Ushtria Siriane e Lirë e cila mbështet protestat në Siri, ka deklaruar se ka marrë peng disa elementë të gardës revolucionare të Iranit në qytetin Homs. Sipas tyre, kjo ka ndodhur gjatë një operacioni për lirimin e disa të burgosurve të arrestuar gjatë protestave.
Kapiteni Ahmed Shahin ka deklaruar se një njësi ushtarake arriti të lirojë me sukses një grup të arrestuarish civilë, nga kthetrat e aparatit të sigurimit sirian. Sipas tij, të liruarit kanë vënë theksin në praninë e forcave iraniane dhe të atyre të Hizbullahit në kazermat ushtarake siriane. Ata kanë pohuar se këta elementë të infiltruar nga Irani, ushtrojnë torturat më çnjerëzore ndaj të arrestuarve, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet.
Në të njëjtin kontekst, koordinatori i revolucionit sirian Muhamed El-vevari është shprehur se forca ushtarake nga garda revolucionare iraniane, ruajnë vendet e shenjta shiite. Sipas tij, forcat e armatosura siriane, kanë rrethuar kazermat ku ndodhen elementët e gardës revolucionare iraniane dhe të Hizbullahit, me qëllim që të mos zbulohet prezenca e tyre në vend.
(AO)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!