Kontributi i dijetarëve osmanë në shkencën e Fik’hut

Dijetarët e periudhës së Perandorisë Osmane ishin nga ata që Sheriatin dhe principet e tij i kuptuan me shumë seriozitet dhe përkushtim. Në këtë aspekt, ata dhanë vështrimet e tyre në të gjitha çështjet dhe zhvillimet e reja, për shkak se posedonin të gjitha potencialet relevante për t’i kuptuar parimet themelore si dhe për t’i nxjerr vendimet juridike, duke u mbështetur në kuadrin e vendimeve paraprake të jurisprudencës islame.

Drejtimi i mdh’hebit hanefi në kuadër të jurisprudencës islame kishte rëndësi të veçant tek dijetarët e kësaj periudhe historike. Megjithatë, shpesh këta dijetarë kishin nevojë edhe për drejtimet e tjera juridike islame, të cilat, gjithashtu, gëzonin respekt tek sunduesit osmanë.

Shteti osman u përpoq që orientimin e tij politik ta krijojë në bazë të principeve islame të monoteizmit, në zbatimin e ligjit të Allahut – Sheriatit, si dhe në këshillin konsultativ – Shure. Sistemin ekonomik e kishte të bazuar në tregtimin e arit dhe argjendit, duke iu shmangur tregtisë së monopolizmit, kamatës dhe fajdes, si dhe tërë asaj të cilën e kishte ndaluar Allahu i Madhërishëm. Principet moralo-etike në shoqëri i kishte të themeluara mbi bazën e doktrinës islame, kurse edukimi dhe informimi publik, gjithashtu, fillonte tek parimet e përgjithshme të islamit. Marrëdhëniet ndërkombëtare ishin të rregulluara në dritën e doktrinës islame, e cila, drejtëpërdrejtë buronte nga Shpallja.

Dijetarët e kësaj periudhe në përgjithësi, e sidomos ata të jurisprudencës islame (fik’hut), kishin për detyrë të mbikëqyrnin zbatueshmërinë e ligjit të Allahut, zbatimin e sanksioneve, pengimin e saj që ka ndaluar Allahut i Madhërishëm dhe të vënies në qarkullim të asaj që Allahu e ka lejuar.

Sunduesit osmanë (sulltanët) kishin një respekt pa përjashtim për diturinë dhe dijetarët. Në fakt, ky ishte edhe njëri nga faktorët më të fuqishëm të stabilitetit dhe forcës së Shtetit osman, pasi që e dinin dhe ishin thellë të bindur se prosperitetin, në kuptim të përgjithshëm, mund ta sillnin shkenca dhe dituria. Që prej kohës së Mehmet Fatihut u shkruan rregullat, kodet dhe parimet të cilat rregullonin funksionet fetare, kështu që gati të gjithë zyrtarët fetarë në Stamboll ishin nën ingerencat e drejtpërdrejta të myftiut të Stambollit, ndërsa në krahinat e tjera ingerencat ishin të kaziaskerit (gjykatësit ushtarak). Në shkollat zyrtare fetare, të cilat siguronin gjenerata të afta për funksionet fetare në fjalë, gjeneratat e tilla ndaheshin në tre kategori: Softe (nxënësit), që ishte kategoria më e ulët; danišmend (alimët), që ishte kategori për ata që arrinin t’i mbaronin këto shkolla, ndërsa shkalla më e lartë ishte ajo e muderrisit. Shkolla me e famshme në atë kohë ishte „Sehnnu-s-seman“, të cilën e pati ndërtuar Mehmet Fatihu, e që në atë kohë kishte famën e një univerziteti prestigjoz. Ata që mbaronin këto shkolla merrnin statusin e praktikantëve, mirëpo pas arritjes së një përvoje, atyre u jepej funksione të pavarura të nëpunësit, kadiut, myftiut dhe imamit. Mehmet Fatihu është i pari i cili shpiku termin shejhul-islam për kompetencat e autoritetit kryesor për çështjet fetare në shtet, kurse në periudhën e Sulejman Ligjëvënësit u bashkuan funksionet e myftiut të lartë dhe të shejhul-islamit. Çdo çështje e rëndësishme duhej patjetër të merrte pëlqimin e Shejhul-islamit, vendim që, menjëherë pas miratimit, hynte në fuqi.

