Paraqitja në skenë e shumë lëvizjeve dhe partive politike islame, në veçanti pas pranverës arabe, që nisi një vit më parë së pari në Tunizi, u përhap pastaj edhe në shumë vende të tjera arabe. Pyetja që shtrohet para shumë analistëve në botën arabe është se a mund të çojë ky trend i ri deri te bindja në idenë e ndërtimit të shtetit qytetar dhe në praktikumin e politikës duke respektuar normat demokratike ashtu siç është rasti me partitë e krishtera evropiane?
Kjo çështje u shtrua me rastin e vizitës së ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, Guido Westervele, në Tunizi, pas konstituimit të parlamentit të dalë nga zgjedhjet e para demokratike dhe formimit të qeverisë së re. Ai, me atë rast, përmendi sukseset që partitë islame arritën në zgjedhjet e sapombajtura në disa vende arabe, duke i sjellë në poste qeverisëse liderët e partive në fjalë.
Ministri gjerman, me atë rast, tërhoqi një paralele ndërmjet partive demokratike islame në botën arabe dhe partive demokristiane në Evropë, siç janë Partia Demokristiane (CDU) e Angela Merkelit dhe Partia Soial Demokristiane (CSU) në Gjermani. Ministri Westervele, me rastin vizitës së tij të parë zyrtare në Tunizi, pas revolucionit deklaroi: “Orientimi islam në mendimin politik nuk paraqet problem, ashtu siç nuk paraqet problem orientimi i krishterë në mendimin politik.
Me rëndësi është shpirti demokratik”.
Ministri Westervele i përket partisë Liberal Demokratike (FDP) të Gjermanisë, kurse në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në muajin tetor në Tunizi, partia islamike, “En-nahda” fitoi 41% të votave të përgjithshme të zgjedhësve. Kjo fitore mundësoi që kjo parti të jetë në krye të koalicionit qeveritar aktual në Tunizi.
Pas takimit që ministri Westervele pati me homologun e vet tunizian, Refik Abduselamin, i cili i takon partisë islamike “En-nahda”, e kishte ftuar të jenë të hapur ndaj forcave tjera politike, duke theksuar se është e drejtë e këtyre forcave politike që t’i pranojnë si partner në dialog. Për të shtuar se me kalimin kohës “partitë demokratike islame do të bëhen normalitet edhe këtu, ashtu siç janë në Evropë partitë demokristiane”.
Westervele e vlerësoi si tejet të gabueshëm mendimin e disa qarqeve evropiane se orientimi i islamit në politikë është “i papajtueshëm me demokracinë”.
Në anën tjetër, ministri tunizian i Punëve të Jashtme, Refik Abduselami, pohoi se partia e tij i respekton të gjitha të drejtat e njeriut. Kurse, duke u përgjigjur në rezervat e disa evropianëve lidhur me partinë e tij, ai pohoi: “Besoj se shqetësimet e tyre janë të padrejta”.
Vizita e ministrit gjerman Westervele në Tunizi, një vit pas fillimit të revolucionit, kishte për qëllim që nga afër të shohë përpjekjet që po bën ky vend në drejtim të vendosjes së themeleve të demokracisë. Fitoret e islamikëve në disa vende arabe po shkaktojnë shqetësim në disa qarqe evropiane, për shkak të afërsisë gjeografike të Evropës me vendet e Afrikës Veriore, si dhe për realitetin se islamikët tash janë bërë fuqi politike që po u prin këtyre vendeve.
Përparimin që Tunizia ka arritur në këtë aspekt, ministri gjerman e përshkroi si inkurajues, për të shtuar: “Nëse procesi demokratizimit vazhdon me ritme edhe më të shpejta, Tunizia mund të bëhet model i përparimit për tërë rajonin dhe më gjerë”. Kështu, Gjermania gjatë viteve 2012 dhe 2013 do ta ndihmojë Tunizinë me një shumë prej 32 milionë euro në ndërtimin e strukturave demokratike, duke investuar në projekte të demokratizimit, gjyqësi, trajnim të gazetarëve, përkrahje të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, publicistikë, etj.
Vizita e ministrit gjerman Westervele në Tunizi tregon për shkallën e interesimit të evropianëve për vendosjen e urave të bashkëpunimit me islamikët, si dhe interesimin e islamikëve për të përfituar nga përvoja e evropianëve në fusha siç janë të drejtat e njeriut, vlerat demokratike dhe parimi i ndarjes së pushteteve.
Ndihma ekonomike që Gjermania në këtë fazë do t’i japë Tunizisë është riprogramimi i një borxhi prej 60 milionë dollarësh të mëhershëm. Mirëpo, ministri gjerman potencoi se qeveria gjermane ka në plan t’i shtojë këto ndihma: “Gjermania ka në plan ta ndihmojë Tunizinë jo vetëm me këshilla dhe fjalë, por me vepra konkrete”. Për këtë, Westervele ftoi nikoqirët e tij tunizianë në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve. Vlen të theksohet se në Tunizi tash veprojnë mbi 280 kompani gjermane, gjë që e bën Gjermaninë partnerin e tretë tregtar të Tunizisë, pas Italisë dhe Francës.
P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!