2011 dhimbje e 1 shpresë

Shkruan: Zeqirija Ibrahimi

2011 dhimbje e 1 shpresë

Me këtë titull më së miri do ta kisha karakterizuar vitin që e lamë pas. Jo se nuk pati më shumë lumturi, gëzim e fat, porse aq gjëra të pakëndshme na ndodhën këtë vit, sa vetëm fakti që 2012-ta është vit jubilar i kombit shqiptar, mund të jetë një shpresë se megjithatë do të jetë vit më i bardhë se viti që shkoi.

Librat 

E filluam vitin 2011-të me libra. Në fakt në janar të vitit 2011 e shënuam përvjetorin e 20-të të SHB “Logos-A” nga Shkupi, me ç’rast në “Javën e Logosit” kaluan e diskutuan për librin qindra dashamirë të fjalës së shkruar. Dhe, përkundër faktit se politikanët e vetëm që e vizituan këtë javë kulturore ishin kryetari i komunës së vetme shqiptare në Shkup dhe deputeti i vetëm i Kumanovës, Logos-A duke dashur t’i shërbejë motos së saj për të qenë “Kryefjalë e mendimit të lirë”, pas këtij manifestimi ua dërgoi nga një pako me më shumë se 20 libra secili deputet, ministër, kryetar komune e funksionar tjetër. Sikur dikush nga ata ta kishte lexuar vetëm një libër nga ato, mbase do të ishte kujtuar të shkruante një falënderim a urim për atë përvjetor, por fakti që nuk erdhi asnjë urim, më bën të dyshoj se, përveç stolisjes së rafteve, ato libra s’kanë arritur të prekin më thellë. Në këtë më bind një fakt tjetër. Tash në fund të vitit që lamë pas, kur Logos-A nxori nga shtypi edhe 55 tituj të rinj, politikanët shqiptarë në vend që të urojnë se askush tjetër në Maqedoni nuk arrin ta bëjë këtë, madje as ata vetë me krejt fondet që ua mundëson shteti, ata “u çuan peshë” pse dikush tjetër në promovimin e atyre titujve paska thënë se shteti nuk financuaka për librin shqip. Madje, puna shkoi aq larg sa disa prej atyre pushtetxhinjve i ngritën fjalët ndaj Logosit, ndoshta edhe sepse (si duket) nuk ua mbante të ballafaqoheshin vetë me ata që i kishin akuzuar. Dhe, kur pastaj politikanët shqiptarë reaguan, duke thënë se kemi botuar “shumë” tituj shqip, pa dhënë në fakt asnjë listë se sa janë ata “shumë” dhe pa prezantuar asnjë raft se ku janë ato “shumë libra”, u mor vesh se ata më shumë e kishin drojë imazhin e tyre politik se dertin e librave. Kjo punë kështu u mbyll. Logosi bëri 55 tituj të rinj, ndërsa ata 55 llafe të reja.

