Frika nga vdekja dhe shqetësimet që vijnë në namaz

Pyetja:

Esselamu alejkum!

Hoxhë i nderuar, kam nevojë për një këshillë në lidhje me dy shqetësime të miat. E para, jam ftohur nga jeta dhe kam filluar që të frikësohem së tepërmi edhe nga vdekja, por, si rrjedhojë, ruhem edhe nga mëkatet. Dhe e dyta, gjatë kryerjes së namazit më shqetëson diçka zemrën, sa që edhe frymë më ndalet, po ashtu, edhe hapja e gojës më ndodh shumë shpesh. Çfarë do më këshillonit?

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Përgjigja e parë: Para së gjithash pa tjetër të kuptojmë se frika është instinkt i njeriut, dhe asnjëherë nuk mund të largohet apo evitohet nga njeriu. Edhe pse nuk ekzistojnë parametra për të vlerësuar saktësisht nivelin e frikës, psikologët frikën e kanë ndarë në disa kategori që janë: frika në shkallë të normales që është brenda kornizave të instinktit njerëzorë, dhe frika që është mbi normalen apo natyrshmërinë e njeriut, e kjo më veç është shndërruar në sëmundje që duhet mjekuar.

Në rastin konkret, në bazë të asaj që ju keni paraqitur në pyetjen tuaj, unë mendoj se frika e juaj është brenda normales nga arsyeja se ju mbron nga mëkatet. Në të shumtën e rasteve nëse frika nga vdekja është si rezultat i asaj se pas vdekjes kemi përgjegjësi para Krijuesit Absolut, dhe kemi frikë për punët tona në jetën e kësaj bote, mendoj se kjo frikë është e arsyeshme dhe profitabile, sepse jep rezultate konkrete dhe njeriu përgatitet për të. Andaj Pejgamberi a.s. ka thënë: „Përkujtojeni rrënuesin e këndshmërive (vdekjen)”, sepse përkujtimi në të, shpien në veprime të mira. Ajo që të përforcon në këtë është Dhikri, të përmendurit e Allahut xh.sh., falja e namazit rregullisht, leximi i Kur’anit dhe shumë punë të tjera të mira, që të largojnë nga mëkatet. Pra, besimtari islam jeton mes frikës dhe shpresës, friket nga përgjegjësia por shpreson jetën më të mirë në botën tjetër. Është ngjashëm sikur një student para provimit, sa do që të ketë mësuar, sërish ka frikë, por me punën e tij shpreson notë të mirë dhe jetë më të mirë. Mirëpo nëse njeriu frikësohet nga vdekja sepse është i detyruar të braktisë të mirat e kësaj jete dhe luksin e tij në këtë botë, duke mos menduar në përgjegjësinë e jetës tjetër, atëherë ajo është sëmundje që duhet shëruar, e i vetmi ilaç është imani- Besimi në Allahun xh.sh.

Sa i përket pyetjes së dytë, veprime të tilla mund të ndodhin, por ju duhet të jeni kureshtar dhe këmbëngulës në kryerjen e namazit, leximit të Kur’anit etj, sepse pikërisht në këto momente jeni në luftë të thellë me djallin, i cili tenton që me çdo kusht të vejë zemrën tuaj në gjumë, por ju asnjëherë mos ia lejoni këtë luksuz djallit. Pra këmbëngulni në faljen e namazit dhe në leximin e Kur’anit.

Allahu e di më së miri!

___________________
Jusuf Zimeri
Dhjetor, 2011
www.breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!