Me rastin e ditëlindjes së Muhammedit a.s.

I

Njerëzit kanë festat e tyre të seleberimit dhe gëzimit të natyrave të ndryshme, të cilat i praktikojnë në forma dhe mënyra të llojllojshme. Ata i kanë të ndara ditët dhe netët gjatë të cilave madhështojnë dhe veçojnë figurat e veçuara të tyre si: sunduesit, mbretërit, sulltanët, patriotët, çlirimtarët, komandantët, gjeneralët etj., ndërsa krahas këtyre ditëve të shënuara të tyre, racat e të gjitha ngjyrave njerëzore festojnë edhe ditët e mëdha të pavarësisë dhe të mëvetësimit të shtetit dhe të kombit të tyre, si dhe ditët e shenjta të fesë shpirtërore të cilës i përkasin.

Pjesëtarët e besimit islam, përveç festave të tyre kombëtare e patriotike, të cilat i kanë të ndara ashtu si edhe të gjithë popujt e tjerë, festojnë edhe ditët më të shënuara dhe më të veçuara të besimit të tyre. Përveç dy festave të mëdha të dy bajrameve që ndërlidhen me detyrime fetare obliguese gjatë vitit, myslimanët në shenjë respekti dhe konsiderate festojnë dhe madhështojnë edhe ditëlindjen e pejgamberit të fundit, Muhammedit a.s., i cili ishte hallka e fundit e institucionit të pejgamberisë në sipërfaqen e tokës, përmes së cilit mori fund edhe dërgesa qiellore dedikuar njerëzimit. Gjatë festimit të ditëlindjes së Muhammedit a.s., myslimanët organizojnë evenimente dhe sesione akademike, në shenjë mirënjohjeje dhe përkujtimi për virtytet e të tij të larta morale, njerëzore dhe përgjegjësisë së lartë hyjnore dhe me peshë më të cilën ishte ngarkuar nga Allahu i Madhëruar për të mirën e njerëzimit.

Në të tilla organizime festuese, përgatiten ligjërata nga studiues dhe oratorë më të mirë të mundshëm, këndohen e recitohen ilahi e kaside – vjersha, thuren poezi, të cilat i dedikohen figurës së tij a.s. Të gjitha këto veprimtari me këtë rast myslimanët i bëjnë duke qenë të shtyrë nga respekti i madhe që kanë për të dhe në shenjë të rikonfirmimit dhe përkushtimit të tyre të vazhdueshëm në ndjekjen e rrugës së tij, si në besim e gjithashtu edhe në praktikë. Manifestimi i ditëlindjes së Muhammedit a.s. është përcjellur brez pas brezi edhe në vendin tonë dhe më gjerë në Ballkan, bile që nga momentet e para të depërtimit të Islamit në fillim të shekullit e 14 –të , praktikë e cila fatmirësisht po vazhdon edhe sot, kurse në pjesët të tjera të botës siç dihet ajo daton shumë më herët. Vlen të theksohet se, Mevludi si pjesë e praktikave Islame në vendin tonë është dëshmuar se ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të fesë islame në mesin e shoqërisë myslimane, e në veçanti gjatë sistemit komunist në Ballkan, me përjashtim të Shqipërisë e cila dekada më radhë e kishte ndaluar rreptësisht praktikimin e të gjitha riteve fetare pa dallim.

II

Ndryshe, përkujtimi vjetor i ditëlindjes së Muahmmedit a.s. dhe veprimtarisë së tij, në formë solemne dhe në pjesëmarrje masive, konsiderohet si akt i vullnetshëm, i rëndësishëm dhe i dobishëm për të gjithë myslimanët, ndërsa në rrethanat dhe sprovat e të sotmes, përmes së cilave po kalon bota në përgjithësi dhe ajo islame në veçanti, një hap i tillë është dhe do të ishte shumë i qëlluar, e për të mos thënë edhe i domosdoshëm. Njerëzit si qenie humane, gjithnjë kanë nevojë të marrin shembull dhe model njerëzit më të ngritur dhe më të ditur për të organizuar dhe riorganizuar sa më mirë jetën e tyre në sipërfaqen e tokës ku ata jetojnë dhe veprojnë. Prandaj, në këtë kontekst Muhammedi a.s., si i dërguar i Allahut, asnjëherë nuk është i tepërt për t‘u rikujtuar nga të gjithë kurdoherë, por edhe duke festuar ditëlindjen e tij. Ai vërtetë ishte dhe mbetet shembulli më ideal i mundshëm për t‘u pasuar në veprimet e përditshme dhe orientimin tonë mbi parimet e mirëfillta fetare dhe njerëzore. Personaliteti i ndritur a.s., gjithnjë dhe në çdo rrethanë, në çdo fjalë dhe veprim si dhe fushë të jetës së tij shquhej për udhëzimet dhe këshillat e larta teorike dhe veprimet pragmatike, të pa krahasueshme deri më tani, të cilat edhe tani pas 14 shekujve që kanë kaluar, ato janë të gjalla dhe shumë të dobishme për njerëzimin. Muhamedi a.s. këshillonte dhe vepronte pa hezitim në besim në një Zot të vetëm, në respektimin e qenies njeri pa dallim, në pranimin dhe njohjen e pejgambereve dhe shpalljeve të mëhershme para tij, në nxitjen e njerëzve për zbatimin e drejtësisë, në kujdesin që duhet treguar ndaj jetimëve, të varfërve dhe të vobektëve, në mëshirën që duhet treguar ndaj të mjerëve, në thirrjen për unitet, solidaritet dhe sinqeritet, në kërkesat e tij për ruajtjen e lidhjeve dhe bërthamës familjare, fisnore dhe farefisnore të rrethit të ngushtë dhe të gjerë, në flakjen egoizmit, mërisë dhe xhelozisë ndaj njëri tjetrit, në respektimin dhe dashurinë ndaj prindërve si dhe shumë e shumë porosi tjera edukative dhe shpirtërore. Muhamedi a.s. në fakt ishte edukatori më i madh shpirtëror dhe etik për krijesën e quajtur “njeri”. Të gjitha këto virtyte të larta, edukative dhe morale të lartpërmendura deri më tani si dhe shumë të tjera të pa përmendura në këtë rast , i dërguari i fundit i nxirrte dhe i mbështette në mësimet dhe porositë që dilnin nga shpallja hyjnore e Kur‘anit, të cilën e pranojë dhe kumtojë suksesshëm përgjatë 23 viteve me radhë.

