"The New York Times"

Fituesja e pranverës arabe është Turqia

Gazeta prestigjioze e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “The New York Times” (NYT), shkroi se Turqia është fituesja e vërtetë e Pranverës Arabe.

Analiza, që zë vend në faqen e internetit të “The New York Times”, titullohet “Ndiq Turqinë në Pranverën Arabe”…
Në artikull bëhet komenti se Pranvera Arabe i ka dobësuar dhe përçarë vendet arabe të rajonit.

“Kurse fituesja e vërtetë e Pranverës Arabe është padyshim Turqia, e cila është fuqizuar më shumë”, theksohet në vijim të analizës së të përditshmes nju-jorkeze.

Sipas artikullit të sipërcituar, në një kohë kur ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit po përjetohet një luftë e ftohtë, Turqia, e cila është një fuqi në rritje e rajonit, triumfoi mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranin.

“The New York Times” përcjell opinionin se influenca e Uashingtonit në rajon është pakësuar, ndërsa vendet arabe “janë ndarë butësisht” mes Turqisë dhe Iranit.

Bazuar tek kjo analizë, udhëheqja rajonale në veri të Irakut e shikon Turqinë si kujdestare rajonale. “Në Erbil Turqia ka rëndësi maksimale, ndërsa në jug të Irakut mbizotëron ndikimi i Iranit”, nënvizohet midis rreshtave të artikullit në fjalë.

Gazeta amerikane komenton se Ankaraja e Teherani nuk përplasen me njëra-tjetrën në zonat përkatëse të influencës.

Duke mbrojtur mendimin se Turqia dhe Irani janë harmoni të plotë edhe për sa i takon problemit Izrael-Palestinë, “The New York Times” sqaron se divergjenca e vetme ndërmjet këtyre dy vendeve është çështja e Sirisë; Teherani mbështet regjimin e Bashar Al-Asadit, kurse Ankaraja u del krah opozitarëve sirianë.

Në fund të analizës tërhiqet vëmendja se edhe në Afrikën e Veriut, një rajon ky që nuk ka popullsi autoktone shiite, Turqia me Katarin rezultojnë dy fuqi politike dhe tregtare në rritje.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!