mëkatarë e do të përgjigjen para Zotit të Madhëruar, p.sh. falja e namazit të xhenazes.

VAXHIB: është ajo vepër që All-llahu xh.sh. urdhëroi të punohet, mirëpo nuk jemi gjithaq të sigurt se urdhri i All-llahut xh.sh. ka të bëjë me të apo me ndonjë vepër tjetër, p.sh. namazi i vitrit. Mohuesi i vaxhibit nuk del prej imanit por është mëkatar, do të dënohet.

SUNNET: është çdo gjë që e ka punuar Muhammedi a.s. ka porositur ose ka lejuar të punohet.

Sunnetet janë dy llojesh: sunnete muekkede dhe sunete gajri-muekkede.

SUNNETI MUEKKEDE: janë veprat e Pejgamberit a.s. që i ka punuar vazhdimisht, dhe ka urdhëruar të punohen , jashtë farzeve. P.sh. dy sunetet e sabahut, falja e namazit me xhematë.

SUNNETI GAJRIMUEKEDE: janë veprat e Pejgamberit a.s. që nuk i ka punuar vazhdimisht, por i ka lënë disa herë, p.sh. sunnetet e iqindisë. Mohuesi i synnetit nuk dënohet por, është i larguar nga mëshira e Pejgamberit a.s.

MUSTEHAB: janë veprat të cilat janë të lavdishme të punohen, që rrjedhin nga Pejgamberi a.s., mirëpo rrallë herë i ka punuar, ose ka folur se është mirë të punohen, p.sh. të shpejtuarit iftarin në Ramazan, ose të vonuarit syfyrin.

MUBAH: janë veprat të cilat nuk janë urdhëruar të punohen, por as nuk janë të ndaluara të punohen; njeriu është i lirë t’i punojë apo mos t’i punojë, p.sh. llojin e ushqimit që e preferon për të ngrënë, apo sjelljet e lira me kusht që të mos u pengojmë të tjerëve.

HARAM: është çdo vepër që rreptësisht e ndaloi All-llahu xh.sh., p.sh. alkooli, ngrënia e mishit të derrit, dhe të gjitha veprat e shëmtuara.

MEKRUH: janë ato vepra që nuk është mirë të punohen, por që nuk janë të ndaluara rreptësisht.

Mekruhi ndahet në dy lloje : Mekruh-tahrimen dhe Mekruh-tenzihen.

MEKRUH TAHRIMEN: janë veprat të cilat janë të ndaluara të punohen, por jo rreptësisht. Këto vepra janë afër haramit. P.sh. veshja e rrobave të mëndafshit dhe e arit për burrat. Duhet ditur se në këtë lloj të mekruhit hyjnë edhe lënia e vaxhibit.

MEKRUH TENZIHEN: janë veprat të cilat nuk janë të pëlqyera të punohen, që nuk janë aq të shëmtuara. P.sh. lënia e sunnetit të iqindisë. Në këtë lloj të mekruhit hyjnë edhe lënia e sunneteve gajri-muekkede.

MUFSID: janë ato vepra të cilat i prishin aktet fetare.

Udhëzim: Nga All-llahu i madhëruar do ta fitojmë shpërblimin (thevabin) po qese i zbatojmë urdhëratë dhe obligimet e Tij si dhe me jetësimin e këshillave e porosive të Pejgamberit a.s. Për moskryerjen e urdhrave të All-llahut xh.sh. dhe për bërjen e veprave të shëmtuara (të këqija), do ta meritojmë dënimin e All-llahut xh.sh.(ikabin). Për kryerjen e veprave që janë mekruh, mund të kemi qortim, e për disa mekruhe mund të marrim edhe dënim të lehtë nga All-llahu i Mëshirshëm. Kryerja dhe zbatimi i urdhrave të All-llahut xh.sh. njerëzimit i sjell dobi dhe harmoni, ndërsa kryerja e veprave të ndaluara njerëzimit i sjellin dëme e fatkeqësi në këtë jetë po ashtu në jetën tjetër.

