Vrasja e njeriut në Islam (V)

Vlera e njeriut në Islam dhe mbytja e tij me pa të drejtë

Muslimani duhet të ketë njohuri për të vërtetat që kanë të bëjnë me njeriun dhe me realitetin e tij. Ai këto të vërteta që do t`i përmendim duhet t`i besojë me bindje të plotë dhe pastaj mbi këto të ngrejë arsyen e besimit të vet.

Njeriu ndër gjithë krijesat është më i vlefshmi  dhe më i nderuari.

Njeriu është i krijuar që nga zanafilla e parë në pamje dhe në formën më të bukur, ai nuk ka evoluar gjatë historisë së tij për nga gjinia prej një shkalle në shkallën tjetër.

Njeriu është krijesa më e vlefshme dhe më fisnike

 Njeriu dallohet nga krijesat e tjera me veçori që ia dha Zoti si krijues absolut. Natyra njerëzore dallohet nga natyrat dhe ekzistencat e tjera me fuqinë e jashtëzakonshme, mahnitëse e të çuditshme, e që është forca mendore, e cila përcepton realitetin e gjërave dhe e cila është edhe çelësi i parë që shumica e fenomenev të gjithësisë të vihen nën shërbimin dhe nën pushtetin e njeriut. Këtë dallim ( privilegj ) të njeriut, shum doktrina, filozofi, shkolla dhe dijetarë, të lëmive të ndryshme e theksuan dhe e pranuan, por një pakic prej tyre e dinin burimin e kësaj vlere, dhe nuk e pranuan dhe kan mendime të kundërta për njeriun. Islami është i vetmi që tha se njeriu është zëvendës apo rimëkëmbës i All-llahut xh.sh në Tokë, këtë vlerë nuk ia veshi njeriut asnjë doktrinë, edhe pse ato u munduan të thonë mbi njeriun gjara shumë pozitive, por më të rëndësishmët nuk u thanë asnjëherë. Për këtë All-llahu xh.sh. në Kur`an thotë:

“ (Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!”[1]

Pra në kuadër të Kur`anit Krijuesi i dha njeriut rolin më të shejtë, të zëvendësoj apo të rimëkëmbë ligjin e All-llahut xh.sh.

Prej veçorive ( karakteristikave ) të kësaj fuqie mendore është se kjo është një fuqi ku në të shfaqet drita e njohjes së All-llahut Fuqiplotë dhe nga ajo rrezaton drita e Madhëris së Tij, si dhe me të zotëruesi i saj përgaditet që të kryej adhurimin ndaj krijuesit të Vet, të Madhërishëm e Fuqiplotë. Kështu që si rrjedhojë e kësaj njeriu behet dukuria e parë e Hyjnisë së All-llahut Fuqiplotë.

Pasi kjo është kështu atëherë prej domosdoshmërive të qarta është që natyra njerëzore të jetë më fisnikja dhe më bujaria ndër të gjitha ekzistenca në gjithësi ( nëse mbështesim përjashtimin e melaikeve, duke patur parasysh konsideratat e veçanta lidhur me to ).

Çështja që ka të bëjë me atë që e shohim nga prova dhe eksperimenti, e që flet për vërtetësinë e argumenteve të fjalës së All-llahut Fuqiplotë ku thotë:

Dhe për ju nënshtroi gjithë ç’ka në qie dhe ç’ka në tokë, njëmend për njerëzit që mendojnë thellë, në to ekzistojnë argumente”.[2]

Pra, ti sheh se e gjithë lëvizja e trupave qiellorë, sistemi i gjithësisë dhe një pjesë e qenieve ( ekzistencave ) të ndryshme, të gjitha këto lëvizin në përputhje me nevojën dhe shërbimin e njeriut. Pra, njeriu në këtë ekzistencë paraqet rrethin polar, që është rrethi i tijë, ku në drejtim të tij lëvizin ekzistenca të tjera të ndryshme, në një vijë qarkulluese ( udhëtim ) të vazhdueshme e të pa ndërprerë, që njeriut  t`i ofrohen ( strukturohen ) elementet e jetesës më të volitshme dhe t`i ofrojnë atij elementet e domosdoshme dhe nevojat e ndryshme të tij.

