Pranvera arabe dhe marrëdhëniet fe-shtet

Shkruan: Qemajl Morina

Pranvera arabe dhe marrëdhëniet fe-shtet

Pranvera arabe e ringjalli rolin e lëvizjeve fetare në politikën arabe. Kështu, në Tunizi, në zgjedhjet e para të lira dhe demokratike parlamentare, fitoi partia “En-nehda”, duke fituar mbi 40% të votave të Asamblesë Kombëtare, e cila do të hartojë kushtetutën e re të vendit.

Në Egjipt, në dy raundet e para zgjedhore, krahu politik i “Vëllezërve Myslimanë”, partia “Liri dhe Drejtësi”, fitoi numrin më të madh të votave, duke i dhënë shans kësaj partie që të fitojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Egjipt. Po ashtu, rryma selefiste në Egjipt, e cila në të kaluarën qëndronte larg rrjedhave politike, duke refuzuar hyrjen në politikë si një parim të saj, duke bashkëjetuar me sistemin politik për një periudhë të gjatë kohore, tash ka hyrë në politikë nëpërmes partisë “En-nur”, duke u radhitur si partia e dytë më e votuar pas asaj të “Vëllezërve Myslimanë”. Por, edhe grupimi i “Xhemaati Islamik”, i cili kishte qëndrim refuzues ndaj politikës, mohonte sistemet ekzistuese, përdorte dhunën si metodë për arritjen qëllimeve të tij, edhe këta hynë në arenën politike duke formuar partinë e tyre politike.

Sfida më e madhe me të cilën ballafaqohet kjo rrymë politike me vizionet e saja të ndryshme, ka të bëjë me gatishmërinë e respektimit të qytetarisë së shtetit dhe natyrës demokratike të tij, që është i sendërtuar në principin e qytetarisë dhe në vullnetin e popullit e jo në besimin fetar. Në ndërkohë, “Vëllezërit Myslimanë” janë më afër mbështetjes së shtetit qytetar dhe ata janë duke bërë përgatitjet e fundit në këtë drejtim, si duket selefistët dhe xhihadistët janë larg kësaj ideje.

Në anën e kundërt të kësaj rryme kemi përfaqësimin e forcave përparimtare, liberale, majtiste dhe nacionaliste, të cilat thërrasin në qytetarinë e shtetit, duke u mbështetur në parimin e kushtetutës, e cila simbolizon qytetarinë e shtetit, ku mbrohet principi i qytetarisë si dhe rendi shtetëror në të ardhmen.

Cilatdo qofshin rrymat që do të vendosin pushtetin e tyre në vendet e përfshira nga revolucionet arabe në një të ardhme të afërt, apo të largët, shumë analistë arabë i ndajnë ato në tre skenarë:

Skenari i parë, që është më i keqi dhe ka më pak gjasa të ndodhë, është të mbizotërojë botëkuptimi i shtetit fetar, prapa të cilit qëndrojnë rryma selefiste dhe xhihadiste. Këto dy rryma e kuptojnë të vërtetën e gjithëpërfshirjes së islamit në aspektin tekstual, kurse në aspektin politik kanë një shpjegim ekstrem.

Skenari i dytë është shumë më i gjerë se i pari, që përfaqësohet nga rryma liberale, e cila thërret në formimin e shtetit qytetar. Kjo rrymë nuk mohon të vërtetën e principit “gjithëpërfshirës të islamit” rreth së cilës pajtohen të gjithë myslimanët.

Skenari i tretë, shanset e të cilit për të ardhur në pushtet janë më të mëdha, përfaqësohet me fitoren e “Vëllezërve Myslimanë” me shumicë në parlament, edhe nëse ata nuk mund të fitojnë shumicën dërrmuese që të jenë në gjendje të formojnë qeverinë vetëm. Me këtë rast, roli i tyre do të jetë vendimtar në përcaktimin e së ardhmes së sistemit egjiptian.

Sepse ai do të jetë subjekti politik prej të cilit do të varet animi i tyre nga e djathta, duke shkuar në koalicion me selefistët apo xhihadistët, do të thotë formimi i një qeverie konservatore teokratike. Në rast se ata shkojnë në koalicion me majtistët, siç janë forcat shekullare, liberale e nacionaliste, të cilat priten të fitojnë afër 40% të ulëseve të parlamentit. Me këtë, Egjipti do të cilësohej se ka zgjedhur një parlament të moderuar dhe liberal, dhe me këtë ai mund të radhitej në mesin e shteteve qytetare.

Për shkak të vështirësive në realizimin e skenarit të parë dhe të dytë, atëherë mund të ndodhë skenari i tretë, që Egjipti të bashkëjetojë një cikël të plotë parlamentar në ritmin e marrëveshjes politike ku “Vëllezërit Myslimanë” paraqesin simbolet e tyre kryesore (demokracinë pa liberalizmin).

Këtë qytetarët ose duhet ta pranojnë, për çka lypset të përsëritet suksesi i “Vëllezërve Myslimanë” dhe duhet të rizgjidhen përsëri. Apo ta refuzojnë atë, për çka me këtë rast ata do të jenë para një zgjidhjeje të vështirë: ose t’i përmbahen një demokracie të plotë, e cila e respekton prirjen individuale dhe shpirtin liberal. Duke u bazuar në integrimin e lirive politike, ekonomike dhe kulturore, hap rrugën për integrimin e islamit me modernizmin. Shansi, i cili rrallëherë mund të përsëritet në histori.

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!