Sikurse dihet, ndikimi i Kuranit në jetën e shqiptarëve është i pranishëm që nga shek. XV, por idenë për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe e gjejmë që në kohën e Rilindjes Kombëtare, kur Ilo Mitko Qafëzezi, më 1921, kishte botuar të përkthyera në shqip 6 suret e para të Kuranit. Më vonë, nismëtarë për përkthimin e Kuranit do t’i gjejmë dy personalitete të shquara në fushën e islamogjisë, por dhe në fushën e atdhetarizmit: Hafiz Ali Korçën dhe Hafiz Ibrahim Dalliun. Përpjekjet për të përkthyer Kuranin në gjuhën shqipe kanë vazhduar edhe më 1944, kur qe bërë edhe një përkthim, i cili nuk arriti t botohej, sikundërqë nuk u botua as përkthimi i Vehbi Ismailit në ShBA dhe ndonjë tjetër.
Qershori i vitit 1985 ndërkaq, shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës islame në gjuhën shqipe, sepse për herë të parë në Prishtinë u botua përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe.
Këtë fat e pati Feti Mehdiu, i cili, pas një pune disa vjeçare, shqiptarëve u ofroi përkthimin e Kuranit në gjuhën e tyre, të cilin përkthim e botoi Kryesia e Bashkësisë Islame në Prishtinë[2].
Përkthimi i parë komplet i Kuranit në gjuhën shqipe ndonëse nga besimtarët myslimanë shqiptarë qe pritur shumë mirë, dhe ndonëse interesimi për të pasur një ekzemplarë të tij ishte jashtëzakonisht i madh, sa që atë botë ky ishte libri më i kërkuar në Kosovë, megjithatë në shtypin shqiptarë nuk pati ndonjë jehonë të theksuar.
Shtypi shqiptar që botohej në Kosovë nuk i kushtoi ndonjë vëmendje këtij përkthimi, dhe këtë nuk e bëri as shtypi shqiptarë jashtë kufijve të Kosovës.
Duke shfletuar shtypin shqiptar, del përshtypja se interesimi për këtë përkthim të Kuranit u bë me mjaftë vonesë.
Pavarësisht rrethanave dhe arsyeve që kanë ndikuar për këtë fakt, shkrimet në shtypin shqiptar për përkthimin e parë komplet të Kuranit në gjuhën shqipe duhet ndarë në dy periudha.
Periudha e parë nga viti i botimit 1985 e deri më 1992, kur kemi vetëm dy shkrime dhe atë vetëm në Kosovë dhe
Periudha e dytë nga viti 1992 e këndej, ku kemi një mori shkrimesh në shtypin shqiptar, jo vetëm në Kosovë, – siç ndodhi në periudhën e parë, – por gjithandej trojeve shqiptare.
Në të vërtetë, dy vjet pas botimit të Kuranit të përkthyer në gjuhën shqipe, d.m.th. në vitin 1987, në gazetën “Rilindja”, e cila, megjithëse ishte nën ndikimin e politikës zyrtare të kohës, u botua shkrimi i parë për përkthimin e parë të Kuranit në gjuhën shqipe[3].
Në qoftë se bashkëkombësi ynë i fesë krishtere Ilo Mitko Qafzezi më 1921 ishte i pari që bëri një përpjekje serioze për të përkthyer Kuranin në gjuhën shqipe, një bashkëkombës tjetër, po i fesë krishtere nga Prishtina, Prof. Dr. Engjëll Sedaj, ishte i pari që shkroi në shtypin shqiptar për përkthimin e parë të Kuranit në gjuhën shqipe.
Ky artikull nën rubrikën “Mbresa”, mban titullin “Duke e lexuar Kuranin në gjuhën shqipe”. Kurse shkruesi i tij, mbetet autori i parë në shtypin shqiptarë që ka shkruar për përkthimin e parë të Kuranit në gjuhën shqipe. Sigurisht që ky shkrim ka simbolikën e vetë dhe fletë për marrëdhëniet e mira dhe tolerancën ndërfetare tek shqiptarët jo vetëm në Kosovë.
Në vitin 1986 në vjetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës “Takvim” do të botohet edhe një vështrim kritik nga Emin Behrami[4], të cilit, një vit më vonë, do t’i përgjigjej përkthyesi Dr. Feti Mehdiu[5].