Shteti osman u formua në kohën e dekadencës së shkencës së jurisprudencës islame (fikhut). Kjo periudhë kohore zgjati prej gjysmës së shekullit të shtatë e deri kah fundi i shekullit trembëdhjetë hixhri, periudhë në të cilën dominonte ideja e pasimit të medh’hebit me fanatizëm, pa shfrytëzuar potencialin e kreativitetit dhe intuitës, duke u kënaqur kështu vetëm me imitimin e plotë dhe përcjelljen e tërë asaj që ishte shënuar në veprat e dijetarëve të mëhershëm. Ai i cili dëshironte ta mësonte shkencën e fikhut, ishte, thuajse, i detyruar që t’i përmbahej një libri të shkruar prej ndonjë autoriteti të shkollës juridike që i përkiste, ku, me ç’rast, do të përfitonte pasqyrimin e plotë mbi sheriatin dhe fikhun islam.

Edhe pse osmanët arritën që ta përhapnin Islamin përafërsisht deri në gjysmën e Evropës, ndërkohë që arritën të rrisnin fuqinë e Islamit dhe të muslimanëve, por, megjithëkëtë, vështirë se ekzistoi motivacioni i shtuar për të dalë prej atij rrethi të pasivitetit shkencor dhe prej qasjes për t’i rezimuar librat e mëhershëm, përkatësisht të komentimit të tyre dhe të komentarëve, gjë që me të madhe e kishte dobësuar principin e ixhtihadit dhe të gjetjes së zgjidhjeve të reja sheriatike. Të paktë ishin ata të cilët në këtë periudhë kishin tejkaluar idenë e ndjekjes verbale të të parëve të tyre dhe pas vetes kishin lënë vepra origjinale autoriale. Edhe krahas tërë kësaj, nuk ka dyshim se edhe në këtë periudhë pati nga ata dijetarë të cilët në jurisprudencën islame dhanë kontribute të konsderueshme, gjë që më se miri tregojnë faktet vijuese:

1. E tërë trashëgimia juridike islame, e sidomos ajo e shkollës juridike hanefite, qe tubuar nga të gjitha anët e botës islame dhe qe koncentruar në qendrat e atëhershme shkencore të Shtetit. Kështu që juristët osmanë posedonin një fotografi të plotë rreth zhvillimit të jurisprudencës islame që nga koha e Emevitëve dhe Abasidëve, ndërkohë, me recenzimin dhe me kopjimin e veprave në fjalë, arritën që ta zgjatnin shekullin e tyre dhe ato vepra t’ua përcillnin gjeneratave të mëvonshme. Për këtë, si dëshëmi më të mirë për ditët e sodit, janë bibliotekat nacionale të shtrira gjithandej Turqisë, të cilat përfshijnë mbi 200.000 dorëshkrime të ndryshme të papërsëritur, prej të cilëve, një e treta, i takon jurisprudencës islame. Veprat që ata i përshkruan, sikur edhe veprat origjinale, përpos territorit të Turqisë së sotme, rruhen edhe në bibliotekat e Sarajevës, Damaskut, Kajros, Rijadit, Medines, Mekkes, etj., përjashtuar këtu një pjesë të madhe të thesarit dorëshkrimor, i cili pas rënies së Hilafetit, u vodh dhe u kontrabandua nëpër muzeumet evropiane dhe nëpër bibliotekat e Gjermanisë, Anglisë dhe Francës. Ruajtja dhe konservimi i këtij thesari në Turqi me dekada ka vazhduar të jetë objektiv dhe kontribut personal i individëve, ndërkohë që qeveria e re tanimë ka filluar të ndryshojë qëndrim kundrejt tij, pasi që deri më tani, karshi këtij thesari shkencor, ka shikuar si te pjesa e saj e “errët dhe të prapambetur të historisë”. Megjithatë, kohët tashmë kanë ndryshuar, dhe me punën e ndërgjegjshme gjatë dekadave të fundit, me ndihmën përparimtare të teknologjisë, ka qenë si shkak që e tërë kjo literaturë shkencore të incizohet dhe të rruhet edhe në formën digjitale. Në këtë mënyrë, është rritur efikasiteti i qasjes ndaj këtij thesari pa pasur nevojë për ndonjë angazhim të veçantë në gjetjen e veprës së dëshiruar. Madje, kohë më parë është në lëshuar në punë serveri që bashkon dhe lidhë të gjitha bibliotekat e Turqisë, në të cilin është vendosur një numër i madh i dorëshkrimeve të natyrës për të cilën flasim, e deri tek të cilët sot është e mundur të arrijmë përmes internetit, pavarësisht se në cilën anë të botës gjendemi.

