Kosovë

Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, ringjallen në bronz

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që më 28 nëntor, në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, të ngrejë shtatore për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, para ndërtesës së qeverisë, te ish-“Rilindja”.

Këtë premtim zëvendësshefi i Qeveris e bëri të mërkurën në Akademinë përkujtimore organizuar me rastin e 30-vjetorit të rënies së veprimtarëve të çështjes kombëtare Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Kjo akademi u organizua nën patronazhin e kryeministrit Hashim Thaçi dhe u mbajt në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Sipas Kuçit, veprimtaria e tyre për lëvizje kombëtare është bërë frymëzim për të vazhduar luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla ishin në krye të një projekti të rëndësishëm që kishte për qëllim avancimin më të lartë të interesave kombëtare në dy drejtime. E para në shtrirjen dhe forcimin e organizimit politik brenda Kosovës dhe jashtë saj, si dhe e dyta me ndërkombëtarizimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës në qarqe diplomatike perëndimore. Ata ishin tri profile të ndryshme, por me një qëllim të përbashkët. Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi janë trinom që shënon idenë e bashkimit politik të forcave të organizuara pas demonstratave të vitit 1981”, ka thënë Kuçi.

Nga ana tjetër, bashkëveprimtari i vëllezërve Gervalla dhe Kadri Zekës, Hydajet Hyseni, tha se 30-vjetori i rënies së tyre e gjen Kosovën shumë më lart dhe shumë afër realizimit të idealeve të tyre.

“Është e pavdekshme vepra e heronjve të janarit, të cilët po i nderojmë sot. Me veprën e tyre dhe rënien e tyre heroike ndezën dhe përjetësuan flakën e lirisë. Ata e ngjallën Lëvizjen Çlirimtare nga shkrumbi sikur një feniks. Ata e afirmuan dhe popullarizuan në Evropë çështjen e pazgjidhur shqiptare, ata janë prijatarë të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe aspiratës së saj për liri, demokraci”, ka thënë Hyseni.

Vajza e Jusuf Gërvallës, Donika, njoftoi në këtë Akademi përkujtimore, se në Gjermani ka filluar një iniciativë, që kërkon nga Qeveria gjermane kthimin e dekoratave të dhëna Josip Broz Titos në kohën kur ai ishte kryetar i Jugosllavisë.

Edhe përfaqësuesi i familjes Zeka, Zenun Pajaziti, tha se është privilegj të jesh pjesë e këtyre familjeve.

“Është privilegj që për çdo vit dhe çdo herë të përçosh mesazhin e fortë të luftës për liri, mesazhin e fortë të bashkimit të njerëzve për liri, mesazhin e fortë për ndërtimin e shtetit dhe prapë vazhdon të jetë privilegj për të gjithë ne që frymëzimin që na sjellin emrat e tyre që të punojmë më shumë për ta ndërtuar shtetin dhe për t’i afirmuar vlerat më të mira të kombit tonë”, tha Pajaziti.

Ndryshe, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, ishin në krye të një projekti të rëndësishëm, që kishte për qëllim avancimin e interesave kombëtare. Amaneti dhe vepra e tyre vazhdoi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Ndërkohë, në përvjetorin e rënies heroike të Jusuf e Bardhosh Gërvallës e të Kadri Zekës, edhe në Gjilan është mbajtur akademia përkujtimore, në të cilën me pietet është kujtuar vepra e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, që ranë duke vepruar për çështjen kombëtare.

(Zeri)

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!