Zgjedhjet 

2011-ta do të mbahet mend edhe si vit kur në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri kishim zgjedhje. Në Maqedoni zgjodhëm përbërjen e re parlamentare, në Kosovë u zgjodh presidentja e re, ndërsa në Shqipëri kishte zgjedhje lokale. Nëse do t’i kishim përmbledhur me një fjalë këto zgjedhje, përkufizimi më i mirë për to do të ishte “zgjedhje ballkanike”. Në Shqipëri “numëroheshin” dhe “zbuloheshin” gjithandej kah ishin humbur fletët e votimit, ndërsa fituesi i Tiranës ndryshonte orë e çast: herë Basha e herë Rama. Në fund me një diferencë që do të shërbejë për Librin e Ginisit, kryebashkiak i Tiranës u bë Basha. Ishte kjo një fitore e re Salës dhe një shqelm më shumë për Ramën. Natyrisht, socialistët e kontestuan rezultatin, por Sala me gjykata e urata, e bëri të veten. Sot kryebashkiak i Tiranës është Lul Basha. Në Kosovë, derisa partitë atje s’po merreshin dot vesh se cili është më “meritor” për të qenë president i Kosovës, ambasadori amerikan atje ua lëshoi presidentin në dorë. Nga zarfi doli një emër i ri në politikën shqiptare – Atifete Jajaga, të cilën më shumë e kishin njohur amerikanët se shqiptarët e Kosovës. Çudi! Ndërsa në Maqedoni – deja vu: Zgjedhje në të cilat përsëri fitoi Nikolla dhe Aliu. Shqiptarët e BDI-së thanë se “kësaj radhe e morëm hisen tonë”, ndërsa maqedonasit e VMRO-së se “përsëri mbetemi ata që ishim”. Dhe, sado që formalisht duket se punët kanë marrë të mbarën, së paku nga resorët që janë marrë, realisht vështirë mund të pohohet se pas këtyre zgjedhjeve po ndjehemi më shqiptarë se ç’ishim. Edhe këtë vit vazhdoi halli i nxënësve shqiptarë, kur për dhjetëra arsimtarë shqiptarë shteti “s’ka mundësi” t’ua paguajë rrugën, ndërsa çudi si nuk bëri vaki asnjëherë të ankohet asnjë nxënës e arsimtar maqedonas në Mariovë, ku arsimtarët udhëtojnë pa problem edhe për një nxënës të vetëm. E, të mos flasim këtu për (mos)zgjidhjen e statusit të ish-ushtarëve të UÇKsë, që as në 2011-tën nuk gjeti zgjidhje, sepse kësaj pune vërtet i ka dalë boja më. Kur jemi te zgjedhjet, nuk bën pa përmendur edhe një moment: pas një kukurisjeje të madhe, nga skena politike u fshi edhe një emër që trumbetohej si shpresë e politikës shqiptare në Maqedoni – Imer Selmani. Për dallim prej të tjerëve, ai shumë shpejt u demaskua dhe e mori haraçin e vet. Dhe, si mbaruan zgjedhjet, askush më nuk e ka parë. Mësim i mirë, apo?!

Regjistrimet 

Viti 2011-të do të mbahet mend edhe për regjistrimet e popullsisë. Nga ky regjistrim e reja e vetme ishte se, përkundër asaj që trumbetohet se shqiptarët ia bëjnë hyzmetin natës, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri dolëm më pak seç mendonim. Ndërsa në Shqipëri përfundimisht po arrihet të rritet minoriteti grek dhe, ajo që shumë është synuar, të përgjysmohet numri i myslimanëve atje. Tash mund të bëhen rehat ata që me vite e kanë dashur këtë. Tashmë as Shqipëria nuk do të jetë vend, siç e quante Bushi, “mysliman”. Ndërkaq në regjistrimin e popullsisë që (nuk) u zhvillua në Maqedoni, me gjithë mburrjet e shqiptarëve se “do ta regjistrojmë edhe shqiptarin e fundit, qoftë ai edhe jashtë vendit” dhe përgjigjes maqedonase se “kësaj radhe nuk do të lejojmë që si në kohën e Brankos shqiptarët të na dalin mbi 20 për qind”, në fund kjo punë u pordh (më falni për këtë shprehje, por vetëm kjo shprehje kaq saktë e përshkruan këtë proces!). Kështu me disa miliona euro të harxhuara, që sigurisht nuk përfunduan në xhepat e fukarenjve, regjistrimi u shpall i dështuar. Natyrisht shqiptarët festuan se “e shpëtuan Marrëveshjen e Ohrit”, ndërsa maqedonasit festuan se “e shpëtuan Maqedoninë nga shqiptarizimi i Brankos”. Të gjithë, pra, festuan. Ku ka më mirë?!

