“Ata që të zotohen ty, në të vërtetë ata i zotohen All-llahut, se dora e All-llahut është mbi duart e tyre. E kush e thyen (zotimin), ai e thyen vetëm në dëm të vetin, e kush e zbaton atë që i është zotuar All-llahut, Ai do t’i japë atij shpërblim të madh.” (Kur’an, 48: 10)
Dijetari i shquar, Imam Taberiu, në komentimin e këtij ajeti, shkruan: “… E mendimi tjetër është se “fuqia e Allahut është mbi fuqitë e tyre kur është çështja te përkrahje e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., pasi që ia dhanë besën se do t’i ndihmojnë kundër armiqve të tij”.
Dijetari tjetër, Imam Kurtubiu, po ashtu, ka shënuar: “El-Kelbi ka thënë: Këto fjalë kanë këtë domethënie: Mirësia e Allahut ndaj tyre është më e madhe se veprimi i tyre kur e dhanë betimin (zotimin). Kurse ibn Kejsan ka thënë: Fuqia dhe ndihma e Allahut është mbi fuqinë dhe ndihmesën e tyre.”
Ibn Kethiri: “Ai, (pra Allahu) është me to, i dëgjon fjalët e tyre, e sheh vendin e tyre dhe di gjithçka që ata fshehin dhe shfaqin haptas.”
Ibn Atijje: “Pjesa dërmuese e komentatorëve thonë: Shprehja “dorë”, këtu ka kuptimin e mirësisë.”
Nje autoritet tjetër islam, mufessiri i njohur Ebu Hajjan, shkruan: “Pjesa më e madhe e komentatorëve thonë se “dora” këtu ka kuptimin e mirësisë, që donë të thotë se mirësia (apo bekimi) e Allahut në këtë betim, për shkak të dobive që do të dalin prej saj, është mbi duart e tyre, të cilat u shtrinë për të të dhënë ty besën. Gjithashtu, thuhet se me këtë mendohet në fuqinë e Allahut, e cila është mbi fuqinë e tyre për të të ndihmuar ty dhe ata. Allahu i Lartësuar është larg asaj për t’i përshkruar organ dhe veti trupore. Me këtë dëshirohet të pohohet se arritja e besëlidhjes me Pejgamberin s.a.v.s., është e njëjtë, pa kurrfarë dallimi, sikur të lidhësh besë me Allahun e Lartësuar, ashtu sikurse janë fjalët e Allahut: “Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur All-llahut, e kush e refuzon, Ne nuk të dërguam ty roje kundër tyre.” (En-Nisa, 80)
Po ashtu, në këtë kontekst është edhe fjala e Abdullah ibn Mes’udit, i cili thotë: “Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është jeta ime, e kam parë Pejgamberin a.s. se si i numëronte të hedhurit në gropën e tharë, pus në Bedr (bëhet fjalë për të vrarët nga ana e ushtrisë armike, M.A.).” (Buhariu, 240) Këtë, autoriteti i shquar i hadithit, Ibn Haxher El-Askalani, në komentarin e tij të Sahihut të Buhariut, thotë: “Me shprehjen “dorë”, në këtë rast, mendohet për fuqinë.” (Fet’hu-l-bari, 1/352).
Burimi: Ebuhanife.net, 24.01.2012
Përshtati: M. A.
(Breziiri)
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!
Selamu alejkum,
Fatih, mendoj se duhet te jete Taberiju ne vend te Taberanijut, ngase Taberiju eshte autor i Xhami el-Bejan. Ndersa Taberaniju eshte autor i tre Muaxhemeve…selam
Edhe ni shtojcë të vogël për lexuesit, që t’u tregohet se edhe selefët (“të parët tanë të mirë”) i kanë komentuar figurativisht ajetet:
Taberaniu përshkruan shpjegimin figurativ (te’vil) e shprehes “me duart” që do me thënë “me fuqi (bi kuve)” përmes pesë zinxhirëve të transmetimit deri tek Ibn Abbasi (vd. 68 h.), Muxhahidi (vd. 104 H), Katada ibn De‘ame [vd. 118 H], Mensur ibn Zed’han el-Thekafi [vd. 131H.] dhe Sufjan eth-Thevriut (vd. 161 H) [Xhami el-bejan, 27.7–8]