Dëshmia e rrejshme – mëkat i madh, vepër penale dhe sëmundje patologjike

Transmetohet nga Ebu Hurejreja (r.a.) se Pejgamberi [s.a.v.s] në një rast derisa ishte në mesin e shokëve të tij kishte thënë: “A dëshironi që t’ju informoj për mëkatet më të mëdha? I thamë: Po, si jo, o i Dërguar i Allahut! Ai tha: Shirku (t’i përshkruash Allahut shok-ortak), mos respektimi i prindërve, pastaj sikur ishte mbështetur u drejtua dhe tha: Veni re: fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme, fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme, fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme, vazhdimisht e përsëriste derisa menduam se nuk do të hesht.” [1]

Shpjegim i hadithit

Nëse hadithin e kundrojmë nga këndvështrimi analitik, qartë nënkuptojmë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bisedon për çështje jetike dhe bazike islame që janë vitale për jetën e individit dhe shoqërinë islame në përgjithësi. Këtë e vërteton edhe vet mënyra sesi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua të pranishmëve në formën e pyetjes, jo nga fakti se ai nuk e dinte se as’habët ishin apo nuk ishin të interesuar që të njihen dhe të dinë mëkatet e mëdha, porse përmes kësaj forme tërhiqte vëmendjen e shokëve të tij për t’i dekoncentruar nga çështjet e tjera dhe për tu koncentruar në vlerën dhe rëndësinë e asaj që do ta thotë në vazhdim, sepse do të flasë për çështje madhore për të cilat njeriu do të bartë përgjegjësi jo vetëm në jetën e kësaj bote, por edhe në jetën e botës tjetër (Ahiret). Andaj i dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte filluar me mëkatin me të madh në Islam që është shirku (të përshkruarit shok Allahut xh.sh. në sundim), mëkat ky për të cilin Allahu xh.sh. thotë:

Eshtë e vërtetë se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat i falë atij që dëshiron. Ai që i përshkruan shok All-llahut, ai ka humbur dhe bërë një largim të madh (prej të vërtetës). [2]

Kjo është edhe arsyeja që Pejgamberi s.a.v.s. hadithin e ka filluar me Shirkun, sepse kjo është kryevepra e mëkateve dhe pas këtij mëkati nuk ka përgjegjësi për çështje të tjera.

Pastaj, Pejgamberi s.a.v.s., në këtë hadith, e radhit mosrespektimin e prindërve si një nga mëkatet e mëdha. Pra i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na mëson se mosnjohja e Krijuesit tënd të vetëm dhe të vërtetë, duke i përshkruar Atij ortak në krijim dhe sundim, konsiderohet mëkat prej mëkateve më të mëdha. Gjithashtu konsiderohet mëkat i madh edhe mos respektimi i prindërve që janë shkaktarë për krijimin dhe gjetjen tënde në këtë botë. Shkëputja e këtyre dy linjave, pra shkëputja e lidhjes me Allahun Një, që është Krijuesi i vërtetë i njeriut, dhe shkëputja e lidhjeve me prindërit, që janë shkaktarë për krijimin njeriut, e shndërron njeriun në një krijesë të pa kuptimtë, që nuk di qëllimin e krijimit të tij, që nuk di ku e ka fillimin e as mbarimin dhe si i tillë nënvlerëson veten si krijesa më e ulët dhe më e dobët në Univers.

Andaj, jo rastësisht Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik thotë:  “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).[3]

Në komentimin e këtij ajeti Ibni Abasi r.a. thotë se adhurimi ndaj Allahut xh.sh. dhe mirësia ndaj prindërve janë dy çështje të lidhura mes veti dhe nuk ndahen asnjëherë, sepse nëse ndahen janë të pa vlefshme.

