Sprovat e kësaj bote (V)

Durimi, anija shpëtuese në raste sprovash

Shkruan: Mehas Alija

(Pjesa e pestë)

Durimi është elementi më i përshtatshëm për kapërcimin e vështirësive dhe ngritjes shpirtërore, ndërsa ndihmësi i tij, namazi, është baza ku ai i akumulon forcat për të qenë ai “durim i mirë” që e ka pëlqyer Krijuesi dhe Jakubi a.s., kur, pasi e humbi edhe djalin e dytë Beniamiin, tha: “Halli im është: durim i mirë!”[1]. Allahu, xh.sh., thotë: “Kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtetë Allahu është me durimtarët.”[2]

Durimi shërben për frenimin e shpirtit ndaj shqetësimeve, provokimeve, depresionit dhe të gjitha sprovave e kësaj botë.

Si vlerë dhe virtyt i besimtarit, durimi është mekanizmi i disiplinimit të shpirtit, egos dhe trupit të tij dhe faktori që për të do të marr shpërblime të shumta dhe madhështore. Allahu në Kur’anin fisnik na premton shumë dhunti që burojnë nga durimi, po që se atë e bëjmë në suaza të kuadrit dhe disiplinës hyjnore.

“…Dhe bëhuni të durueshëm, sepse Allahu është në anën e durimtarëve.”[3]

“Vetëm ata që janë durimtarë do të shpërblehen pa hesap.”[4]

“Dhe përgëzoi durimtarët. Ata të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: ‘Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.’ Ata te Zoti i tyre i pret falja e mëkateve dhe mëshira, të tillët janë në rrugë të drejtë.”[5]

Jakubi, a.s., për ta harruar dhimbjen që e kishte për humbjen e djalit të tij, Jusufit, a.s., thoshte: “Unë dhimbjen time dhe hidhërimin tim ia parashtroj Allahut.”[6] Në këtë formë i dërguari i Allahu, Jakubi, a.s., demonstronte besimin dhe forcën e durimit që ia kishte falë Allahut kundrejt sprovës që e kishte kapluar atë dhe familjen e tij, për humbjen e djalit më të dashur.

Koncepti i durimi në Kur’an është gjithëpërfshirës dhe mund të haset në shumë vende, madje thuhet se virtyti më i përmendur në Kru’an (90 herë) është durimi. Durimi nuk kërkohet vetëm gjatë përballimit të sprovave por edhe gjatë zbatimit të dispozitave dhe mësimeve fetare. Çdo punë kërkon kohë dhe durim. Edhe diellit që na bën dritë, i duhet me durim t’i kaloj fazat e tij, nga lindja në zenit dhe nga zeniti në perëndim. Ashtu siç edhe këndon poeti:

 

“…Durimin kishte shkop
Që ecte përpjetës e tatëpjetës
Si durimi i diellit
Që ngadalë del në zenit
E ngadalë perëndon…”[7]

 

Ajo që e bënë të veçantë dhe ia ngrit vlerën durimit edhe më shumë është fakti se Allahu me atë cilësi e ka përshkruar Vetveten. Ndër emrat dhe cilësitë e Allahut është “Es-Sabur – I Durueshmi, Durimtari.” Në këtë srukturë të shprehjes, fjala “Es-Sabur” në gjuhën arabe ka kuptimin e durimit që është i gjithmonshëm, i përhershëm, gjë që është në kontrast me cilësinë e durimit tek krijesat.[8]

Ka thënë i Dërguari i Allahut, Muhammedi, s.a.v.s.: “Asnjë nuk është më i durueshëm sesa Allahu i Lartësuar, Atij i shoqërojnë ortak dhe i shpifin se ka fëmijë, ndërsa Ai u jep shëndet dhe risk.”[9]

Në një rast tjetër, i Dërguari, s.a.v.s., ka thënë: “Dije se nëse duron në fatkeqësinë që të ka rënë, aty ka të mira të mëdha dhe se fitorja vjen vetëm se nëpërmjet durimit, pas ankthit vjen qetësia dhe pas vështirësisë – lehtësimi.”[10]

Ndërsa transmetohet se Aliu, r.a., ka thënë: “Durimi për imanin (besimin) është sikur koka për trupin.”[11]

Pra, të nderuar vëllezër e motra, duke e pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e gërshetimit të kësaj cilësie sublime nga ana e besimtarit, e që s’ka fare dyshim se ajo i nevojitet për çdo çast të jetës, konsiderojmë se durimi është “anije” që bart dhe shpëton besimtarin nga shtrëngatat e “dallgëve të detit” që quhet jetë.

