Më 11 janar, në Egjipt, përfundoi raundi i tretë dhe i fundit i zgjedhjeve parlamentare, të cilat konsiderohen zgjedhjet e para të lira që po mbaheshin në gjashtëdhjetë vjetët e fundit në shtetin më të madh arab, edhe pse islamikët, të përfaqësuar në lëvizjen “Vëllezërit Myslimanë”, e formuar në vitin 1928 nga imam Hasan el-Benna, vazhdimisht në Egjipt kishin qenë partia më e popullarizuar, por ata asnjëherë nuk kishin ardhur në shprehje të vinin në pushtet. Andaj, kishte të drejtë këto ditë një analist egjiptian, i cili pohoi se e vetmja prognozë e saktë e ish-pushtetarëve arabë në bisedat e tyre me perëndimorët ishte ajo se pas largimit të tyre nga pushteti, në vend të tyre do të vijnë islamikët.
Sipas statistikave të fundit, partia “Liri dhe Drejtësi”, krahu politik i “Vëllezërve Myslimanë”, fitoi 237 vende në parlamentin e ardhshëm egjiptian, nga numri 498 i vendeve sa numëron parlamenti egjiptian, duke u radhitur në vendin e parë. Në vendin e dytë u radhit partia “Nur” selefiste, duke fituar 120 vende, në vendin e tretë erdhi partia “El-vafd” me 45 vende, kurse vendin e katërt e zuri Grupimi për Egjiptin me 40 vende.
Në kuadër të një vizite që ish-presidenti amerikan, Xhimi Karter, në emër të fondacionit të tij për vëzhgimin e zgjedhjeve në Egjipt ishte takuar me sekretarin e përgjithshëm të “Vëllezërve Myslimanë”, Muhamed Bedi dhe zëvendësin e tij, Hajret Esh-shatir, pasi që ishte takuar me kryetarin e partisë, Muhamed Mursi.
Zëdhënësi i lëvizjes së “Vëllezërve Myslimanë”, Mahmud Gazelan, pohoi se ish-presidenti amerikan u uroi “Vëllezërve” fitoren e madhe dhe se ai ishte bindur personalisht për dashurinë dhe respektin e madh që gëzojnë “Vëllezërit Myslimanë” tek populli egjiptian.
Sekretari i përgjithshëm i “Vëllezërve Myslimanë” përshëndeti ish-presidentin amerikan për vizitën e tij, duke shpresuar se të gjitha vendet, e në krye të tyre SHBA-të, do ta respektojnë vullnetin e popujve, do ta ndryshojnë politikën e tyre ndaj strukturave të zgjedhura nga vota e popullit, do të ndërpresin çfarëdo përkrahje të regjimeve diktatoriale si dhe nuk do të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të shteteve tjera.
Më 23 janar është paraparë inaugurimi i punës së parlamentit të ri demokratik të Egjiptit Janë duke u bërë kalkulimet e aleancave të mundshme, pasi që partia “Liri e Drejtësi” megjithëse ka fituar shumicën, nuk ka mundësi të formojë qeveri pa hyrë në koalicion me ndonjë forcë tjetër politike. Sipas të gjitha gjasave, kjo forcë politike mund të jetë partia liberale “El-vafd”, e cila fitoi 45 vende në parlamentin e ri egjiptian, aq sa edhe i nevojiten partisë “Liri e Drejtësi”, krahut politik të lëvizjes së “Vëllezërve Myslimanë”.
Krahas përgatitjeve për seancën e inaugurimit të parlamentit të ri, që po bëhen në selinë e “Vëllezërve Myslimanë” në qendër të Kajros, ishte me rëndësi vizita e ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, William Berns, që i bëri selisë së partisë “Liri dhe Drejtësi” ku u takua me një numër të konsiderueshëm të udhëheqësve të kësaj partie. Ky ishte edhe takimi i parë mes të dyja palëve.
Kjo vizitë ishte objekt komenti në mediet egjiptiane, për të cilën zëdhënësi i kësaj partie, Subhi Salih, përveç tjerash tha: “Vizita e William Bernsit në selinë e një partie që fitoi shumicën dërrmuese të votave është krejtësisht e natyrshme. Kjo është normale edhe për çdo shtet që dëshiron të zhvillojë marrëdhënie të mira me Egjiptin”.
Ai vazhdoi: “Kjo ishte një vizitë hulumtuese, që tregon për interesimin e Uashingtonit që të zhvillojë marrëdhënie të mira me Egjiptin, edhe pse populli i tij zgjodhi që shumica e deputetëve të jenë nga lëvizja e ‘Vëllezërve Myslimanë’”.
Kështu, pra, zgjedhjet e fundit në Egjipt e kthyen lëvizjen e “Vëllezërve Myslimanë” nga një “grupim i ndaluar” në kohën e regjimit të ish-presidentit Mubarak, në njërën ndër forcat më të fuqishme politike brenda spektrit politik egjiptian. Andaj, me gjithë shqetësimet e SHBA-ve lidhur me qëndrimet e “Vëllezërve Myslimanë” rreth çështjes së gruas, koptëve dhe Izraelit, administrata e saj filloi bisedimet me ta, që nga rënia e regjimit të Mubarakut në muajin shkurt të vitit të kaluar.
P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!
Kuku edhe partia “Nur Selefiste” koka ne opozite a?
Ju adminat e BreziiRi , a ja niset me qajt kur e murret vesh kete lajm?