Ajo që, po ashtu, na e tërheq vëmendjen është se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në hadith, menjëherë pas theksimit të këtyre dy mëkateve të mëdha, përqendrohet në një mëkat tjetër që është i dëmshëm, jo vetëm për individin por edhe për shoqërinë njerëzore në përgjithësi dhe shoqërinë islame në veçanti, e që është fjala – dëshmia e rrejshme. Nga transmetuesi vërejmë se Pejgamberi a.s. kur i theksoi dy mëkatet e para ishte i mbështetur, e kur arriti te mëkati i tretë u drejtua dhe me theks dhe ton të veçantë disa herë përmendi: fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme, saqë as’habët që ishin prezent menduan se nuk do të ndalet së përmenduri këtë fjali. Ky gjest i Pejgamberit s.a.v.s. nuk nënkupton se fjala dhe dëshmia e rrejshme janë mëkate më të mëdha se sa dy të parët, por jep të kuptosh se faktorët nxitës për fjalën dhe dëshminë e rrejshme janë më të shumtë në jetën e përditshme, andaj njeriu gjithnjë duhet pasur parasysh këtë sfidë të jetës.

Me radhitjen e këtyre tre mëkateve të mëdha që i përmend hadithi në fjalë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka shpjeguar për besimtarët islam se fillimisht njeriu duhet të njohë dhe falënderojë Krijuesin e tij, Allahun një dhe të pa shok, pastaj të respektojë prindërit e tij, të cilët janë shkaktar të gjetjes së tij, dhe më pas të respektojë edhe shoqërinë njerëzore duke qenë i sinqertë dhe duke folur vetëm të vërtetën, sepse plasimi i fjalëve të pavërteta apo dëshmive të rrejshme njeriu dëmton rëndë jo vetëm veten por edhe shoqërinë njerëzore.

 

Fjala dhe dëshmia e rrejshme

Shohim se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. në hadith fillimisht përmend fjalën e rrejshme e pastaj dëshminë e rrejshme. Urtësia e kësaj radhitje qëndron në faktin se fjala e rrejshme përfshinë çdo fjalë të pa vërtetë, çdo gënjeshtër apo fjalë të kotë që njeriu mund ta përdorë për të realizuar interesin e tij, pavarësisht se cilës sferë i takon, kurse dëshmia e rrejshme sipas fukahave është dëshmia e rrejshme e cila jepet në gjykatë për të arritur deri te interesi qoftë pasuri apo diç tjetër. Pra me fjalën e rrejshme njeriu mund të ballafaqohet çdo ditë, kurse me dëshminë e rrejshme janë raste më të rralla që zbatohen në procedurën gjyqësore apo thënë më mirë institucionale, andaj i Dërguari fillimisht e thekson fjalën e rrejshme sepse ajo është më e shpeshtë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpeshherë praktikonte që ndonjë çështje të veçantë ta përsëriste disa herë, dhe atë për shkak të peshës dhe rëndësisë së veçantë që kishte, që të na e tërheq vërejtjen dhe që ajo fjalë të ngulitej thellë në mendjen dhe zemrat e njerëzve, andaj e kësaj natyre ishte edhe përsëritja e njëpasnjëshme e fjalës dhe dëshmisë së rrejshme në këtë rast. Për rrezikun që përmban fjala dhe dëshmia e rrejshme në vete për individin dhe shoqërinë, Allahu xh.sh. në Kur’anin Fisnik ka thënë: “Pra largohu nga ndyrësia e idhujve dhe largojuni fjalës shpifëse duke qenë të sinqertë në besimin ndaj Allahut dhe duke mos i bërë shok Atij”.[4] Kurse në ajetin tjetër thuhet: (Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.”[5]

Ajetet në fjalë na e bëjnë të qartë se fjalët e rrejshme dhe të pa vërteta nuk janë cilësi të besimtarit të sinqertë, i cili qëndron besnik besimit të tij dhe urdhrave të  tjera të përgjithshëme islame. Andaj besimtari i vërtetë nuk flet gënjeshtra dhe fjalë të paqena. Vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thoshte: “O Allah kërkoj mbrojtje tek Ti që të mos flas fjalë të rrejshme, të mos ngrysem si i pandershëm dhe të mos jem mendjemadh!”

