Në Egjipt të rinjtë muslimanë i mbrojnë të krishterët derisa ata mbajnë liturgjinë

Festa e krishtlindjeve të të krishterëve koptistë nga Egjipti u bë skenë e unitetit midis muslimanëve dhe të krishterëve

Në ritualin e Krishtlindjeve në kryeqytetin Kajro morën pjesë liderë politikë dhe fetarë të vendit me në krye Vëllezërit Muslimanë. Të rinjtë që njihen për afërsi me Vëllezërit Muslimanë dhe me grupe selefiste u organizuan për t’i mbrojtur kishat anekënd vendit nga ndonjë sulm i mundshëm kundrejt tyre. Një solidarizim i këtillë midis pjesëtarëve të të dy feve u përjetua edhe vjet me rastin e demonstratave në sheshin Tahrir. Derisa muslimanët e falnin namazin e xhumasë, të rinjtë e krishterë patën krijuar një rreth sigurie rreth e përqark tyre. Të njëjtën më vonë e patën bërë edhe muslimanët derisa të krishterët mbanin meshën e tyre.

Dje derisa emitohej drejtpërdrejtë në televizion liturgjia krishtere, disa grupe krishtere bënë thirrje përmes rrjetit Facebook që liturgjitë të mos mbaheshin në mënyrë shumë pompoze në shenjë respekti ndaj atyre që e patën humbur jetën me rastin e revolucionit. Në liturgjinë kryesore që u mbajt dje në Katedralen e Madhe në Kajro nën drejtimin e liderit fetar kopt Papa Shenuda III për herë të parë morën pjesë në mënyrë zyrtare edhe Vëllezërit Muslimanë. Krahas njeriut të dytë të lëvizjes së Vëllezërve Muslimanë Mahmud Izzet në këtë liturgji morën pjesë edhe kryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë Muhammed Mursi si dhe sekretari i përgjithshëm Muhammed Saad el-Katatni. Partia në fjalë është organizim politik i lëvizjes së Vëllezërve Muslimanë. Në liturgji, krahas disa liderëve selefistë morën pjesë edhe figura të larta politike dhe fetare si shefi i shtatmadhorisë Sami Anan si përfaqësues i Këshillit të Lartë Ushtarak, Shejhu i Universitetit të Ez’herit Ahmed Tajjib, Myftiu i Egjiptit Ali Xhum’a si dhe kandidatët për kryetarë shteti Amër Musa, Hamdin Sabbahi dhe Ahmed Shefik.

Katatni tha se për herë të parë merrte pjesë në liturgjinë krishtere dhe theksoi se me këtë donin t’i jepnin mbarë botës një mesazh uniteti. Ai tha: “Të gjithë ne jemi qytetarë të Egjiptit dhe jetojmë në paqe. Me muslimanë e të krishterë ne të gjithë jemi pjesë e këtij vatani”. Para ceremonive të vitit të ri, mediet perëndimore pohonin se të krishterët po hynin në vitin e ri plot frikë e shqetësim. Vitin e kaluar në Aleksandri u sulmua një kishë me ç’rast u vranë mbi njëzet persona dhe kjo u paraqit nga ana e tyre si një pjesë e fushatave të nisura kundrejt të krishterëve. Mirëpo pas përmbysjes së regjimit të Mubarakut disa grupe të mëdha selefiste bashkë me Vëllezërit Muslimanë me ngulm pohojnë se nuk bëhet fjalë për presion apo diskriminim kundrejt të krishterëve të vendit.

Para ceremonive të vitit të ri të rinj të afërt me Vëllezërit Muslimanë dhe me grupe selefiste bashkë me forcat e sigurisë filluan të krijonin mburoja njerëzore përreth kishave. Partitë me sfond fetar theksojnë se ka disa qarqe që i vënë në shënjestër të krishterët dhe me këtë tentojnë që vendin ta fusin në një kaos politik dhe të krijojnë një imazh negativ ndaj tij. Halid el-Shibokshi, një i ri selefist që kishte ardhur ta mbronte kishën, për gazetën Zaman deklaroi se ata si të rinj kishin vendosur ta mbronin kishën për të mos u përsëritur sulmet ndaj tyre si ai i vitit të kaluar në Aleksandri. Memduh Sejjid, një i ri tjetër nga Vëllezërit Muslimanë, deklaroi se ai vitin e ri e kishte festuar bashkë me të krishterët dhe theksoi se askush nuk do të mund të fusë përçarjen midis tyre.

Burimi: Zaman, 08.01.2012
Nga turqishtja: Rejhan Neziri

 

(Breziiri)

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!