BURIMET E SHERIATIT ISLAM

All-llahu xh.sh. ia zbriti Kur`anin Muhammedit a.s. që t`i tregojë gjithë njerëzimit për përgjegjësinë që do ta kenë para madhërisë së Tij. ” Ai që ia shpalli Furkanin (Kur`anin, dallues të së vërtetës nga e pa vërteta) robit të vetë (Muhammedit) që të bëhet pejgamber i botës është i madhëruar” (ajeti/1 El-Furkan). Në ajetin tjetër thuhet: “Ne nuk të dërguam ty ndryshe se për të gjithë njerëzit, mëshirë dhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë” (ajeti/28 Es-Sebe). Në të drejtën e Sheriatit islam ekzistojnë disa burime kryesore që mund të bazohemi në to për çdo çështje që i përket Fesë Islame, disa nga këto burime janë kryesore ndërsa disa janë dytësore. Po edhe burimet kryesore nuk janë të një rangu sepse disa prej tyre siç theksojnë juristët islam kanë më shumë përparësi se tjerat. Burimet e Sheriatit islam janë të renditura sipas vlerës dhe rëndësisë së tyre juridike:

KUR`ANI: ky është burimi kryesor i mësimit islam. Kur`ani përmban dispozita hyjnore të shpallura njerëzimit përmes të Dërguarit të Tij, Muhammedit a.s. Kur`ani paraqet një kushtetutë, në të cilën përmblidhen parimet themelore të besimit, moralit, rregullave jetësore, drejtësisë…etj. Kur`ani është dhe do të mbetet baza dhe burimi kryesor i të gjitha mësimeve të Sheriatit islam.

SUNNETI: ky është burimi i dytë me radhë i Sheriatit islam. Me këtë nënkuptojmë thëniet, pëlqimet, heshtjet dhe ndalimet e Muhammedit a.s. “Përmbahuni sunnetit tim,” thotë Muhammedi a.s. Për t`u besuar thënieve të tij deklarohet Muhammedi a.s. duke thënë “E gjithë ajo që është në përputhje me Kur`anin (nga fjalët e mia) pranojeni, sepse ajo vjen prej meje kurse ajo që është në kundërshtim me Librin e Zotit largojeni”.

IXHMAUL UMETI: pajtimi i shumicës së juristëve islamë rreth ndonjë çështjeje. Ky është burimi i tretë i Sheriatit islam. Për dhënien e mendimit për ndonjë çështjeje fetare apo juridike në rang të parë janë shokët e Pejgamberit a.s. mandej nxënësit e tyre, pas tyre nxënësit e nxënësve dhe më në fund edhe të gjithë dijetarët islam, që bazohen në Kur`anin dhe hadithet e pejgamberit a.s. Institucioni i këtij burimi vërtetohet me Kur`an ku thuhet “Nga ju le të jenë një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja” (En-Nisa ajeti/104). Në një hadith thuhet “Përmbahuni sunnetit tim dhe sunnetit të pasardhësve të mi”.

KIJASI: rregulla të nxjerra në bazë të analogjisë. Burim i katërt me radhë i Sheriatit Islam është Kijasi me këtë nënkuptojmë ato zgjedhje të cilat në bazë të analogjisë juristët islamë i kanë nxjerrë prej normave juridike ekzistuese. Me këtë veprim mund të zgjidhen çështjet konkrete në mënyrë të shpejtë dhe të suksesshme, ato çështje për të cilat nuk ekzistojnë norma të prera në burimet e lartpërmendura. Këto ishin burimet kryesore të Sheriatit islam. Ekzistojnë edhe disa burime tjera, por ato janë sekondare p.sh. Istihsan (që mendohet se është e pëlqyer), Istislah ( që mendohet se është në dobi), Bidatet (traditat e mira) etj.

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!