Ndonëse kjo periudhë ishte fare e varfër, vitet që do të pasojnë, në shtypin shqiptarë gjithandej ku jetojnë shqiptarët, do të vërshojnë lajme, informata, analiza, komente e vështrime për përkthimin e parë të Kuranit në gjuhën shqipe, madje do të bëhen edhe disa intervista me përkthyesin Dr. Feti Mehdiu.
Në këtë periudhë, në revistën “Dituria Islame”, do të botohet një vështrim për përkthimet e Kuranit nga aspekti gjuhësor nga Prof. Isa Bajçinca[6], ku një pjesë do t’i kushtoj edhe përkthimit të parë. Ky vështrim pasohet nga një reagim i Prof. Dr. Mehmet Halimi[7], po në “Dituria Islame”.
Në vitin 1999 në gazetën “Flaka”, që del në Shkup, do të botohet një intervistë me Prof. Dr. Feti Mehdiun, përthyesin e parë të Kuranit komplet në gjuhën shqipe[8].
Në vitin 1999, Dr. Feti Mehdiu e botoi për herë të dytë përkthimin e tij të Kuranit me disa përmirësime, në këtë rast këtë përkthim e quajti me një titull shumë domethënës “Kur’ani dhe Hija e tij shqip”[9].
Duke pasur parasysh se në këtë kohë qenë krijuar rrethana të reja për shqiptarët, ky botim pati një jehonë të madhe. Atë që s’e bëri shtypi shqiptar për botimin e parë, sikur u mundua ta lajë me rastin e ribotimit të këtij përkthimi.
Kështu shkrime për këtë ribotim do të hasim në gazetat ditore që botohen në Prishtinë, si “Rilindja”, “Zëri, “Drita”, “Kosova Sot”, dhe në gazeta të tjera. Gjithashtu u shkrua po thuajse në të gjitha gazetat shqiptare që botoheshin asokohe në Kosovë edhe për promovimin e këtij përkthimi që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Prishtinës[10].
Në vitin 2005 kur u bënë 20 vjet nga përkthimi i parë i Kuranit në gjuhë shqipe, në organizim të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në Prishtinë u mbajt një sesion shkencor me temën bosht “Kurani tek shqiptarët”, ku u bë fjalë edhe për përkthimin e parë të Kuranit në gjuhën shqipe.
Po në këtë vit u bënë edhe disa intervista me përkthyesin e Kuranit, nga revistat “Mendimi Islam” që botohet në Prizren, “Argumenti” (mars 2006, f. 24-25) në Prishtinë, “Këshilla” në Tiranë, kurse shtypi ditor, përveç si informacion, botoi një vështrim të Ramadan Shkodrës me titull “20-vjet të përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe (1985-2005)”, i cili vështrim u botua po thuaj në të gjitha gazetat e Prishtinës dhe u plasua në ueb-faqe të ndryshme. Ky shkrim u botua në “Zëri”, “Epoka e Re”, “Dituria Islame”, “Java”, “Kosova Sot”, etj., po edhe në Shqipëri, si në revistën “Universi” etj.[11]. Ramadan Shkodrës i takojnë meritat kryesore se në shtypin shqiptar të këtyre viteve gjejmë informata dhe shkrime për përkthimin e parë të Kuranit në gjuhën shqipe.
Për përkthimin e parë të Kuranit në gjuhën shqipe si një ngjarje e madhe, si në rrafshin fetar ashtu edhe në atë kulturor e shkencor, sigurisht që ka informacione dhe shkrime edhe në ndonjë gazetë a revistë tjetër me karakter lokalë, që këtu për arsye të kuptueshme edhe mund të mos jenë përmendur. Në anën tjetër, në faqe të ndryshme të internetit ka informacione të bollshme për këtë përkthim.
Nga sa u tha më sipër mund të përfundojmë se:
- Numri i shkrimeve, informatave, intervistave, vështrimeve të botuara në shtypin shqiptar për përkthimin e parë komplet të Kuranit në gjuhën shqipe, dëshmon për një interesim të vazhdueshëm për këtë përkthim.
- Në periudhën e parë 1985-1992, ky përkthim më shumë jehonë ka pasur në shtypin që botohej në gjuhën serbokroate në ish-Jugosllavi[12] dhe nw shtypin arab[13] se sa në shtypin shqiptar që botohej asokohe gjithandej ku jetojnë shqiptarët.
