Islami, njeriu dhe demokracia

Islami konsiderohet sistemi i parë i cili apeloi për të drejtat e njeriut dhe theksoi nevojën për mbrojtjen e tyre. Çdo studiues i ligjit islam e din se e drejta islame ka për qëllim mbrojtjen e jetës së njeriut, fenë e tij, mendjes së tij, pasurisë së tij dhe familjes së tij. Historia islame ka regjistruar ngjarje të rëndësishme nga Halifja e dytë e muslimanëve, Omer b. Hatabi, i cili maksimalisht është përkujdesur për realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut duke thënë: “Kur i keni robëruar njerëzit, kur dihet se nënat e tyre i kanë lindur të lirë?”

Të drejtat e njeriut në islam janë ndërtuar mbi dy parime themelore që janë:

- parimi i barazisë midis të gjitha qenieve njerëzore, dhe
- parimi i lirisë për të gjithë njerëzit
.

Parimin e barazisë midis njerëzve  islami e ndërton mbi dy rregulla të forta dhe stabile që janë:

- unifikimi i origjinës së njeriut dhe
- përfshirja e dinjitetit njerëzorë.

Unifikimi i origjinës së njeriut sipas islamit shpjegohet me faktin se Allahu xh.sh. është Krijuesi i gjithë njerëzve nga një qenie. Andaj të gjithë njerëzit janë nga një origjinë dhe si të tillë konsiderohen vëllezër në familjen e madhe njerëzore dhe aty nuk ekziston privilegj e dallimeve dhe klasave. Dallimet mes njerëzve nuk prekin dhe nuk dëmtojnë thelbin e qenies njerëzore që është një për të gjitha qeniet njerëzore. Për këtë arsye këto dallime siç e potencon edhe Kur’ani fisnik, duhet të jenë nxitje në njohje mes veti, nxitje miqësie, ndihme dhe bashkëpunimi mes njerëzve, e jo të jenë pikënisja e grindjeve, konflikteve disonancave. Allahu xh.sh. ka thënë:

يا أيها الناس إنا خلقناكم من ذكر وأنثى وجعلناكم شعوبًا وقبائل لتعارفوا * إن أكرمكم عند الله أتقاكم

“O ju njerëz, Ne u krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë në kombe dhe fise që të njiheni mes veti. Më i ndershmi prej jush tek Allahu është më i devotshmi nga ju.”

Sa i përket rregullit tjetër të barazisë që përfshin e nderin dhe dinjitetin e çdo njeriu, Kur’ani fisnik thotë:

ولقد كرمنا بنى آدم  “Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit.”

Njeriun me këtë dinjitet Allahu xh. sh. e bëri mëkëmbës në tokë, dhe i urdhëroi melaqet ti bëjnë sexhde atij, njeriun e bëri zotëri i universit dhe për të krijoi gjithçka ka në qiej dhe në tokë. Me këtë vërtetohet fakti për favoritetin e pozicionit dhe pozitës së njeriut në mesin e të gjitha krijesave. Allahu xh.sh. këtë dinjitet ia ka dhuruar çdo njeriut pa kurrfarë përjashtimi si preventivë mbrojtëse për çdo individ në shoqërinë njerëzore. Nuk ka dallim mes të pasurit dhe të varfrit, sundimtarit dhe të sunduarit, sepse të gjithë para Allahut, para ligjit dhe në drejtat e tyre janë të barabartë.

Sa i përket parimit të dytë mbi të cilën koncentrohen të drejtat e njeriut e që është parimi i lirisë, Allahu xh. Sh., ka bërë që njeriu të jetë qenie e ngarkuar dhe përgjegjëse për ndërtimin e tokës dhe ndërtimin e qytetërimit njerëzor. Andaj nuk ekziston përgjegjësi pa liri, bile kjo reflektohet edhe te çështja e besimit (imanit) dhe pabesimit (kufrit) cilësi këto të cilat Allahu xh.sh, i ka lënë në dëshirën e njeriut duke thënë:

فمن شاء فليؤمن ومن شاء فليكفر “Kush dëshiron le të besoj, e kush dëshiron le të mos besojë!” Me këtë nënkuptohet përfshirja e të gjitha lirive të njeriut, si liria fetare, politike, intelektuale apo civile.