Pajtimet

Ajo që pa dyshim e ka shënuar vitin 2011, sidomos tash para përfundimit, janë pajtimet. Duke mos e marrë në konsideratë pajtimin “Ali & Menduh” në prag të zgjedhjeve, kur si “çuna të mirë” para ambasadorëve ia shtrënguan dorën njëri-tjetrit, pajtimi më “i bukur” ishte ai mes Menduhit dhe Rufiut. Se a i ka rënë pishman Rufiu për të gjitha që i ka thënë për Menduhin apo se Menduhi është penduar për ’97-tën e Rufiut, këtë s’e morëm vesh, por e rëndësishme është që ata “u pajtuan për të mirën e shqiptarëve”. Lumët ne sa të mira na bëjnë! Nëse kësaj i bëjmë pak analizë, i bie që në këtë “pajtim” ka qenë edhe dora e Aliut, por ai si më i madh që është, s’ka pranuar të fotografohet me këta “çunat e opozitës”. Ndërsa, gjithnjë sipas kësaj analize, i bie që ata janë marrë vesh si t’i ndajnë pashallëqet: Rufiut t’i jepet përsëri Gostivari, se aq e ka takatin, Menduhit t’i jepet Tetova, se as që do më shumë, ndërsa Aliut i mbetet pjesa tjetër, sepse ai nuk pranon më pak. Kështu të gjithë mbeten pashallarë në pashallëkun e vet, ndërsa mileti prapë ka muhabet se cili “është më i miri”. U kënaqëm e hajt! Pajtimi i dytë ishte mes Reisit të BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi, dhe të ashtuquajturve prej vetë atij (jo shumë moti) “vehabistë”. Sado që gjithnjë jam kursyer për t’i quajtur me këtë shprehje ata njerëz, madje disa prej tyre vazhdoj t’i përshëndes pa të keq, kur u dha ky lajm më shkoi mendja në dy pyetje: a Sulejman Rexhepi e ka marrë vesh se këta nuk qenkan “vehabistë” apo këta e kanë marrë vesh se “haku është me Rexhepin” dhe kanë shkuar të marrin hallallëk prej atij?! Ajo që i mungonte këtij pajtimi ishte vetëm Eshtref Aliu, i cili e pagoi më shumë këtë zënkë. Sot të gjithë u bënë rehat, por video-incizimi i “Isa Beut”, duke e rrahur Eshtref Aliun, s’- mund të fshihet. Natyrisht do të ishte interesant ta shohim si merr hallallëk edhe myftiu i Shkupit me ata që e përzunë prej xhamie. Ama, kur zemrat zbuten e dashuria shtohet, gjithçka është e mundur: Jakup Selimovski prej “murtedit” bëhet “mu’min”, “vehabistët” prej “njerëz të shërbimeve” bëhen “djem të mirë”, ndërsa Sulejman Rexhepi prej “udbashit” bëhet “reisi i gjithë myslimanëve në Maqedoni”. (Fjalët në thonjëza janë për të treguar se ato cilësime nuk janë të miat, porse janë akuzat mes vetë atyre që sot janë pajtuar “për të mirën e gjithmbarshme”.) Në kuadër të këtij pajtimi vetëm një pyetje mbeti e papërgjigjur: çka ishte ajo puna e islamit “tradicional” dhe atij “të importuar”. Apo krejt paska qenë si akuzat për politikë ditore të tipit Ali-Menduh- Rufi.

 Iluzionet “e vërteta” 

Merre si ta marrësh, puna i bie që viti 2011-të ishte vit kur iluzionet, mashtrimet dhe të pavërtetat u paketuan më së miri si “të vërteta” dhe, më pas, të mbështjella në lulishtet më të mira e me kordele sipër, u jepeshin njerëzve, duke i urdhëruar që mos t’i hapin fare, sepse nuk kanë çka të mendojnë ata. Vërtet, paketuesit habiteshin dhe, sipas tyre, me të drejtë mund të pyesnin se “a nuk e shohim ne sa të bukura janë ‘të vërtetat’ e tyre?”. Në këtë mënyrë disa kolumnistë, disa analistë e disa opinionistë, në jo pak raste kanë mbushur faqet e kësaj dhe të gazetave të tjera duke prodhuar “të vërteta” të këtilla, duke na thënë se “Mbreti është me tesha të bukura”. Dhe, vërtet shumëkush ka filluar të besojë se Mbreti është i veshur bukur. Bile ka të tillë që flasin për cilësinë e “Veshjes së Mbretit”, ka të tillë që brohorisin se “s’ka si Mbreti jonë”, ndërsa askund nuk shihet ai çuni që do të dalë të thotë se “Mbreti është cullak”. Sepse e vërteta është vërtet lakuriqe, cullake, por atë arrijnë ta shohin vetëm fëmijët e padjallëzuar, e jo të rriturit që gjithçka shikojnë përmes llupës së xhepit. E kur titullin e këtij teksti e shprehim në barazim matematikor, i bie që pas 2011 dhimbjeve, tash të kemi vetëm 1 shpresë – vitin 2012 – jubileun e 100-të të shqiptarësisë shtetërore. Qoftë ky vit i shpresës së ëmbël dhe i të vërtetës së vërtetë. Me fat!

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!