- Në periudhën e parë, – edhe pse jo përmes shtypit, – jehona për botimin e këtij përkthimi të Kuranit përhapej me shpejtësi drite nga goja në gojë, nga veshi në vesh, nga zemra në zemër…, për të flitej me të madhe në oda e mexhlise të ndryshme, në hydbet dhe në qyrsitë e xhamive.
- Në periudhën pas 1992 shkrimet për këtë përkthim janë të bollshme dhe të natyrave të llojllojshme, e megjithëkëtë për këtë përkthim ka nevojë dhe duhet të shkruhet edhe më shumë.
- Dhe në fund fare, përkthyesit të parë të Kuranit në gjuhën shqipe Akademik Feti Mehdiut i qoftë hallall, jo pse hyri në histori, por sepse e bëri historinë, duke na dhënë një përkthim solid të Kuranit në gjuhën tonë dhe kështu ua mundësoi bashkëkombësve të tij që ta lexojnë dhe ta kuptojnë Librin e Allahut në gjuhën e tyre.
Prizren, më 30.04.2010
_____________________
[1] Kumtesë e lexuar në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, më dt. 30.04.2010, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të përkthimit të parë komplet të Kuranit në gjuhën shqipe.
[2] “Kur’an-i”, përktheu Feti Mehdiu, botoi Kryesia e Bashkësisë Islame për RSS, Prishtinë, 1985.
[3] Engjëll Sedaj, Duke lexuar Kuranin në gjuhën shqipe, në gazetën “Rilindja”, e shtundë 14.02.1987.
[4] Emin Behrami, Vështrim Kuranit të përkthyer në gjuhën shqipe nga Feti Mehdiu, në: “Takvim”, Prishtinë, 1986, f. 148-160.
[5] Feti Mehdiu, Për Kur’anin me Kur’an, në: “Takvim”, 1987.
[6] Isa Bajçinca, Mbi përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe, në: “Dituria islame”, nr. 36, Prishtinë, 1992, f. 21-25.
[7] Mehmet Halimi, Vështrim i vonuar, por i dëshiruar, në: “Dituria islame”, nr. 38, Prishtinë, 31-33.
[8] Intervistë me Prof. Dr. Feti Mehdiun, studiues dhe profesor igjuhës arabe në Univeristetin ePrishtinës, Kur’ani bosht i literaturës islame, në: “Flaka”, e shtunë 11-12 dhjetor 1999, Shkup.
[9] “Kur’ani dhe Hija e tij shqip”, përktheu Feti Mehdiu, botoi Logos A-IHH, Stamboll 1999.
[10] Shih p.sh. shkrimet: V. Veliu, Kur’ani dhe hija e tij shqip, në: “Rilindja”, Prishtinë, dt. 12.8.200, R. Shkodra, Doli nga shtypi botimi i dytë “Kur’ani dhe hija e tij shqip”, në: “Dita”, e enjte 13 korrik 2000; Habib Zogaj, Latinët, Kur’anin e përkthyen qysh në vitin 1141, në: “Kosova sot”, 28.04.2000, etj.
[11] Ramadan Shkodra, 20-vjet të përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe (1985-2005), si për shembull në: “Epoka e re”, e shtunë 2.7.2005; I njëjti, në: “Kosova sot”, m e shtunë-e diel 25-26 qershor 2005; I njëjti, në: “Dituria Islame”, nr 179, Prishtinë, 2005, f. 31-33, si dhe në gazeta e revista të tjera.
[12] ***, Prevod Kur’ana na albanskom jeziku, në: “Glasnik”, nr. 4/1985, Sarajevo; Idriz Demirović, Događaj albanske kulture, në: “Glasnik”, nr. 5/1985, Sarajevo, ***, Kur’an na albanskom, në: “Glas koncila”, nr. 45, dt. 10 nëntor 1985, Kur’an na albanskom, në: “Islamska misao”, nr. 85, Sarajevo, 1985; Deset najtraženi knjiga, në: NIN”, Beograd, 12 janar 1986; Darko Tanasković, Prvi prevod Kur’ana, në albanski, në: “Kultura istoka”, 1986 etj.
[13] Muhammed Mufak, Tarğama ğadīda li al-Kurān al-Kerīm ilal-luga al-Albāniyya, në” Mulhaq ath-thulātha”, 17 dhjetor 1985; I njëjti, Tarğamatāni ğadīdatāni fī Makdunya li ma’ānī al-Kurān al-Kerīm, në: “al-Hayāt”, 28 prill 2000.
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!