Njeriu u pajis me mendje të shëndoshë, e cila nga vetë natyra e shpie në besim, por jo të definuar si e proklamuan atë pejgamberët, e duke pasur parasysh natyrën e dobët njerëzore dhe të ndikuarit e forcës satanike e dominante në të, e cila insiston në lajthitjen e tij nga rruga e drejtë, shohim se në të shumtën e rasteve ajo e shpie në besim të gabuar.
Kur’ani i madhëruar në disa ajete shtron çështjen e besimit politeist tek arabët dhe sqaron esencën e besimit të tillë, bindjen e arabëve në idhuj dhe konceptin e tyre mbi Zotin. Në suren Junus All-llahu xh.sh. thotë:
“Ata pos All-llahut adhurojnë çdo gjë që nuk u bën dëm as dobi atyre, e thonë: Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek All-llahu ! Thuaj: A po informoni All-llahun me diçka që Ai nuk e di se ç’ka në qiej dhe në tokë? I pastër është madhëria e Tij nga ajo që i shoqërojnë!” (Junus, 18)
Idhujt tek ata adhuroheshin me shpresë se do t’i afrojnë tek All-llahu i Madh dhe do të ndërmjetësojnë për ta te Ai dhe se ata janë transferuesit e shpirtrave të tyre te All-llahu xh.sh..
Format dhe mënyrat e adhurimit tek arabët ishin të ndryshme, si qëndrimi në këmbë afër idhullit, të cilin e adhuronin dhe i luteshin, duke kërkuar prej tij mbrojtje, ndihmë, duke u lutur për dëshira dhe duke besuar dhe shpresuar ndihmën e tij. Rreth idhujve bënin pelegrinim, tavaf (ecnin rreth e përqark tyre), bënin sexhde para tij dhe ishin të përulur dhe të penduar. Para idhullit thernin kurban, me ndihmën e të cilit orvateshin t’i afrohen shenjtërisë së tij. Një nga mënyrat e të afruarit hyjnisë ka qenë edhe ofrimi i ushqimit dhe pijes. Gjithashtu ndanin nga një pjesë të lashtave dhe i sillnin para idhujve.
Çdo fis e kishte zotin – idhullin e vet, bile edhe çdo shtëpi veç e veç. Është evidente se në kohën e çlirimit të Mekes, Resulull-llahi, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka hasur në 360 idhuj në Ka’be, të cilët i ka rrëzuar dhe i ka thyer. Rreth e përqark ka’bes arabët kishin vendosur idhuj dhe rretulloheshin rreth tyre, ndërsa nisur nga parimi jo logjik se njeriu nuk mund të bëjë tavaf me teshat të cilat i veshë në jetën e përditshme, urdhëruan që të sillen lakuriq. Ata e kishin zakon që mos të hyjnë në shtëpi nga dera kryesore, përderisa ishin në ihram, kurse në pjesën e mbrapme të shtëpisë e hapnin një koridor nëpër të cilën hynin dhe dilnin.
Koncepti i arabëve para Islamit mbi Qenien Absolute, Zotin, pësoi ndryshime. Disa cilësi të All-llahut xh.sh. i mohonin, duke i emërtuar ato me emra të cilët nuk i takonin dhe që ishin jo të drejtë. Ata mendonin se melekët janë bijat e Zotit, xhinët ia bënin partner, kërkonin ndihmë prej tyre dhe atyre i përshkruanin fuqi të madhe. Për atë, kur qëndronin në ndonjë vend thonin: “Kërkoj ndihmë prej zotëriut të këtij vendi” e me këtë kishin për qëllim xhinin më të madh. Bënin ndarjen e shumë gjërave me ndihmën e shigjetave pa pupla, të cilat shërbenin për bixhoz dhe për lojë, që i përdornin për të marrë vendime lidhur me punën, udhëtimet, martesën. Arabët besonin në fjalët e “kahinëve” – parashikuesve të ardhmërisë, “arrafëve” – atyre të cilët e konsideronin veten si njohës të ngjarjeve me shkaqe, p.sh. kush është vjedhësi, ku ka ndodhur vjellja dhe çka është vjellur, astrologëve, të cilët zbulonin fatin dhe ngjarjet nëpërmjet horoskopit dhe yjeve. Besonin në parashenja (isharetet e këqija) apo në pesimizëm, p.sh. kalimi i macës përtej rrugës ose fluturimi i zogut përmbi kokë, e konsideronin fatkeqësi. I afroheshin zogut apo kaprollit për ta trembur, dhe nëse ikte në anën e djathtë, vazhdonin punën e filluar dhe e konsideronin hajr, e nëse ikte në anën e majtë, ata e ndërprenin punën e filluar duke parë në të parashenjë “të keqe”. Këtyre zakoneve shortare mund t’u shtohen edhe disa të tjera si p.sh.: bartja e shputës së lepurit rreth qafës, pastaj droja, frika prej disa ditëve apo muajve, prej disa kafshëve, grave etj. Betoheshin për Latin dhe Uzanë, krenoheshin me paraardhësit e tyre dhe i nënçmonin të tjerët. U përhap falli dhe magjia, si në vendet përreth, po ashtu edhe në Arabi; filloi të depërtojë besimi në mundësinë e ndihmës së yjeve, prandaj kërkonin shi prej yjeve dhe i falenderonin ata. Mohonin shpalljen e të dërguarve, dhe sipas tyre i dërguari i All-llahut nuk mund të jetë njeri.
