Natyra njerëzore baraspeshohet sipas normave të realitetit. Edhe pse ajo bashkëjeton me të gjitha mundësitë civilizuese të jetës materiale, me të gjitha prurjet e saj shfrenuese, përsëri njeriu ndihet i hutuar dhe i tronditur. Ai është i goditur nga shqetësimi, pasiguria, konfuzioni. Sot njeriu nuk po gjen dot vetveten, për shkak se nuk po gjen dot qëllimin e ekzistencës së vet.
Në kohën e sotme fatkeqësia nga e cila vuan njerëzimi është diferenca midis diturisë dhe praktikës në zhvillimet jetësore. Lëshimi i papërmbajtur drejt idesë për të zëvendësuar vitet e varfërisë me përpjekje dhe rrugë që prishin emrin dhe personalitetin e njeriut nuk është gjë tjetër veçse humbje e ndërgjegjes në favor të interesave të ngushta e maksime për të fituar në pak kohë atë që bota, ku ne duam të shkojmë, e ka arritur me vite. Duke ecur në këto rrugë pa ndërgjegje e pa mëshirë njerëzore, u pasqyrua imazhi që sot ndodhemi nën ndikimin e drejtpërdrejtë të asaj që lëviz në mes politikës dhe biznesit, papunësisë dhe krimit. Dhe ajo që e quajmë progres material nuk u harmonizua në zhvillimet tona njerëzore. Bota materiale nuk kuptoi dhe nuk deshi të kuptojë se qenia njerëzore nuk përbëhet vetëm prej trupit, se ajo ka nevojë për jetën, por para se të gjithash ajo mendon, ndjen, dhe vuan në anën shpirtërore.
Qytetërimi njëanshëm, qoftë edhe në stadet e larta, kurrë nuk do të jetë motivi kryesor në zhvillimet njerëzore. Sado që të jemi të pasur, paqen shpirtërore kurrë nuk do të mundemi ta blejmë me të holla. Ajo nuk është mall që shitet e blihet. Vetëm kur intelekti i njeriut të arrijë të hulumtojë njeriun si qënie, si krijesë, si trup dhe si shpirt, nevojat dhe interesat e tyre dhe kur këto interesa t’i baraspeshojnë në një ekuilibër, atëherë kualiteti dhe personaliteti i tij do të bëhet dominues. Atëherë njeriu do të gëzojë lirinë e tij brenda doktrinës së tij. Pikërisht në kohën e sotme, në botën e shfaqur, kjo dukuri, ky intelekt është mënjanuar për të mos i lënë kohë njeriut me shpirtin e tij.
Dihet se njeriu ekziston natyrshëm si qenie fizike, por ai ekziston po aq natyrshëm edhe hyjnisht, si qenie shpirtërore. Të dy këta elemente ushqehen në realitetin jetësor. Por njeriu është i krijuar. Ai nuk mund të krijojë vetveten, gjithçka në botë i shërben njeriut, ndërsa njeriu vet duhet t’i shërbejë vetëm Krijuesit të tij. Kjo është skema e krijimit, prandaj qenia njerëzore është e nevojshme ndaj asaj Qenie Supreme në të cilën është i lidhur ngushtë gjithë jeta e tij, nga i cili merr udhëzimet për mendimin, synimin e veprimin nëpërmjet normave jetësore dhe ritualeve adhuruese. Kjo është esenca e thellë njerëzore, e brendshmja dhe përbërja e tij. Është përfaqësimi i tij edhe kur ai nuk do të ekzistojë si qenie fizike.
Ky udhëzim është feja. “Ky udhëzim është një sqarim për njerëzit, është udhëzim dhe këshillë për të devotshmit”. (Ali Imran:138)
Feja është një përmbledhje e parimeve hyjnore që i prin njerëzimit drejt së mirës, sigurimit, dhe përparimit shpirtëror e material, ku njeriu gjen paqen, lirinë dhe kënaqësinë.
