Revelata Hyjnore mbi çështjen e njeriut dhe të ardhmën e tij (pj. II)

(Pjesa e dytë)


- h).
Ngjarjet e ditës së gjykimit janë të shumta dhe të tmerrshme. Rreth një e treta e Kur’anit i përshkruan ato dhe shpjegon rëndësinë e tyre. Nga më të rëndësishmet ngjarje janë:

- Dhënja llogari: Është e sigurt që Allahu xh.sh. do kërkojë llogari prej të gjithë njerëzve përnjëherë. Dhënja llogari është e bazuar në drejtësi të plotë, kështu që askush nuk do dëshmojë për ndonjë ngarkesë apo mëkat të tjetrit. Secili do të jet bartës vetëm i rezultateve të punës së tij dhe të askujt tjetër. Origjina për këtë janë fjalët e Allahut xh.sh.: “Secilit njeri ia kemi ngjeshur në qafë fluturaken (atë që vepruan) e tij, e ditën e gjykimit, ne do t’ia shfaqim atij libër të hapur”, (el Isra:13).

D.m.th, nuk do t’i ngarkohet asnjë njeriu fatkeqësia e tjetrit, pasi ajo ka zanafillën dhe pronarin e saj. E vetëm ai do mbartë rezultatet dhe efektet. Lidhur me këtë Allahu xh.sh. thotë: “Dhe asnjë mëkatar nuk do të bartë mëkatin e tjetrit, po edhe nëse të ngarkuarit me mëkate thërrasin që t’u barten, ajo asgjë nuk do t’i bartet atij, edhe nëse (ai që thirret) është i afërt i tij”, (Fatir:18).

Dhe gjithashtu: “Sot secili njeri shpërblehet me atë që ka vepruar. Sot nuk ka padrejtësi, Allahu llogarit shpejt”, (Gafir:17).

- Peshorja: Bazat e kësaj janë fjalët e Allahut: “Ditën e gjykimit do të vëmë peshoja të drejta, e askujt asgjë nuk i bëhet e padrejtë, edhe nëse ajo (vepra) është sa peshoja e një kokrre të melit, atë do ta sjellim. Mjafton që Ne jemi llogaritës”, (el Enbija:47).

Dhe nuk e di askush karakteristikën dhe madhësinë e kësaj peshoreje, pos Allahut xh.sh. E kështu do vendosen në të, të mirat e të këqiat tashmë të materializuara dhe cilësuara me peshërëndesën përkatëse.

- Shtegu (Ura): Një nga argumentet që na njeh me këtë është ajo që Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Po të donim, Ne do t’ua verbonim sytë e tyre, e ata do ta mësynin rrugën, po si do të shihnin?”, (Jasinë:66).

I Dërguari i Allahut xh.sh. gjithashtu thotë: “Pastaj sillet ura që është varur mbi gryken e xhehenemit”.

Kështu, njerëzit që të gjithë do të paraqiten-rreshtohen mbi këtë urë dhe detyrohen për ecje-marshim mbi të. Dhe prej tyre disa të cilëve u zgjerohet ura nën këmbë në ecje e sipër, dhe iu jepet fuqi e madhe në shpejtësinë dhe kalimin mbi të. Ka të tjerë, të cilëve iu ngushtohet rruga para syve dhe poshtë këmbëve të tyre, aq sa do të bëhet më e hollë se fija e flokut sikurse i Dërguari tregon (në bazë të një hadithi të vërtetë) se shumë prej tyre bien nga e majta ose e djathta, kurse të tjerët ia dalin mbanë të arrijnë në xhenet.

- i. Si përfundim, një prej dyve është fati i njeriut: ose lumturi e përhershme e trupit dhe shpirtit, që Allahu xh.sh. e përshkruan kur thotë: “Atyre u shërbejnë me enë e gastare nga ari, aty do të kenë ç’u dëshiron shpirti dhe ç’u kënaqet syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë”, (ez Zuhruf:71).

Ose një botë me tortura dhe dhimbje të mëdha të trupit dhe shpirtit që Allahu e përshkruan: “E të majtit, ç’është puna e të majtëve? Janë në vapë të zjarrit e në ujë të valë. Dhe në errësirë nga tymi. As e freskët e as e këndshme”, (el Vakia:41-44).

- j. Afrimi i ditës së gjykimit ka shumëlloj shenjash dhe paraqitjesh. Ndër më të rëndësishmet është zbritja e Isas a.s. i cili nuk është vrarë dhe as që ka vdekur. Kjo në përputhshmëri me atë që vërteton sqarimi Hyjnor në Kur’an më shumë se një herë. Allahu xh.sh. atë e ngriti prej atyre që u përpoqën ta vrasin.

Pastaj Ai bëri njërin prej tyre shembëlltyrë ekzakte të Isaut. I Lartmadhërishmi bëri zbritjen dhe shfaqjen e Isaut a.s. shenjë nga shenjat e afrimit të momentit, sikurse e bëri shfaqjen e tij përforcim të njësisë së fesë dhe njësisë së Allahut xh.sh. ai do të gjykojë me Kur’an dhe sunnetin e Muhamedit a.s. dhe atëbotë të gjitha sektet do të grumbullohen në të vërtetën. [2]

Pastaj atë e vdes Allahu në përshtatje me vendimin e tij të padiskutueshëm: “Ti do të vdesish, e edhe ata do të vdesin”, (ez Zumer:30).

