Babadimri - mit, realitet, apo biznes?

Shkruan:

Babadimri – mit, realitet, apo biznes?

Festave të fund vitit padyshim se fëmijët u gëzohen më së shumti. Plotësimi i dëshirave të ndryshme dhe dhënia e dhuratave nga babadimri, janë disa nga arsyet për gëzimin e tyre gjatë ndërrimit të mot moteve. Por, edhe pse sipas miteve dhe legjendave, babadimri njihet për karakter human dhe në vendet e zhvilluara ka këtë rol, në Kosovë fëmijët për ta pasur vetëm një fotografi me babadimrin u duhet të shpenzojnë së paku 4 euro.

Rrugët, sheshet dhe qendrat tregtare janë të stërmbushur me babadimra të ndryshëm, duke filluar nga lodrat, figurat e deri tek njerëzit që bartin rrobat e tyre. Fëmijët janë ata që më së shumti gëzohen kur takohen me babadimrin dhe dëshira e tyre më e madhe është që ta kenë një fotografi me ta.

Por fakti se në Kosovë roli human i babadimrit është i pakët ka bërë që shumë fëmijë të humbin besimin në të. Shkëlqim Surkishi, edhe pse kishte dal për ta vizituar babadimrin në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, thotë se nuk beson në babadimër dhe se për të është vetëm figurë imagjinatave.

“Unë nuk i besoj babadimrit edhe pse më thonë prindërit, ai është vetëm imagjinatë. Dhurata nuk të bien askush vetëm t’i dhurojnë prindërit sa për të na gëzuar”, ka thënë ai.

Kurse Liridona Berisha, e cila luan rolin e babadimrit, tregon se kur ka qenë e vogël ka besuar në një gjë të tillë, mirëpo pasi që është rritur ka kuptuar se babadimri i vërtetë nuk ekziston dhe kur ka kuptuar se njerëzit e thjeshtë mund të luajnë një rol të tillë është zhgënjyer.

“Kur kam qenë e vogël kam besuar që ekziston babadimri dhe gjithmonë e kam prit fundin e vitit me pa dhe me u fotografuar me të. Nuk e kam paramenduar që mund të ketë shumë baba dimra, por kam menduar se është etëm një baba dimër. Por tash kur u rrita e kuptova normal se nuk ekziston dhe ka njerëz të thjesht që veshën me rroba të baba dimrit. Është një lloji zhgënjimi, gjithmonë e pret një befasi në fund të vitit dhe kur e kupton se nuk ekziston është një lloji pikëllimi”, ka thënë ajo.

Studiues të sociologjisë dhe psikologjisë vlerësojnë se tani në kohën emoderne, çështja e babadimrit shfrytëzohet maksimalisht për efekte komerciale dhe joshjen e konsumatorit. Ata thonë se ky fakt dhe shumë të tjerë kanë bërë që fëmijët të zhgënjehen me babadimrin.

Adelina Ahmeti -Pronaj psikiatër në Qendrën për shëndetin mendor për fëmijë dhe adoleshentë, ka thënë për Kosovapress se çdo fëmijë babadimrin e sheh si figurë imagjinatave dhe se në përgjithësi babadimri luan rol të rëndësishëm tek personaliteti i fëmijëve. Mirëpo, sipas saj, kur fëmijët arrijnë ta kuptojnë se babadimri nuk ekziston, dëshpërohen shumë.

“Në përgjithësi për babadimrin mund ta cekim që për fëmijët është shumë e rëndësishëm, që secili fëmijë babadimrin e ka si figurë imagjinatave. Do të thotë krejt punën dhe kushtëzimet që i bëhen fëmijët punohet në atë drejtim që në fundin e vitit të jetë i shpërblyer nga babadimri. Me vet faktin që ngjyrat e teshave të babadimrit që e kanë të kuqe dhe të bardh simbolizojnë shumë dashuri dhe paqe. Sa i përket ngjyrave, pra vet ngjyrat kanë ndikim tek fëmija. Mirëpo, fatkeqësisht me avancimin e teknologjisë dhe të arriturave kohëve të fundit ka rënë besimi në babadimër. Dhe fëmijët janë të dëshpëruar pse nuk është babadimri i vërtetë pse na keni gënjyer. Në fakt më përpara nuk ka qenë kjo, krejt kjo është çështje e avancimit dhe besimi ka rënë krahasuar me vitet e kaluara”, ka thënë ajo.

Sociologët tregojnë se Festa e Vitit të Ri dhe aktivitetet e babadimrit, janë me bazë pagane dhe nuk kanë të bëjnë aspak me religjionet botërore. Në anën tjetër, ata thonë se vendet me një varfëri të skajshme dhe një papunësi të madhe janë të ekspozuar më shumë ndaj këtyre dukurive.

“Kujtoj se edhe kjo çështja e festës së babadimrit që në fakt për mendimin tim është një festë pagane shfrytëzohet maksimalisht për efekte komerciale dhe ku çdo gjë ka për qëllim apo imperativ profitin, dhe joshjen e konsumatorit i cili është interesuar që gjithë qysh është i interesuar që produktet e tyre t’i plasojë në treg. Kur marrim si shembull Kosovën me një varfëri të skajshme dhe një papunësi të skajshme del se çështja e joshjes është shumë më atraktive se sa në vendet e konsoliduar me një demokraci të konsoliduar edhe për shkak se ky fillim i varfërisë dhe i problemeve sociale qytetarin tonë e largon prej këtyre problemeve. Në fakt manifestimi i këtyre festave në një mënyrë mund të themi se është një ikje prej realitetit të hidhur në të cilën gjendet Kosova dhe shoqëria kosovare si pasojë e rrethanave të ndryshme, luftës, trashëgimisë së madhe.

Zakonisht në moshën 8-9 vjeçare, fëmijët e zbulojnë sekretin se dhuratat nën bredh ua vënë prindërit dhe se ekzistimi i Babadimrit është një mit. Mirëpo, edhe përkundër dyshimeve, fëmijët shpesh heshtin, në mënyrë që prindërit të vazhdojnë t’u blejnë dhurata. Mirëpo, e vërteta qëndron në faktin se as dëshirat e as dhuratat nuk vijnë nga babadimri, ato mbesin vetëm në imagjinatën e tyre, duke e kujtuar atë si një mit.

Ndryshe, babadimri në të vërtet është Shën Nikolla, që është një figurë e lashtë, antike, e thurur me legjenda, përralla, mite. Kulti i Babadimrit është i përhapur të gjithë hemisferën perëndimore, por ndër shekuj ka përjetuar ndryshime rrënjësore, deri sa erdhi në formën e sotme bashkëkohore. Kulti i Babadimrit është me prejardhje pagane. Me pak fjalë, historia e Shën Nikollës, Babadimrit, që është përhapur tek shumë popuj, nuk ka të bëjë me çështje besimi, frymëzimi, por për çështje përfitimi.

(KP)

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!