2. Pavarësisht asaj se a e pranonin apo jo nevojën e ixhtihadit, juristët islam osmanë kanë qenë të detyruar që të japin fetva (decisione) ndaj problemeve dhe sfidave të reja, të cilat, deri më atëherë, nuk ishin të paraqitura. Zgjidhjet më të zakonshme i jepnin mbështetur mbi metodën e nxjerrjes së dispozitave të reja mbi bazën e vendimeve ekzistuese të ngjashme në kuadër të shkollës juridike hanefite. Por, këto metoda jo gjithherë jepnin rezultate të kënaqshme, për faktin se në këtë shkollë, duke u nisur nga vetë Imam Ebu Hanife, nuk ekziston një përmbledhje e parimeve themelore që do të përfshinte çdo çështje mbi bazën e së cilës do të mund të nxirreshin të tjerat, veçori kjo e vetme e Kur’anit dhe Sunnetit, e që me univerzalitetin e tyre mbulojnë çdo kohë dhe vend, ashtu që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ofrojnë zgjidhje për situata dhe probleme të reja. Për ç’rast, te shumë juristë osmanë haset një numër i madh i zgjidhjeve juridiko-fetare të cilat drejtpërdrejtë mbështetjen kanë gjetur tek burimet kryesore islame, ose, të paktën, duke u mbështetur edhe te shkollat e tjera juridike islame. Çështjet e reja më tepër kishin të bënin me sfidat dhe problemet ekonomike, shoqërore, ndërkombëtare, etj. Për këtë dëshmojnë librat me fetva të dala nga kjo periudhë, të cilat, edhe krahas çështjeve klasike, u nxorën edhe çështjet e reja për të cilat, shpesh, është përdorur edhe terminologjia lokale, madje disa libra të fikhut janë shkruar plotësisht në gjuhën turke, e që deri në këtë kohë mund të konsiderohej si një veprim vërtet i rrallë.

3.  Shteti osman, jurisprudencës islame, i ka dhënë një numër të konsiderueshëm të dijetarëve. Autori i enciklopedisë mbi dijetarët e Perandorisë Osmane, Tashkuprizade (vd. 968 h. / 1560 g.), në veprën e tij “Esh-Shekaiku-n-Nu’manijje”, i numëron dhe flet hollësisht për çdo dijetarë të njohur në dhjetë gjeneratat pararendëse, përkatësisht deri të gjysmës së shekullit 10 hixhri (522 biografi të tubuara). Më pas, këtij libri iu shtuan edhe shtojcat “Hadaiku el-Hakaik” dhe “Vekai-l-fudala”, të cilat përfshinin dijetarë të gjeneratave të mëvonshme. Me këtë rast, ne do të veçojmë vetëm disa prej dijetarëve më të shquar të jurisprudencës islame të kësaj periudhe, veprat e të cilëve konsiderohen si të pashmangshme kur bëhet fjalë për trashëgimin e së drejtës islame në Shtetin Osman, dhe atë duke vijuar me:

- Kemaluddin b. El-Humam (789. – 861. h. / 1388. – 1457. g.) është njëri nga imamët e mëdhenj të medh’hebit hanefi. Babai i tij ishte kadi në Sivas, në Turqinë e sotshme, ndërsa më pas qe shpërngulur në Aleksandri. Në Egjipt arriti famë të madhe sa që filloi të konsiderohet si prijës i dijetarëve hanefi. Është i njohur përmes veprës së tij të fihkut “Fethu-l-Kadir”, që është përmbledhje e veprës “El-Hidaje”.  Nga shkenca e Usuli Fikhut ai shkroi veprën e famshme “Et-Tahrir fi usuli-l-fikh”, të cilës iu bënë një sërë komentarësh.

- Muhammed b. Feramerz b. Havaxhe Mulla Husrev (um. 885. h. / 1480. g.). Ishte kadi ushtarak i sulltanit, Mehmet Fatihut. Më pas ka ushtruar detyrën e myftiut. Veprat e tij më të njohura janë “Durer el-hukkam ve gurer el-ahkam”, “El-Mirkatu fi-l-usul”, si dhe shumë glosarë dhe komentarë të teksteve bazike nga lënda e së drejtës islame të përpiluara nga dijetarët pararendës.

