Globus

Bota arabe – drejtim të ri, nën udhëheqjen e Egjiptit

Profesori Kaled Fahmi kontrolloi telefonin e tij, përderisa po dilte nga një takim, më 25 janar të vitit 2011. Ai i kishte pesë thirrje të humbura nga nëna e tij. Diçka nuk ishte në rregull.

Pak minuta më vonë, akademiku i ri po ngiste me shpejtësi në drejtim të Sheshit Tahrir, ku policia po përpiqej të arrestonte nipin e tij më të ri, për shkak të pjesëmarrjes në valën e parë të protestave, që ndikuan në rrëzimin e presidentit Hosni Mubarak.

​​“Kjo është rrënjosur në memorien time. E kam përjetuar vetë dhe ato me të vërtetë ishin ditë historike. Ishte fantastike të shihje, veçanërisht më 28 janar, fillimin e kolapsit të forcave të sigurisë, të cilat kanë terrorizuar njerëzit e Egjiptit për dekada. Ishin momente të mrekullueshme të shihje se si tërhiqeshin para popullit; një popull që vendosi përfundimisht të mbrojë dinjitetin e vet dhe t’i thotë jo këtij trajtimi brutal e çnjerëzor”, tregon Fahmi.

Kryengritja egjiptiane ishte pjesë e një vale trazirash që përshkoi Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme, pas protestave të suksesshme në Tunizi, të cilat filluan në dhjetor të vitit 2010.

Regjimet në Tunizi, Libi dhe Egjipt u rrëzuan si pasojë e protestave anti-qeveritare, të cilat vazhduan edhe në Siri, Jemen dhe shtete të tjera arabe.

Shumë analistë e shohin si kryesore luftën e vazhdueshme politike në Egjipt, vendin më të populluar të Lindjes së Mesme.

Stiven Kuk, autor i librit “Lufta për Egjiptin: Nga Naseri deri te Sheshi Tahrir”, thotë se stabiliteti në këtë vend është qenësor.

“Mendoj se ekziston frika se te Egjipti, me gjithë rëndësinë e vet, trajektorja e tij do të jetë diçka krejt ndryshe; se një lloj premtimi dhe shprese është prishur. Dhe, ose del diçka e një lloji të ri të sistemit autoritar politik, ose disa lloje të periudhave me mungesë të stabilitetit, do të kishin një efekt shkatërrues jo vetëm në Egjipt, por edhe në pjesën tjetër të rajonit”, thotë Kuk.

​​Ed Husain, një anëtar i lartë i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, shprehet më optimist:

“Shpresa më e madhe për Egjiptin është vazhdimësia e trajektores që e kemi parë në botën arabe; që procesi i lirisë, demokracisë, të drejtave të pakicave, të drejtave për të krishterët dhe të tjerëve në rajon, të vazhdojnë të respektohen. E gjithë kjo ka të bëjë me frymën e revolucionit”.

Ndërkohë, profesori Mohamed Fadel, nga Universiteti i Torontos, fuqinë e revolucioneve në Egjipt dhe në Tunizi ia dedikon zhvillimit të mendimit politik islam, më shumë, sesa idealeve të stilit perëndimor demokratik.

“Modernizimi i islamit, në njëfarë mënyre, përfaqëson emëruesin e përbashkët të momentit politik në botën arabe, sepse për fat të keq, pas Luftës së Parë Botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, pasi shtetet arabe fituan pavarësinë nominale, ato nuk ishin në gjendje të institucionalizonin politikat anti-autoritare”, shprehet Fadel.

Por, dallimi ndërmjet partive islame liberale dhe fundamentaliste mund të jetë i errët, për shkak të aleancave të ndryshme personale dhe shpresave për koalicione politike, që zhysin ujërat.

​​Zhvillimet e fundit sugjerojnë se grupet e tjera islamike mund të jenë politikisht të kërcënuara nga moderimet fetare, më shumë se nga platformat laike.

Në Egjipt, një koalicion i ri i quajtur El Nour (Drita), i udhëhequr nga salafistët, një degë ulta-konservative e islamit fundamentalist, siguroi çerekun e votave në rrethin e parë të zgjedhjeve parlamentare të nëntorit.

Fahmi shpjegon:

“Ajo që ne po përjetojmë është një ndarje trepalëshe në shoqërinë egjiptiane dhe në skenën politike në Egjipt: mes regjimit të Mubarakut, çka ende ka mbetur prej tij, dhe islamikëve, të cilët vetë janë të ndarë ndërmjet Vëllazërisë Myslimane dhe të rinjve në këtë skenë politike”.

Ndërkohë, Husain, i cili jep hollësi përmes librit të tij “Islamikët”, për pesë vjetët që i kaloi me fundamentalistët islamikë, është i shqetësuar  nga ato që ka parë së fundmi:

“Trendi në rritje i salafistëve në Egjipt, lëshimi nga burgu i njerëzve që më herët ishin dënuar për krime terroriste, sjell rrezikun që ne të jemi dëshmitarë të shpërthimit të ekstremizmit islamik dhe terrorizmit”.

Ndërsa, profesor Famhi thotë se bota arabe është duke përjetuar një kthesë të rëndësishme.

“Është hera e parë në 100 vjet, ndoshta edhe më gjatë, që njerëzit e rajonit, nga Egjipti, Libia, Siria, Jemeni, Bahrejni dhe Tunizia janë çuar në këmbë dhe kanë treguar rolin e tyre se si mund të udhëhiqen vendet e tyre”, thekson profesori Kaled Fahmi.

 

(REL)

 

 

P.S. Rubrika "Shtypi" është krijuar për të sjellë tekstet që publikohen në mediumet e ndryshme, të cilat prekin çështjet e Islamit dhe të myslimanëve në përgjithësi. Redaksia e portalit "Breziiri.com" nuk qëndron prapa këtyre teksteve dhe jo çdo herë pajtohet me përmbajtjen e tyre.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!