Feja e vërtetë që Allahu ua ka detyruar robërve të tij, përbëhet nga imani-besimi, islami-dorëzimi me përulje dhe ihlasi-mirëdashja.

Besimi ka thelb arsyen në sigurinë shpirtërore. Ai është i përfaqësuar nga bindja në Allahun xh.sh., në engjujt e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në botën e ardhshme dhe në Kaderin- qoftë i mirë ose jo.

Ndërsa pozita dhe të manifestuarit e islamit është pjesa e jashtme e qenies njerëzore, që përfaqësohet me të deklaruarit e dëshmisë se ska Zot tjetër pos Allahut xh.sh. dhe se Muhamedi a.s. është i dërguari i Tij, të zbatuarit dhe të dorëzuarit vendosshmërisht në faljen e namazit, dhënjen e zekatit, agjërimin në muajin e ramazanit si dhe vajtjen në haxh (nëse është brenda mundësive materiale dhe fizike të njeriut).

Islami i posedon ndikimet e veta në mënyrë të pavarur dhe të shkëputur nga besimi, por kjo vetëm në jetën e kësaj bote.

Kështu që, çdo musliman trajtohet si musliman dhe besimtar në këtë botë pa ndonjë ndarje mes tij dhe të tjerve. Ndërkohë që edhe islami edhe besimi janë korrelative të bashkëlidhur kur bëhet fjalë për llogarinë që Allahu xh.sh. do t’ia bëjë robërve të Tij ditën e gjykimit. Domethënë, në ditën e gjykimit asnjë musliman pa besim në zemër nuk do të shpëtojë siç s’do të shpëtojë asnjë besimtar nëse nuk i është nënshtruar konditave të islamit, ose nëse ai nuk e ka deklaruar dëshminë e islamit nga kryeneqësia dhe mendjemadhësia. Ama nëse mosshprehja e nënshtrimit të tij ka ndodhur nga frika e diçkaje që e ka kërcënuar atë, apo për ndonjë arsye tjetër që nuk ka të bëjë me kryeneqësinë dhe mendjemadhësinë, atëherë ai nuk përjashtohet nga besimtarët musliman dhe Allahu xh.sh. ia fal atij këtë, ngaqë zemra e tij ka qenë e mbushur me besim.

Ihsani sipas asaj që i Dërguari a.s. tha për të është: “Të adhuruarit e Allahut, si të ishte duke e parë Atë, se edhe pse ti nuk e sheh, të sheh Ai ty”. [3]

Nuk ka dyshim se kjo gjendje është një shkallë e ngritjes së njeriut mbi bazat e besimit dhe islamit. Në këtë rast bindja e tij mendore i kapërcen ndjenjat dhe përhapet kudo në katrorin e shpirtit të tij. Pastaj ndeshet me komponentët e universit dhe të shikuarit e tij në ta që më parë e privonte në të krijuarit e Allahut të Lartësuar, tash i bëhet përkujtues i Tij. E kështu, ai nuk vëren tjetër gjë nga paraqitjet e llojllojshme të krijesave të ndryshme, pos asaj që manifeston cilësitë e Allahut të Lartësuar dhe argumentet e njësisë së Tij.

Pastaj kur ky njeri fillon lutjet e tij, as konceptet e jetes reale as edhe shfaqjet e çfarëdolloj krijese, si as mundnin të krijonin perde mes tij dhe Allahut xh.sh., sepse këto nuk i shtojnë tjetër pos përkujtimit të Allahut xh.sh. vëmendjen ndaj cilësive dhe Hyjnisë së Tij. Prandaj ai ka mundësi të adhurojë Allahun si të ishte duke e parë Atë.

Mënyra e arritjes në këtë shkallë është të pastruarit e shpirtit duke përkujtuar vazhdimisht Allahun xh.sh., duke iu frikësuar Atij dhe duke e luftuar epshin për t’u liruar nga tekat e tij, e duke e pastruar atë për të mos u lidhur pas kësaj jete. Kjo sjellje është e rekomandueshme dhe e shpërblyer për aq kohë sa mjetet e realizimit të saj janë në pajtim me të caktuarat nga ligjet e fesë.

Është e rëndësishme të dimë se besimi nuk arrinë, nuk plotëson as mirëmbajtjen, as mbrojtjen përveçse me një imunitet të ihsanit.

Njeriu që injoron përpjekjet për të arritur këtë gradë, nuk ka besim në besimin e tij mendor me të cilin mund t’i kundërvihet joshjes nga epshet, tekat dhe zhytjeve në dëfrime e harresa.

- vijon -

Shkruan: Prof. Dr. Muhamed S.R. EL-BUTI
Përktheu nga arabishtja: H. Afrim ef. Tahiri
(Shkëputur nga libri: “Hyrje në të kuptuarit e esencës – Kush jam?, Përse?, dhe, Për ku?”)

__________________________________________________

[2] – Shfaqja e tij nuk kundërshton atë se Muhamedi a.s. është i Dërguari i fundit, meqë shpallja për të do të jet ndërprerë, andaj paraqitja e tij nuk do të jet si i dërguar por si njeri i zakonshëm.
[3] – Transmetoi Muslimi dhe Tirmidhiu në librin el Iman, Ebi Davudi në librin es Sunne dhe En Nesaiu në librin el Iman.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!