Nacionale

Miratohet logoja e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë

Komiteti Ndërministror i 100 vjetorit të Pavarësisë miratoi sot logon e kremtimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Fitues u shpall kuratori dhe dizajneri nga Kosova, Zeni Ballazhi, i cili sjell një stilizim të shqiponjës dy krenare, në formën e një flake jubilare e cila i përngjan një trofeu. Logoja është gjithashtu edhe kremtuese.

Në mbledhjen e Komitetit u bënë disa ndërhyrje, lidhur me tekstin që shoqëron logon në pjesën e poshtme. Teksti mbeti ende i papërcaktur. Kryeministri shqiptar Sali Berisha tha se do të vendoset nëse do të jetë thjeshtë “Pavarësi” ose “ 100 vjet Pavarësi e Shqipërisë”. Sipas tij, kjo do të vendoset në vazhdim. Ne konkursin e hapur të zhvilluar nga Ministria shqiptare e Kulturës kanë marrë pjesë 24 artistë.

“Ky 100 vjetor t’u shërbejë shqiptarëve për t’u njohur me të vërtetat më të rëndësishme të vendit dhe kombit të tyre, t’u shërbejë shqiptarëve, jo si një barut për të shkuarën, por si një shpresë e bashkim për të ardhmen”, u shpreh sot Berisha në mbledhjen ndërministrore për 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Sipas kreut të qeverisë, 100-vjetori i Pavarësise duhet të ruajë sensin e realizmit, rëndësinë e ngjarjeve nga e kaluara, por pa harruar akualitetin.

“Është një vit në të cilin duhet të synojmë, të prekë sa më shumë zemrat dhe mendjen e qytetarëve shqiptarë”, kërkoi Berisha sot para të pranishmëve në mbledhjen ndërministrore për 100-vjetorin e pavarësisë. “Nuk është çështja se kjo arrihet nëpërmjet glorifikimeve, kjo arrihen natyrisht nëpërmjet qëllimeve realiste, por dhe një përpjekje serioze në këtë 100 -vjetor t’u shërbeje shqiptarëve për të vlerësuar më shumë veten tyre dhe vendin e tyre. Duhet të bëhet çdo gjë që shqiptarët të njohin historinë e tyre duke ruajtur sensin e realizmit””.

Sipas Berishës, festimet do të kenë si qëllim të gëzojnë shqiptarët kudo si në Kosovë, Maqedoni e diasporë. “Një përballje kombëtare është jetike për këtë çështje, sepse pavarësia ka qenë përpjekje mbarëkombëtare, jemi në detyrim me të gjithë ata që ndihmuan për çështjen e pavarësisë. Imagjinoni sikur ne ta festonim pa pavarësinë e Kosovës. Flamujt do ishin në gjysmë shtizë, ndaj kemi arsye të festojmë në mënyrën më të merituar”. Berisha ftoi Ministrinë e Brendshme që të përcjellë tek qeveritarët vendorë mesazhin e festimeve. “Është e domosdoshme që në të gjitha rrethet e vendit, në Vlorë, Durrës, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, të ketë ngjarje, kremtime, ridimensionime, të gjithçkaje që është e lidhur për 100 vjetorin”.

 

(Nga agjencitë)


Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!