Besimtarëve islam dhe lexuesve në përgjithësi duhet rikujtuar se Muhammedi a.s. për nga natyra krijuese dhe pamja fizike ishte si të gjithë njerëzit e rëndomtë, mirëpo ajo që e dallonte nga bashkëkohësit e tij dhe nga neve sot ishte pejgamberia e tij e cila shpërfaqej dhe konfirmohej në opinion përmes librit të shenjtë Kur‘anit.

III

Prof. Dr. Xhabir Hamiti

Po që se myslimanët vazhdimisht, qoftë në të kaluarën e qoftë edhe tani, do të ndiqnin porositë dhe praktikën e tij në besnikëri dhe përkushtim, sigurisht se nuk do të sillnin veten në gjendjen të cilën e kanë sot, e këtu nuk përjashtohemi edhe ne si popullatë me mazhorancë fetar të besimit Islam. Ndjekja e sinqertë e rrugës së tij a.s., nuk do të krijonte përçarje dhe grupacione, të cilat sot fatkeqësisht janë prezentë gati në të gjitha shoqëritë islame. Të gjithë e dinë dhe e pranojnë si fakt historik se në kohën e Muhammedit a.s. nuk kanë ekzistuar “izmat” me të cilët sot ballafaqohemi në media dhe në literaturën e shkruar. Shprehjet e sotme të cilat i hasim në përditshmërinë tonë si : selefizëm, vehabizëm, shiizëm, sufizëm, pastaj grupet tjera; ihvangji, talibangji, hizbullah, si dhe shumë emra të fraksioneve të mëpastajshme si “ havarixhet-heretik”, “ahmedij” , “mu’tezilit”, “ibadij”, etj, etj, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk kanë figuruar në vokabularin islam sa ishte vet gjallë Muhammedi a.s. Të gjithë këto “izma” janë krijuar pas kalimit në amshim të Muhamedit a.s., si rezultat i rrethanave të caktuara historike, përmes të cilave ka kaluar bota islame dhe si pasojë e devijimit të qëllimshëm të individëve dhe grupeve të ndryshme me qëllim të realizimit të interesave të ngushta individuale dhe grupore, dhe assesi si rezultat i pasimit të saktë të mësimeve të Muhammedit a.s. dhe të Kur‘anit, siç secili grup pretendon. Prandaj nisur nga fakti i lartpërmendur, të gjitha “ izmat” e krijuar dhe të shpikur pas vdekjes së Muhammedit a.s. janë risi – bidat dhe si të tillë edhe jo legjitim.

Nëse të gjithë besimtarët e besimit islam do t‘i përmbaheshin udhëzimit dhe shëmbëlltyrës së Muhammedit a.s. dhe Kur‘anit, pra jo ideologëve dhe ideologjive të krijuara më pastaj nga individë të caktuar, duke i pasuar ata dhe ato verbërisht deri në shenjtëri, atëherë sigurisht se “izmat” dhe ndarjet e tjera në mesin e myslimanëve nuk do të ekzistonin, kurse bota Islame do dukej ndryshe nga ajo që është sot.

“Izmat” në mesin e myslimanëve sipas historianëve dhe studiuesve janë krijuar dhe krijohen atëherë kur feja devijohet nga rruga e vërtetë e saj dhe kur ajo është përdorur dhe përdoret për qëllime afatshkurtra dhe interesa të ngushta individuale, grupore politike, provinciale, rajonale e më gjerë.

Ndjekja e udhëzimeve kura’nore dhe mësimeve të Muhamedit a.s. duhet të jetë synim i parë dhe parim i çdo myslimaneje dhe myslimani. Çdo mësim, këshillë, udhëzim apo ideologji e cila nuk përputhet me dy burimet e lartcekura, në kontekstin fetar nuk duhet zë vend në mesin e myslimanëve. Ky është shpëtimi i vetëm nga plasaritjet dhe ndarjet e mëtutjeshme të besimtarëve , pasues të të njëjtit Libër dhe të të njëjtit të Dërguar .

Manifestimi i ditëlindjes së Muhammedit a.s. dhe përkujtimi i jetës dhe veprës së tij, konsiderohet mësim rikujtues për të gjithë ithtarët e besimit islam, për një orientim sa më të drejtë fetar dhe për një kultivim sa më të madh të dashurisë dhe solidaritetit në mesin e vet besimtarëve në rend të parë si dhe gjithë qenies njerëzore pas dallim.

Allahu na bëftë pasues të denjë të mësimeve të Tij dhe të të dërguarit të Tij!

Prof.dr. Xhabir Hamiti
Prishtinë, 12.02.2012

 

(Breziiri)

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!

HAPSIRE REKLAMUESE