Prej kërkesave të atyre që përmendëm, është që kjo krijesë që e ka këtë pozitë ndaj ekzistencave të tjera dhe ekzsitencat tjera ndaj tij, është që ky të jetë më i vlefshmi dhe me fisniku në përgjithësi.

Çështja tjetër është vetitë me të cilat All-llahu Fuqiplotë e pajisi njeriun në përgjithësi janë begati nga cilësitë e All-llahut  ( hyjnisë së Tij ), si dituria, fuqia, madhëria, të paturit prirje për dominim, sundim dhe pushtet etj….

Pasiqë në faktë, njeriu është depoja e hijeve dhe e rrezatimeve të cilësive të Zotit të Madhërishëm, atëherë sa i përshtatshëm  dhe i denjë që është njeriu që të jetë më i vlefshëm dhe më fisniku ndër të gjitha krijesat. Thënë shkurt, vlefshmëria e njeriut ndaj të gjitha krijesave ( me përjashtim të melaikeve ) është një e vërtetë e pakundërshtueshme, për të cilën dëshmon lajmi i vërtetë dhe argumenti racional i shëndoshë, prandaj çdo njeri e ka të detyrueshme që një gjë të till ta besoj.

Njeriu që nga fillimi i ekzistencës është i krijuar në pamjen më të përsosur dhe formën më të bukur. All-llahu xh. Sh në Kur`an thotë:

Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur”.[3]

 Pra, nyja shquese  “el”  te fjala “el – insan” është shquarje e klasës ( llojit ) si tërsi në mënyr të përgjithësuar, gjë që është e njohur mirë ku kjo tregon se këtu përfshihen të gjithë individët.[4]

E ngjashme me këtë është edhe fjala e All-llahut Fuqiplotë ku thotë:

“O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi”.[5]

Prej gjërave të konfirmuese në Sahihajnët nga Ebu Hurejre, All-llahu qoft i kënaqur me të, se i Dërguari i All-llahut a.s ka thënë:

“All-llahu Ademin e krijoi në formën që Ai e ka……”, d.m.th.., që  kur All-llahu e krijoj Ademin, forma e tij ka qenë po kjo që ka tani, e cila ka vazhduar dhe është i njohur me të. Kjo na jep të kuptojmë se ai nuk është krijuar duke kaluar prej një forme në tjetrën. Pra, përemri “ai” i kthehet “Ademit” . Po ashtu ka edhe një mendim tjetër që thotë se përemri kthehet te “All-llahu” Fuqiplotë kurse domethënia e fjalës “forma”  është “cilësia” , d.m.th, All-llahu njeriun e krijoi të dijshëm,  të vullnetshëm, të urtë, që dëgjon, që sheh……, të cilat janë cilësit e All-llahut Fuqiplotë.[6]

Ndërkaq pa marë parasysh përemrin, a e kthejm tek “Ademi” që është mendimi i masës dërmuese të dijetarëve dhe për të cilin edhe kuptimi i dukshëm i Hadithit dëshmon, apo e kthejmë përemrin tek “All-llahu”, hadithi vërteton domethënien definitive, të prerë që është në Kur`an, sepse biseda këtu është për të sqaruar nderimin që idha All-llahu Fuqiplotë, Ademit që nga filimi i krijimit të tij.

Këto vlera e shumë të tjera islami përsëri është i vetmi që me ligj mbronë vlerat njerëzore, mbronë kulturën dhe civilizimin njerëzorë, studion dhe jep mesagje humane, përhap dashuri dhe respekt, nderon pozicionin e njeriut si krijes e dalluar.

Nga e gjithë kjo kuptojmë se njeriu është krijesa më e vlefshme që ka krijuar All-llahu dhe nderin që ia ka bërë atij.

