Në qytetin e lindjes, Luivil në shtetin federal Kentaki, Ali feston këtë të martë 70 vjetorin e tij. Fansat dhe ekspertët janë të një mendimi: Ali nuk e ka thënë më kot, ai ka qenë boksieri më i madh i të gjitha kohërave.
Shumë janë përpjekur ta kopjojnë stilin e tij në boks. Asnjë kampion bote në peshën e rëndë nuk lëvizte kaq elegant në ring si Muhammad Ali.
“Hë, më kap, unë po vallëzoj, mundohu të më ndjekësh! Ai nuk i godiste kundërshtarët e tij, ai i përçmonte ata – para ndeshjes, në ring dhe më pas.
“Ali lufton kundër Green-it, Ali ka shpejtësi, ka rezistencë – po qe se del në ring kundër tij, duhet të rrisësh shumën e sigurimit.”
Cassius Clay kthehet në Muhammad Ali
Batuta të tilla, si kjo i dhanë Alisë namin e një gjuhëgjati arrogant. Dhe Muhammad Ali mund t’ia lejonte vetes një luks të tillë, në fund të fund në ring për nga aftësitë atij nuk i afrohej askush. Me 18 vjeç Ali doli fitues në Lojërat Olimpike, me 22 vjeç u bë kampion bote.
Sapo mori titullin, boksieri përqafoi islamin, la emrin e deriatëhershëm Cassius Clay dhe u bë Muhammad Ali. I famshi Ali doli hapur kundër luftës në Vietnam, dhe refuzoi shërbimin ushtarak. Ky vendim i kushtoi atij titullin e kampionit të botës, dhe dënimin me kusht për dy vjet. “Nuk ka rëndësi se cili është dënimi apo akuza, unë i mbetem benik besimit tim. Edhe po të qëlloni me kallashnikovë, i mbetem besnik islamit. Jam gati të jap jetën për të.” Kështu u shpreh Ali asokohe.
Muhammad Ali distancohet nga terrorizmi
Tre vjet duhej të kalonin që të merrte fund pushimi i detyruar. Pastaj Ali u kthye në ring. Disa nga ndeshjet e tij hynë në histori. Humbja kundër Joe Frazierit në vitin 1971 në Madison Square Garden në Nju-Jork; fitorja K.O. ndaj George Foremanit në Kinshasë në vitin 1974; suksesi kundër Frazierit në vitin 1975 në “Thrilla im Manila”. Dy herë Ali theu rregullën e pashkruar në botën e boksit, që kampionë të shfronësuar nuk mund ta marrin më titullin e kampionit.
Më rreth 40 vjeç, Muhammad Ali u tërhoq nga boksi. Pak më vonë ai bëri të ditur se vuan nga sëmundja e Parkinsonit. Kur Ali ndezi në vitin 1996 me dorë të dridhur pishtarin e Lojërave Olimpike në Atlanta, shumë njerëz u prekën thellë. Deri më sot ai nuk ka hequr dorë nga pozicionimi publik ndaj temave të ndryshme politike. Kështu pas ngjarjeve të 11. Shtatorit Muhammad Ali u distancua me vendosmëri nga terrorizmi islamik. “Vrasja nuk është metoda e duhur për të përhapur islamin” u shpreh ai.
(DW)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!