Pushteti në mësimet islame patjetër duhet të bazohet dhe ngritet mbi drejtësinë (adl) dhe konsultimin (shura). Allahu i Lartmadhërishëm në Kur’anin fisnik i ka urdhëruar njerëzit me drejtësi dhe aplikimin e saj ku thotë:

إن الله يأمر بالعدل والإحسان Vërtetë Allahu ju urdhëron me drejtësi dhe mirësi” pastaj ajeti tjetër ku thotë:

وإذا حكمتم بين الناس أن تحكموا بالعدل “Nëse gjykoni mes njerëzve keni obligim të gjykoni me drejtësi”. Në këtë kontekst ekzistojnë ajete dhe hadithe të shumta.

Sa i përket konsultimit (shuras) ai është parim themelor i detyrueshëm islam. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte princip që ti konsultonte shokët e tij dhe të merrte mendimin e shumicës edhe pse disa here mendimi i shumicës ishte në kundërshtim me mendimin e tij. Këtë më së miri e ilustron rasti kur Pejgamberi a.s. kishte konsultuar muslimanët për të dalur në betejën e Uhudit. Pejgamberi s.a.v.s. ishte i mendimit se muslimanët nuk duhet të dalin nga Medineja, porse mendimi i shumicës ishte që ata të dalin nga Medineja për ta takuar armikun jashtë vendbanimit. Në këtë rast Pejgamberi a.s. veproi sipas mendimit të shumicës dhe doli në Uhud. Edhe pse kjo betejë përfundoi me humbjen e muslimanëve, sërish Kur’ani përforcoi domosdoshmërinë e konsultimit duke iu drejtuar Pejgamberit a.s. me këto fjalë:

فاعف عنهم واستغفر لهم وشاورهم فى الأمر

“Fali ata dhe kërko falje për ta dhe konsultoi në çështje”.

Nuk merret parasysh në këtë çështje mendimi i një grupi të vogël të dijetarëve islam që pretendojnë se konsultimi nuk është i detyrueshëm, sepse ky pretendim është në kundërshtim me  tekstet eksplicite fetare.

Islami ka lënë për muslimanët lirinë e zgjedhjes së formës së konsultimit në përputhshmëri me interesin publik. Nëse interesi kërkon që shura të zbatohet në formën e njohur të shtetit bashkëkohor si parlamenti, atëherë islami nuk e kundërshton këtë. Ajo që është me rëndësi në këtë çështje është aplikimi me fleksibilitetin e duhur në bazë të rrethanave të çdo epoke dhe zhvillimeve të reja kombëtare dhe ndërkombëtare.

Nga kjo vërehet qartë shkalla e intereseve  të islamit për ruajtjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përkujdesjen për zbatimin e shëndoshë të parimit të konsultimit ose sipas konceptit modern të konceptit të demokracisë.

Islami si sistem ofroi mundësinë e plurailizmit të mendimeve dhe e lejoi ixhtihadin edhe në çështjet fetare përderisa muxhtehidi i plotëson kushtet dhe kriteret e ixhtihadit. Ai bëri që muxhtehidi i cili bënë ixhtihad dhe gabon të shpërblehet me një shpërblim kurse ai i cili bënë ixhtihad dhe e qëllon shpërblehet me dy shpërblime. Andaj studiuesi i doktrinave të njohura të shkollave juridike islame gjen se në mes këtyre shkollave ka mospajtime në shumë çështje islame. Megjithatë askush nuk ka thënë se ky veprim është i pa lejuar. Andaj, gjejmë se islami afron mundësi për të tjerët për të shprehur mendimin dhe pikëpamjen e tij pa kurrfarë vështirësie, për derisa që të gjithë me mendimet e tyre synojnë të mirën e shoqërisë  dhe për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin.

 

Përkthyes nga arabishtja:
Jusuf Zimeri

 

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!