MBYTJA  E NJERIUT PA TË DREJTË  ËSHTË E NDALUAR DHE KRIM

Islami e ka shenjtëruar jetën e njeriut dhe ka ndaluar mbytjen e tij përveç kur ai shkakton ndonjë dëm në tokë. Nuk lejohet kurrfarë kërcënimi i të drejtës së njeriut për jetë, duhet të vihet në jetë parimi humanitetit, dëshira e njeriut për të jetuar, pa marrë parasysh se çfarë pozite ka, prandaj pa marrë parasysh shkakun dhe çastin që e detyron, jeta e njeriut nuk duhet të shuhet përveç se në raste të parashikuar nga All-llahu i lartësuar. All-llahu xh.sh. në lidhje me këtë, thotë:

“Edhe ata që pos All-llahut nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë[1]

Nuk duhet të rrezikohen as pasuria, as nderi, as liria, as autoriteti dhe asnjë e drejtë tjetër e njeriut. Islami rreptësisht e ka ndaluar mizorinë, format dhe mënyrat e saj, pa marrë parasysh rrethanat dhe shkaqet. Muslimani në shoqërinë islame gjakun e ka të mbrojtur dhe se ndalohet ky gjak të derdhet. Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Mbytja e besimtarit konsiderohet mëkat më i madh se sa shkatërrimi i gjithë kësaj bote.” [2]

Ajetin të cilin e cituam më lartë: “…vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë”, nënkupton dënimin për tre krime.

1.  Vrasja e padrejtë (pa faj):

Për secilin që argumentohet krimi i vrasjes, obligohet shpagimi shpirt për shpirt dhe e keqja për të keqe, ngase iniciatori është shkaktar i këtij dëmi:

All-llahu xh.sh. në lidhje me këtë thotë:

“O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri-tjetrit).”[3]

2.  Kurvëria (amoraliteti) publike e personit dhe e dëshmuar nga katër dëshmitarë të njerëzve të besueshëm. Dënimi me vdekje lejohet në qoftë se pushti e lavirja janë të martuar. Dëshmia individuale e katërfishtë para gjykatësit është e barabartë me dëshminë e katër dëshmitarëve.

3.  Dalja nga islami pas pranimit të tij me qëllim që t‘i kërcënohet xhematit islam.

Islami nuk e obligon askënd që me dhunë të hyjë në të, por në të njëjtën kohë refuzon manipulimin me fenë. Pejgamberi a.s. në lidhje me këto tri komponentë thotë:

“Nuk lejohet të derdhet gjaku i muslimanit, që dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut dhe se unë jam i dërguari i All-llahut, përveç se në njërin prej tri rasteve: Ai që është martuar por ende bën prostitucion, ai që mbyt njeri, ai që braktis fenë e vet dhe ndahet prej turmës.”[4]

Përgjegjësinë e përmbarimit të këtyre vendimeve e ka shteti islam i cili nuk duhet të lejojë që kjo përgjegjësi të bartet te individi, as të gjykojë e as të ekzekutojë individi, sepse një gjë e tillë do të shkaktonte çrregullime dhe kaos të madh në shoqërinë islame. Vetëm në rastin e vrasjes së qëllimtë që shpaguhet me marrjen e gjakut, islami e lejon që të afërmit të bëhen ekzekutues në praninë e personit autoritar, me qëllim që të qetësohen shpirtrat e tyre dhe të shuhet zjarri gjakmarrjes. Në këtë kontekst, All-llahu xh.sh. thotë:

“Dhe mos e mbytni njeriun që All-llahu e ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati). E kush mbytet pa të drejtë (pa faj), kujdestarit të tij Ne ia kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë) e ai të mos e kalojë kufirin në mbytje derisa ai është i ndihmuar (prej Zotit).” [5]

Çka nënkuptojmë prej këtyre citateve kur‘anore dhe thënieve të Pejgamberit a.s.? Ne kuptojmë se në rend të parë nuk lejohet të cenohet e drejta e njeriut për jetë, për arsye se All-llahu është shkaktar i ardhjes së tij në tokë dhe se vetëm Ai jep dhe merr jetë dhe nuk i lejohet askujt që të ngritë dorën kundër vëllait të tij që ta mbysë. Pastaj një gjë të tillë All-llahu xh.sh. e ka konsideruar krim kundër njerëzimit për të cilën e pret një dënim i madh në botën tjetër. Pastaj, Pejgamberi a.s. vrasjen e njeriut e ka renditur në mëkatet e mëdha pas shirkut.