Njeriu i cili nuk largohet prej fjalës dhe dëshmisë së kotë, i venë në pikëpyetje edhe adhurimet e tija për shkak të defektit që ka në besimin e tij, andaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thoshte se nuk ka shpërblim agjëruesi i cili gjendet në këto mëkate duke thënë: “Kush nuk e lë fjalën e kotë dhe të punuarit sipas saj dhe injorancën, Allahu nuk ka nevojë që ai të lë hajen dhe pijen.[6]


Fjala dhe dëshmia e rrejshme, veprim penal

Edhe pse hadithi dhe ajetet në fjalë përmendin fjalën dhe dëshminë e rrejshme, në këtë veprim përfshihen edhe falsifikimi i dokumentacioneve dhe prezantimi i tyre i rrejshëm në opinion si të vërteta. Këto veprime gjithmonë bëhen në interes të individit dhe në dëm të shoqërisë në përgjithësi, dhe si të tilla konsiderohen veprime penale.

Pra, fjala dhe dëshmia e rrejshme si dhe prezantimi i rrejshëm në shoqëri, përveç faktit se në aspektin fetar (dijaneten) konsiderohen mëkate të mëdha, në aspektin juridik islam (kadaen), duke u mbështetur në burimet e legjislacionit dhe parimet e përgjithshme islame, konsiderohet veprim penal, që sanksioni i kësaj vepre është diskrecional, që nënkupton se shqiptimi i sanksionit varet varësisht nga natyra e veprës, rrethanat dhe pasojat e saja në shoqërinë islame. Nga kjo nënkuptohet se ndaj këtyre veprimeve, nuk mund e as nuk guxon të heshtë dhe të jetë indiferent shoqëria islame dhe institucionet e saja, sepse në të kundërtën bëhen pjesë e kësaj përgjegjësie. Të luftuarit e së keqes, nuk është detyrim individual i ndonjë personi të caktuar, porse është detyrim kolektiv i shoqërisë islame, që nënkupton se nëse që të gjithë heshtin ndaj këtyre fenomeneve, përgjegjësia do të jetë e shpërndarë mes tyre.

Prej fenomeneve shumë të shpeshta në shoqërinë tonë, e ndoshta janë bërë edhe pjesë e jetës sonë, është edhe fenomeni i dëshmisë dhe prezantimit të rrejshëm në opinion i individëve të cilët për interese individuale karrieriste etj., prezantojnë në opinion dëshmi të falsifikuara që të arrijnë qëllimin e tyre individual, siç janë falsifikimi i dokumentacioneve dhe diplomave të ndryshme për të zënë një post në shoqëri. Shpeshherë hasim që në shoqërinë tonë të kemi edhe drejtues të institucioneve, jo vetëm edukativo-arsimore, por edhe funksionarë të lartë me përgjegjësi të mëdha, që para opinionit paraqiten si dijetarë dhe patriotë të mëdhenj, e në realitet ata bartin dëshmi – diploma të rrejshme para tij. Edhe më e keqja është se një numër të madh të tyre i dimë dhe i njohim por nuk guxojmë t’ua përmendim emrin.

Tani nuk dua të komentoj më shumë për këtë defekt në shoqërinë tonë, ku ata me diploma të rregullta bredhin rrugëve, kurse ata me dëshmi – diploma të falsifikuara kënaqen korridoreve dhe zyrave të institucioneve të ndryshme.

Për në fund po e përfundoj me thënien e Pejgamberit a.s. ku ka thënë : “Nëse dikujt që nuk është i aftë i besohet një çështje, atëherë prit çrregullime”. Atëherë, cili do të jetë përfundimi i operacionit të një mjeku me diplomë të falsifikuar, apo cili është rezultati i një juristi apo ekonomisti me një diplomë false, ose të themi cili është rezultati i një përgjigjeje që e merr nga një hoxhë apo myfti me diplomë të falsifikuar, që fatkeqësisht prej tyre ka mjaft.

Një proverb turk thotë: “Hoxha gjysmak ta prish fenë”, e unë në kontekst të kësaj po them, mjeku gjysmak ta prishë shëndetin, mësuesi gjysmak e prish shkencën-diturinë, juristi gjysmak e prishë sistemin e kështu me radhë…

Autor: Jusuf Zimeri

_________________________
[1] Buhariu dhe Muslimi kurse Termidhiu të njëjtin hadith e transmeton nga Ebu Bekrete.

[2] Suretu En-Nisa : 116

[3] Suretu El Isra : 23.

[4] Suretu el Haxh 30-31.

[5] Suretu el Furkan : 72.

[6] Buhariu.

 

(Breziiri)

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!