Përveç idhujtarisë në ujdhesën arabe ishte i pranishëm edhe Jehudizmi, i cili kryesisht ishte i përhapur në Hajber, Jethrib (Medine) dhe në Jemen. Ndër arabët nuk u përhap kjo fe për arsye se jehudijtë pretendonin se, gjoja, ata janë popull i zgjedhur nga Zoti. Ato nuk kanë pasur interesim të përhapin fenë e tyre sa kanë pasur interesim të grumbullojnë pasuri. Sjelljet e tyre kanë qenë jo të mira si mashtrimi, tradhtia, lakmia, dhe nxitimi kah pasuria, që ishin në kundërshtim me sjelljet e Arabëve.
Krishterizmi ishte i përhapur në Nexhran – në veri të Jemenit, i cili ka ardhur nga Abisinia. Në veri e pranuan fiset arabe Gassasin, Taglib, Tajj dhe disa fise të tjera që kufizoheshin me Bizantin, si dhe disa sundimtarë të Hirasë.
Më të përafërt me Islamin ishin pasuesit e Ismailit dhe Ibrahimit a.s. – “El-hanifijun”, të cilët besonin Zoti xh.sh., Ringjalljen, Ditën e Gjykimit dhe se do të vijë një pejgamber në Ahiri Zeman, i cili do t’i nxjerrë njerëzit prej errësirës në dritë. Numri i tyre ishte i vogël. Ndërsa adhurimin e Zjarrit kryesisht e pranuan arabët që jetonin në viset kufitare kah Persia. Ithtarë të këtij besimi ka pasur edhe në Irak, Bahrein si dhe në brigjet e gjirit arabik, këta ishin të njohur si “Mexhusij”.
Shoqëria arabe paraqiste sinonim të kategorizimit të popullatës, në të vërtetë, pozitave të ndryshme në shoqëri. Popullatën në Mekë, kryesisht, e përbënin tri shtresa:
Shtresën e parë e përbënin fisnikët dhe prijësit e familjeve. Autoriteti i tyre ishte ose nga pasuria ose nga fisnikëria e prejardhjes së tyre. Këta ishin faktorët vendimtarë dhe kreativ në shoqëri dhe në jetën e përgjithshme të bashkësisë. Për këtë ata lavdëroheshin nga poetët e kohës dhe kishin pozita të larta.
Shtresën e dytë e përbënin qytetarët e thjeshtë, të cilët nuk kishin ndonjë ndikim me rëndësi në shoqëri, por, në krahasim me shtresën e tretë, këta kishin një përparësi mjaft me rëndësi. Kjo shtresë ishte më e lirë, gëzonin të drejta më të mëdha dhe kishin të drejtë qeverisjen me pasurinë e tyre.
Shtresa e tretë, ishte shtresa më e ulët e shoqërisë. Këtë shtresë e përbënin robërit, të cilët nuk kishin asnjë ingerencë në jetën e tyre me karakter shoqëror. Ata, thjeshtë, ishin pronë e zotërinjve të tyre, të cilët i përdornin për çka të donin dhe nuk guxonin t’i kundërshtojnë. Zotërinjtë, po ashtu gëzonin të drejtën e shitjes së tyre. Në një gjendje të këtillë robi nuk posedonte pasuri të veten, por edhe vetë ai ishte pronë e zotëriut, përveç atij të cilit i falej liria, ai atëhere fillonte një jetë tjetër. Ndodhte që liria robit t’i paguhej me të holla sipas caktimit të zotëriut.
Në kohën kur mbretëronte injoranca (periudha paraislamike), morali njerëzor ndër arabët qe në një nivel shumë të ulët, si nga ana e meshkujve poashtu edhe nga ana e femrave, aq sa gruaja nuk dinte dhe nuk përpiqej aspak të ruajë nderin dhe moralin e saj. Ajo nuk mbulohej si duhej, dhe pa pikë turpi dilte ashtu dhe nuk i largohej asnjë burri, si nga të njohurit, ashtu edhe nga të panjohurit.
Autor: Rifat Jusufi
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!
Nuk besoj qe jon kan ma tiran se ne ditet e sotit as ne kohen para shpalljes se islamit