- Shemsuddin Ahmed b. Sulejman ibn Kemal Pasha (turq. Kemalpashazade) (873. – 940. h. / 1468. – 1533. g.) Kemal-pasha është emri i gjyshit të tij të famshëm, oficerit të rangut të lartë në ushtrinë osmane. Kemalpashazade njihet edhe sipas ofiqit “Mufti Eth-Thekalejn” për shkak të horizontit të thellë dhe njohurive të veçanta që kishte në çështjet e Sheriatit. Vepra e tij më e njohur është “El-Idah fi sherh el-islah” nga fikhu hanefi.

- Mu’inuddin Muhammed b. Abdil-lah el-Herevi Munla Miskin (vd. 954. h. / 1547. g.). U bë i njohur përmes vepres “Komentar i Kenzu-d-Dekaik” të autorit dhe dijetarit të shquar islam Imam En-Nesefiut.

- Muhammed b. Muhammed b. Mustafa el-Imadi Ebus-Su’ud (898. – 982. h. / 1493. – 1574. g.). Ishte jurist islam, kodifikues i jurisprudencës islame dhe komentator i Kur’anit – mufessir. Fliste dhe shkruantë në tre gjuhë: arabisht, turqisht dhe persisht. Si nxënës i takon alimit të njohur Sadij Çelebiut. Ka ushtruar funksionin e kaziaskerit të Anadolisë dhe Rumelisë (Evropës), si dhe postin e kryemyfiut. Si kaziasker kishte marr pjesë në çlirimin e Beogradit në ushtrinë e Sulejman Ligjëvënësit në vitin 928 h. / 1521 g. Për herë të parë në kohën e tij u bashkuan funksionet e myftiut dhe shejhul-islamit. Vepra e tij më e njohur nga shkenca e Tefsirit konsiderohet vepra “Irshadu-l-akli-s-selim ila mezaje-l-Kitabi-l-Kerim”, kurse në shkencën e Fikhut ka shkruar “Bida’atu-l-kadi fi es-Sukuk”, “Tesdil-el-evkaf”, “Tehafutu-l-emdad”, si dhe “Përmbledhjen me Fetva” në 15 vëllime e botuar në gjuhën arabe dhe turke.

- Muhjiddin Muhammed Pir Ali b. Iskender el-Birkevi (926 – 981 h. / 1520 – 1573 g.). Krahas shumë veprave të tjera në sferën e doktrinës islame (akaidit), ai shkroi edhe libra në të cilat, në mënyrë shkencore, i luftoi risitë që në kohën e tij kishin marrë përmasa të mëdha. Nga veprat e tij të shumta, si më e njohura, konsiderohet “Et-Tarikatu-l-muhammedijje”, kurse në fushën e shkencës së fikhut është vepra “Glosar i komentit të El-Vikaje Sadru-sh-Sherah”.

- Mustafa b. Bali b. Sulejman Balizade (vd. 1073 h. / 1662 g.), është autor i më shumë se dhjetë veprave në fushën e jurisprudencës islame. Ka ushtruar, gjithashtu, edhe postin e Shejhul-islamit. Faktet relevante flasin se pararëndësit e tij kanë prejardhje nga Foça. Veprat e tij më të njohura konsiderohen: “El-Feraidu fi hal-li el-mesaili ve-l-kavaidi” – komentar i veprës “Kenzu-d-dekaika”; si dhe “Mizanu-l-fetava”, në të cilën ka bërë pajtimin e fetfave të të gjithë kapitujve dhe tematikës juridike që është përcjellë nga gjeneratat e para të dijetarëve të medh’hebit hanefi e deri tek të fundit të kohës së tij.

Këto ishin vetëm disa fakte themelore në lidhje me këtë tematikë, andaj dhe shpresojmë se në të ardhmen do të kemi më shumë kohë dhe mundësi për ta punuar edhe më gjerësisht edhe atë.

Autor:
Mr. Emir Demir

Burimi:
http://el-asr.com/tekst/fikh/doprinos-osmanlijskih-u%C4%8Denjaka-u-fikhu
(08.02.2012)

Përkthyes:
Mehas Alija

(Breziiri)

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image « Previous Photo Next Photo »

You are viewing image number 1 of total 2 images.

View full image « Previous Photo Next Photo »

You are viewing image number 2 of total 2 images.


Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!