Përse islamikët po fitojnë në zgjedhje?

Shkruan: Qemajl Morina

Përse islamikët po fitojnë në zgjedhje?

Fitoret e njëpasnjëshme, me një përqindje mbi 40%, që korrën këto ditë lëvizjet islame në zgjedhjet parlamentare, si partia “En-nahda” në Tunizi, partia “Drejtësi dhe Zhvillim” në Marok, partia “Liri dhe Drejtësi”, krahu politik i “Vëllezërve Myslimanë” në Egjipt, bënë që shumë analistë të pyesin se ku fshihet sekreti i një suksesi të këtillë?

Siç duket, pas dështimit të nacionalistëve dhe të majtistëve arabë, radha po iu vjen islamikëve.

Këto suksese të islamikëve nuk u pritën mirë si nga qarqe të caktuara brenda botës arabe, por as nga qarqe zyrtare të botës perëndimore. Aq më tepër, u krijua një ankth se po qe se islamikët vijnë në pushtet, çka do të ndodhë me popullatën tjetër, e në veçanti me pakicat e krishtera?

Përgjigjet në pyetje të këtilla nuk vonuan e erdhën nga vetë liderët e këtyre partive, duke shpjeguar se ata pranojnë diversitetin politik, sistemin demokratik, qeverisjen qytetare, kushtetutën civile, ku sigurohen drejtësia, pluralizmi dhe liritë e pakicave si një model për shoqëritë ku ata jetojnë. Në veçanti kur dihet se vetë ata për dekada të tëra kishin qenë objekt persekutimi dhe keqtrajtimi nga ish-pushtetarët.

Këtu ndoshta edhe qëndron shkaku që shumë qytetarë po kanë besimin që atyre t’ua japin votën e tyre.

Në anën tjetër, islami politik gjatë periudhës prej disa dekadash ishte prezent në formë të një rrjeti mirë të organizuar për t’u dalë në ndihmë njerëzve në nevojë, për çka edhe ishte afirmuar mirë në shtresat më të gjera të shoqërisë arabe.

Në tri dekadat e fundit, rezistenca e islamit politik ndaj pushtetarëve për mohimin e fitoreve në zgjedhje dallonte prej vendit në vend, sipas mundësive dhe kushteve që u imponoheshin. Algjerianët nxituan dhe dhunën e kthyen me dhunë, në ndërkohë që tunizianët, egjiptianët dhe jordanezët u treguan më të matur, ndërsa që Hamasi me ndihmën e Sirisë dhe Iranit u nda me Gazën duke përdorur fuqinë ushtarake.

Në periudhën vijuese islami politik duhet të ketë kujdes nga dy gjëra:

E para: Feja të mos përfshihet në konfliktin politik. Kjo çështje është shumë e rrezikshme për fenë. Këtë e kuptoi shumë mirë shejhi i “El-Az-herit” në dokumentin e publikuar për të ardhmen e sistemit qeverisës në Egjipt. Andaj, pyetja e cila shtrohet është se a mund të adaptohen islamikët me shtetin qytetar, në kuadër të rilindjes intelektuale dhe politike, kur dihet se në mesin e tyre ka kategori dhe personalitete, të cilët janë të njohur me tezat e tyre iluministe.

E dyta: Shumë prej partive politike islame kanë pasur lidhje me Iranin dhe lëvizjet iraniane, qoftë në Lindje apo në Perëndim, për shkak të çështjes palestineze dhe luftimin e ndikimit amerikan dhe sionist në atë pjesë të botës.

Ndërkohë, Administrata amerikane ndryshimet në botën arabe po i analizon me një shikim pozitiv, për çka edhe ka filluar kontaktet e para me përfaqësuesit e partive islamike. Ditë më parë, kryeministri izraelit, Benjamin Natanjahu, i cili pasi kishte kaluar një vit i plotë nga fillimi i revolucioneve arabe, për “Pranverën arabe” kishte thënë se po e çon prapa Lindjen e Mesme.

Natanjahu sulmoi të gjithë liderët evropianë dhe botërorë, veçanërisht presidentin Obama, se nuk ka kuptuar asgjë nga “Pranvera arabe”. “Ata janë naivë”, tha Natanjahu, duke shtuar se “Pranvera arabe” mund të kthehet në një lëvizje antiperëndimore, antiliberale, antiizraelite dhe antidemokratike.

“I pyes sot ata, kush nuk e ka kuptuar realitetin? Kush nuk e ka kuptuar historinë?”, tha ai nga podiumi i Kness-it.

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!