Trashëgimi

Kurani më i vjetër në botë

Në një qoshe të fshehtë të kryeqytetit Uzbek, Tashkent, gjendet një nga reliktet më të lashta të Islamit – Kurani më i vjetër në botë. Është një shenjë që tregon për rolin që ka luajtur Azia Qendrore në historinë Islame – një fakt që shpesh nuk është vënë re pas shtatë dekadave të ateizmit të imponuar sovjetik.

Biblioteka në të cilën ruhet Kurani ndodhet në një zonë të vjetër të Tashkentit e njohur si Hast-Imam, një shteg goxha i rrahur nga vizitorët e shumtë. Ajo shtrihet poshtë ca rruginave të pluhurosura, pranë varrit të dijetarit të shekullit të dhjetë, Kaffel-Shashit. Myftiu i Uzbekistanit, lideri më i lartë fetar i shtetit, ka zyrën e tij aty, në oborrin e një medreseje të vjetër. Matanë rrugës qëndron një xhami si dhe medreseja e veçantë Mui-Mubarek.

“Përafërsisht 20.000 libra e 3000 dorëshkrime ruhen në këtë bibliotekë, – thotë Ikram Ahmedov, asistent në zyrën e myftiut. -Ato kanë të bëjnë me historinë mesjetare, astronominë dhe mjekësinë. Ka gjithashtu komentime rreth Kuranit dhe librave të ligjit. Por libri më i vjetër këtu është, padyshim, Kurani i Osmanit r.a. i cili daton që nga shekulli i shtatë.”

Versetet e shenjta

Kurani i Osmanit r.a. ishte mbledhur në Medine nga vetë ai, kalifi apo lideri i tretë mysliman. Përmbledhja e tij është bërë në vitin 651, vetëm 19 vjet pas vdekjes së Profetit. Ky Kuran i çmuar mbahet në një kube qelqi e futur në murin e një dhome të brendshme. Rreth një e treta e origjinalit ka mbijetuar – afër 250 faqe.

“Kurani është shkruar mbi lëkurë dreri, – thotë Ahmedov. -Ishte shkruar në Hixhaz në Arabinë Saudite, kështu që shkrimi është i Hixhazian, i ngjashëm me atë Kufik.”

Transmetohet se kalifi Osman r.a. ka bërë pesë kopje të Kuranit origjinal. Një Kuran i pjesshëm i cili gjendet në Pallatin Topkapi në Stamboll thuhet se është njëri nga këto kopje origjinale.

Historiku i tij

Tregimi se si Kurani i Osmanit r.a. arriti në Tashkent është i mrekullueshëm. Pas vdekjes së Osmanit r.a. besohet se kalifi Alir r.a. e kishte sjellë atë në Kufe, në Irakun e sotëm. Shtatë qind vjet më vonë, pushtuesi i Azisë Qendrore, Tamerlani, e kishte gjetur atë dhe vendosi që ta sjellë në shtëpi për ta hijeshuar kryeqytetin e tij madhështor, Samerkandin.

Aty qëndroi për më së katër shekuj, deri sa Rusët pushtuan Samerkandin më 1868. Më pas guvernatori rus e çoi Kuranin e Osmanit r.a. në Bibliotekën e Madhe të St. Petersburgut. Pas revolucionit Bolshevik, Lenini e dërgoi Kuranin në Ufa në Bashkortostanin e sotëm.  Por, pas apelimeve të njëpasnjëshme nga myslimanët e Tashkentit, në vitin 1924 ai u kthye edhe një herë në Azinë Qendrore. Qysh atëherë ka mbetur në Tashkent.

Kurani më i vjetër në botë vazhdon të qëndrojë në lagjen mesjetare të Tashkentit të vjetër.

____________________

Nga: Ian Mac Williams

Përktheu: Jeton Mehmeti

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!