Islami nuk është as nuk paraqet thjesht një detyrë rituale. Në përbërjen e tij qëndrojnë një grup lidhjesh dhe normash që menaxhojnë gjithë jetën njerëzore në aktivitet fizike, mendore, trupore, shpirtërore, individuale e shoqërore, për të inspiruar koncepte të drejta dhe humane për botën dhe jetën si dhe të relacionit midis njeriut dhe Krijuesit të tij. Është nevojë për të mbrojtur qëllimet të cilat janë më të larta se realiteti i tij njerëzor.
Edhe pse feja Islame është udhëzim hyjnor në favor të njeriut për jetën dhe mënyrën e të jetuarit, ajo supozon që t’i sigurojë atij vetëm mirëqenie, famë, apo pozitë. E nuk merr përsipër dhe as nuk premton se do ju japë anëtarëve të saj nga një pulë për çdo tenxhere dhe as që çdo njeri ta bëj mbret. Ajo merr përsipër të drejtojë aktivitetet jetësore duke mbajtur ekuilibrin midis detyrës dhe interesit, trupit dhe shpirtit, tokës dhe qiellit. Ajo synon që njeriu në aktivitetet jetësore të paraqesë të vërtetën dhe qëllimin e krijimit të tij.
Njeriu është krijesë shumë domethënëse dhe me një krijim shumë funksional. E nuk është kafshë por as engjëll. Ai është në mes tyre. Feja Islame është ai udhëzim, ajo dije hyjnore, ajo mençuri qiellore, e cila baraspeshon këtë pozicion të njeriut në botë. “Thuaj: Unë nuk ju them juve se i kam ne kompetencë depot e All-llahut ( e të ju sjell mrekulli), as nuk pretendoj se i di fshehtësitë e as nuk them se jam engjëll…..” (El-Enam: 5)
Tek feja, njeriu, nuk do të gjejë konceptin për të përmbushur çdo dëshirë të tij, apo të eliminojë fatet e tij, por tek feja, nëse ai do të besojë bindshëm dhe sinqerisht, do të gjejë tek e mira e tij nevojën për ta falënderuar Allahun, për atë që Ai i dha. Dhe tek e keqja e tij mënyrën për tu penduar dhe larguar nga ajo. Në këtë mes feja është nevojë dhe domosdoshmëri, sepse ajo është dija dhe mençuria për ti lënë njeriut të kuptojë se ai është i pafuqishëm të qëndrojë larg Zotit dhe të jetojë pa Zot. Kjo sepse vetë njeriu është qenie dhe dëshirë e Zotit, e mëshirës së Tij dhe nuk mund të qëndrojë asnjanës dhe as të polemizojë rreth detyrimeve të tij kundrejt Krijuesit të tij. Ato nuk diskutohen por vetëm zbatohen. Sinqeriteti dhe bindja jonë janë masa e shpërblimit, përndryshe ata që i përbuzin udhëzimet hyjnore, që neglizhojnë apo tallen me to, guximin e gjejnë tek iniciativa ambicioze për të jetuar pa dinjitet si qenie që vë në dyshim mënyrën e krijimit.
Tek njeriu shpirti synon, trupi vepron. Shpirti synon që e sotmja të jetohet e të fitohet pa lënë peng të nesërmen, pa e shitur shpirtin për të blerë trupin, pa e shitur qëllimin për të blerë nevojën, pa e shitur detyrën për të blerë interesat.
Feja është nevojë dhe domosdoshmëri për njeriun, është mençuri dhe ai që e mohon nevojën për të, i mungon mençuria.
E ardhmja i takon dominimit të fesë mbi njeriun. Gjithë njerëzimi bashkëkohor po e ndjen dhe po e kërkon. Shpirtmirësia, bukuria, humanizmi, dashuria njerëzore, toleranca, mirëkuptimi, virtyti dhe morali, puna, paqja dhe dashuria për atdheun përbëjnë thelbin e fesë si udhëzim për gjininë njerëzore.
Çfarëdo që të ndodhë, njerëzimi një ditë do të arrijë të kuptojë se feja është në natyrën e tij dhe nevojë jetësore e tij, kështu që asgjë nuk do të mund të pengojë atë t’i kthehet besimit. “Në fe nuk ka dhunë, rruga e vërtetë dallohet nga e gabuara…..” (El-Bekare: 256)
Autor: Besim Cura
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!