Luginë e Preshevës

Liderët shqiptarë të vizitojnë Preshevën

Intelektualët shqiptarë të Luginës së Preshevës apelojnë që presidentja e Kosovës, Shqipërisë dhe dy kryeministrat të vizitojnë komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Një nismë e ndërmarrë nga intelektualët është shfaqur nëpërmjet një letre apeli, pas vizitave të shpeshta të presidentit serb Boris Tadiq në Kosovë, informon agjencia e lajmeve INA.

“Meqë presidenti Tadiq dhe zyrtarët e tjerë serb hyjnë e dalin në Kosovë për një grusht bashkëvendas të tyre, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Sali Berisha apo kryeministri Hashim Thaçi të marrin përgjegjësinë dhe shembullin duke bërë përpjekje diplomatike që të vijnë një ditë të vizitojnë tre komunat e anashkaluara shqiptare nën Serbi, të vizitojnë monumentet kulturo – historike shqiptare si Molla e Kuqe, Masurica dhe lokalitete tjera, etj”, theksojnë për INA, intelektualët shqiptarë.

Një arsye tjetër që përmendet është edhe simbolika e vizitës të ndodhë gjatë marsit, kur më 1 dhe 2 mars të këtij viti shënohet 20 vjetori i referendumit për bashkëngjitje me Kosovën dhe 11 vjetori i Marrëveshjes Paqësore të Konçulit, që parandaloi konfliktin e armatosur të UCPMB-së me forcat shtetërore serbe.

Intelektualët shqiptarë të Luginës apelojnë që institucionet shqiptare në Tiranë, por sidomos në Prishtinë të ngrisin zërin për të shënuar dhe rikujtuar dëbimin dhe gjenocidin masiv të ushtruar ndaj shqiptarëve duke i dëbuar nga vendbanimet shqiptare në Serbinë Qendrore.

Ilir Meta, në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm shqiptar dy vite më parë ishte njëri ndër zyrtarët më të lartë të institucioneve të shtetit shqiptar që vizitoi Luginën e Preshevës.

(GE)

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!