 

Përfundim

Nga e gjithë kjo u bë e qartë se jeta në këtë botë është e mbushur me sprova dhe vuajtje. Jeta do të jetë gjithmonë një sfidë, derisa ajo të na çojë në botën tjetër. Sprovat i kemi të paevitueshme dhe s’duhet të kihet frikë dhe trishtim prej tyre. Tani më e kemi të qartë rolin e tyre dhe se ne duhet me besim dhe bindje të paluhatshme të demonstrojmë vullnet dhe prirje pozitive drejt përballimit dhe kapërcimit të vështirësive që ato bartin me vete dhe të mos lejojmë të bëhemi pre e dështimit dhe mosdurimit, e që të na ngjaj puna sikur me ato që nuk duruan dhe u shkatërruan.

Nëpërmjet trupit të shëndosh, kohës, pasurisë, dijës, dhe gjithë asaj që i është dhënë njeriut si dhuratë për të demonstruar bindje dhe respekt ndaj Allahut, xh.sh., dhe Ligjit të Tij, ai (njeriu) tregon maturi dhe falënderim dhe asnjëherë nuk ankohet në qoftë se i privohet ndonjëra prej këtyre dhuntive. Ai e dinë se Allahu edhe i jep edhe i merr, prandaj duron i palëkundshëm. E shfrytëzon anën pozitive të sprovës, ndërsa anën negative e përballon me besim dhe bindje të pakontestueshme. Besimtari i vërtetë për dhuntitë që ia ka falë Allahu, xh.sh., ai ia kthen ato, kështu nëse Zoti i ka dhënë pasuri, ai e jep zekatin dhe sadakanë, nëse i ka dhënë shëndet, ai i kryen të gjitha urdhrat e Tij, ndërsa kur këto nuk i posedon, ai përsëri nuk e mohon falënderimin për disa dhunti të tjera, madje, edhe nëse nuk ka asgjë tjetër që të bëhet shkak për t’u falëndëruar,  mjafton që jetën e ka si dhuratë dhe për të duhet ta falënderoj Atë.

Dhe në fund e lusim Allahun e Lartmadhërishëm që ta ndihmojë për t’i përballuar sa më lehtë sprovat dhe të mos të na bëj prej atyre që për një çast dështojnë, vetëm e vetëm pse janë të dobët dhe të padurueshëm.

O Zot, forcona drejt mbarësive dhe sukseseve,

Jepna forcën e gjuhës dhe shpirtit,

Forcën e mendjes dhe zellit,

Që botën ta zgjojmë nga kjo letargji mbytëse,

E ta vendosim rendin dhe paqen në tokën Tënde.

Amin!

 

-FUND-

Pjesa e parë:
Sprovat e kësaj bote – Domethënia dhe urtësia e sprovës

Pjesa e dytë:
Dy anët kryesore të sprovës

Pjesa e tretë:
Sprovat mund të jenë të llojllojshme

Pjesa e katërt:
Të sprovuar kanë qenë edhe pejgamberët

 

Shkroi: Mehas Alija

 

______________________________
[1] Jusuf, 18.

[2] Bekare, 153.

[3] Enfal, 46.

[4] Zumer, 10.

[5] Bekare, 155-157.

[6] Jusuf, 86.

[7] Mehas Alija, Përmbledhje poezish. (Dorëshkrim)

[8] Shih më gjerësisht: Amër Halid, Përmirësimi i zemrave, fq. 73.

[9] Buhari dhe Muslimi.

[10] Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hase-sahih.

[11] http://www.novihorizonti.com/test/tekst.asp?ArtikalID=947

 


Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!