Islami në fushën e të drejtave të njeriut – e drejta për jetë, është më i avancuar dhe mbizotëron, mbi të gjitha fetë, teoritë dhe drejtimet. Në lidhje me këtë, All-llahu xh.sh. në Kur‘an thotë:

“Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligj) beni israilëve se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur të gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është sikur t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit.” [6]

Ky ajet tregon se kërcënimi i jetës së njeriut konsiderohet kërcënim i të drejtës për jetë të të gjithë njerëzve. Pra është krim që prek mbarë botën në të drejtën për jetesë.

Bejzaviu (komentues i Kur‘anit) thotë se me këtë ajet, Zoti ka për qëllim ruajtjen e njerëzve nga vrasja që është krim tepër i madh dhe ndëshkimi për vrasësin është shumë i rëndë.[7]

Përkufizimi i përgjithshëm i jetës nënkupton se ajo është dhunti e All-llahut xh.sh. dhuruar krijesës së tij – njeriut, prandaj askush nuk është kompetent për marrjen apo mohimin e saj, veçse me të drejtë të përcaktuar. Jeta është e drejtë kolektive e të gjithëve. All-llahu xh.sh. lidhur me këtë thotë:

“Ne, vërtet jemi që japim jetë e vdekje dhe Ne jemi trashëgues (të qiejve e tokës).” [8]

Mbytja e njeriut pa të drejtë, në islam konsiderohet krim por konsiderohet edhe prej mëkateve të mëdha.

I Dërguari s.a.v.s. shumë mirë e ka sqaruar se mbytja e njeriut pa të drejtë ligjore, është një nga shtatë mëkatet e mëdha që shkatërrojnë qenien njerëzore. Ai ka thënë:

“Largohu prej shtatë mëkateve shkatërruese.” Ata thanë: “O i Dërguari i All-llahut, cilat janë ato?” Ai tha: “Politeizmi (shirku), magjia, mbytja e njeriut që e ka ndaluar All-llahu, përveç sipas të drejtës ligjore………..” [9]

Mëkati nuk vlen vetëm për vrasësin, por edhe për çdo pjesëmarrës në vrasje. qoftë me fjalë ose me vepra, pjesëmarrësi dënohet nga Zoti sipas asaj se sa ka qenë aktiv në aktin e tillë, bile edhe ai që prezanton në vrasje merr një pjesë të mëkatit. Në një hadith, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Le të mos qëndrojë ndokush prej jush në vendin ku vritet pa të drejtë ndonjë njeri. Mallkohet ai që prezanton e që  nuk e mbron!” [10]

 

-Vazhdon-

Shkruan: Rexhep Ismajli

_____________________________
[1]. El Bekare, 30
[2]. El Xhathije,  13
[3]. Et Tin,  4
[4]. Prof. Dr. Muhamed seid Ramadan el – Buti “Të vërtetat e patundshme të besimit islam” Tetovë 2004 fq, 251
[5]. El Infitar, 6 – 7
[6]. Prof. Dr. Muhamed seid Ramadan el – Buti op, cit, fq, 252
[7]. El  Furkan  68.
[8]. Sunen et -Tirmidhij, Ed – dijat, v. 5, f. 82.
[9]. El  Bekare, 179.
[10]. Fet`hul Bari, vëll. 15, f. 222. Sahihul Muslim, vëll. 3, f. 1302 nr. 1676.
[11]. El  Isra ajeti, 33.
[12]. El  Maide, 32.
[13]. H. Hafiz Ibrahim Dalliu, “Ajka e kuptimeve të Kur`ani kerimit”, Tiranë 2005, f. 587.
[14]. El  Hixhr, 23.
[15]. Sahihul Buhari, vëll. 3, f. 159; Sahihul Muslim, vëll. 1, f. 277.
[16]. Transmeton Taberaniu dhe Bejheku.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!