Vrasja e njeriut në Islam (IV)

Vrasja (mbytja) në tradita dhe zakone

Me vrasje sipas të drejtës zakonore kuptohet ajo vepër që ia privonte jetën personit tjetër, e kryer me faj dhe e parashikuar nga normat penale të së drejtës zakonore të mbledhura në kanune.[1]

Në këto vende pasi nuk kishte shtet të organizuar, nuk ka dyshim që roli i normave të saj (të drejtës zakonore) në mbrojtje të personit ishte pozitiv, sepse ia priste rrugën arbitraritetit, dhunës, vrasjeve pa kufi etj. Ato norma marrin nën mbrojtje jetën e personit që nga lindja e tij.

Sipas të drejtës zakonore penale, vrasja mund të kryhej me veprime aktive dhe me mosveprime (me porosi, direkt dhe indirekt). Materialet e grumbulluara në kanune dëshmojnë se shumica e madhe e vrasjeve kryhej me veprime aktive, duke përdorur mjete të ndryshme, sidomos pushkën.

Vrasja për t’u quajtur krim për t’u dënuar, duhet të parashikohet nga e drejta zakonore penale si vepër që binte në kundërshtim me normat e saj.

Veçoria e së drejtës zakonore penale është se ajo njeh edhe vrasje të padënueshme si p.sh. vrasja e fëmijës nga babai, vrasja e gruas në marrëdhënie seksuale bashkë me personin me të cilin kryente aktin seksual, vrasja ndërmjet njëri-tjetrit – krye për krye, gjak për gjak etj.

Për krimin e vrasjes mund të përgjigjej cilido burrë që ishte i aftë për të mbajtur armë (rreth moshës 14-15 vjet). Gruaja në çdo rast nuk kishte përgjegjësi penale, sepse ajo nuk mbante armë, për vrasjen që ajo mund ta kryente përgjigjej prindi i saj, sipas parimit: “Gruaja s’bien në gjak” sepse botëkuptimi fisnor patriarkal gruan e konsideron si e huaj në familje.[2]

Vrasja kryhej me dashje (me qëllim) dhe nga pakujdesia, kështu edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit dallohen këto forma të fajit: Paramendimi dhe Pakujdesia.

 

Llojet e vrasjeve:

1)      Vrasjet që drejtohen kundër jetës së një personi.

Pavarësisht se cili është motivi i kësaj vrasje.

2)      Vrasjet që drejtohen kundër jetës së disa personave.

Ky lloj më shumë ka ndodhur nëpër dasma, p.sh. kur takoheshin dy grupe krushqish në rrugë (dhe rrugët ishin të ngushta sa për një karrocë), ata nuk ia lëshonin rrugën njëri-tjetrit dhe kjo ndodhte sepse kjo konsiderohej nënçmim dhe dobësi për palën që lëshonte rrugë dhe fillonin të gjuanin me pushkë dhe ndodhnin vrasjet e disa personave (krushqve).

Shembuj të këtillë kemi mjaft. Rasti më i freskët është vrasja e dy vëllezërve për hakmarrje në Komunën e Gjakovës (qytet në Kosovë) në mars të vitit 2004, siç kanë njoftuar mediumet elektronike dhe të shkruara të datës 19 mars 2004.

 Vrasja për kufij, toka, dhe kullosa.[3] Ky lloj i vrasjes ekziston aty-këtu edhe sot e kësaj dite, sidomos nëpër fshatra. Këto fillojnë me grindje e shpeshherë përfundojnë me vrasje. Këtu vrasjet bëheshin për shkak të luajtjes së gurit i cili ka qenë dhe është për ndarjen e pronave, tokave dhe kullosave. Vrasja e këtillë sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit dënohej me vdekje, grihej katundisht (pushkatohej nga i gjithë katundi ose prehej me shpatë apo sëpatë etj.) dhe paguhej gjoba me 100 desh dhe 1 ka. ( KLD 251 ).

Vrasjet për grabitje ose rrëmbim grash.[4] Ky fenomen ka qenë i njohur në të kaluarën te shqiptarët ku ndodhte që të grabitet vajza ndoshta edhe pa dëshirën e saj dhe të merret në shtëpi për grua. Pastaj familja e vajzës e nënçmuar me këtë, detyrohej ta merrte vajzën e tyre dhe këtu fillonte problemi dhe shpesh përfundonte me vrasje. Kjo ndodh edhe në ditët e sotme aty-këtu, por vajza ikë vetë nga shtëpia e babait në shtëpinë e burrit dhe këto raste nuk sjellin vrasje. Por pas një kohe pajtohen familjet dhe të rralla janë ato familje që nuk janë pajtuar kurrë me bijën e tyre.

Vrasja e personave të mbrojtur ose në besë.[5] Vrasja që drejtohej kundër një personi që ishte nën besën e një familje, fisi ose katundi, me këtë prekeshin marrëdhëniet shoqërore. Me këtë lloj të besës, siguroheshin netët e personit të caktuar të mbrojtur posaçërisht nga normat penale të kanunit.[6]

Vrasja për gjakmarrje.[7] Gjakmarrja si rregull kryhej botërisht dhe haptazi, kështu që dihej dorasi dhe sipas kanunit, neni 844, dorasi duhet t’i çojë fjalë se ai e vrau dhe të mos habiten prindërit e të vrarit. Por ato kryheshin edhe fshehurazi, edhe pse ky konsiderohet veprim i turpshëm. Me rastin e kryerjes së vrasjes ose gjakmarrjes, dorasit i ndalohej ta masakrojë viktimën, sepse kjo dënohej me të drejtën zakonore dhe vrasësi konsiderohej dy herë fajtor dhe ngarkohej me dy gjaqe. Pastaj, dorasi sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit nuk guxon t’ia marrë armën të vrarit, sepse ai me këtë vepër vjen në dy gjyqe. (KLD, 847).

Ka edhe shumë lloje të vrasjeve, vrasja për marrëdhënie të dhunshme seksuale dhe vrasja e gruas në punë të liga me gjithë partnerin, vrasjet në gjendje të dehur nga alkooli, vrasjet në gjendje të papërgjegjshme, vrasjet e provokuara nga agresioni.[8] Sipas rezultateve të hulumtimit tonë, vetë viktima pak ose shumë me sjelljet e tij ka kontribuar që të vritet. Kjo ka ngjarë gati në gjysmën e rasteve të vrasjeve të kryera (rreth 47%) në periudhën 10 vjeçare.[9]

Kështu sipas hulumtimeve, prej gjithsej 211 kryerësve të vrasjeve, në Gjykatat e Kosovës, 100 vrasje ose 47% kanë qenë të provokuara me sjellje apo veprime të ndryshme të viktimës.

Vrasjet enigmatike (vrasjet të cilave nuk u dihen motivet ose vetëm dyshohet për motivet, ku autori mbetet i pazbuluar për një kohë ose përgjithmonë).[10] Ky lloj i vrasjeve gjendet kudo në botë, por në Kosovë është një fenomen mjaft i përhapur, sepse kanë ndodhur vrasje të shumta prej kohës së pasluftës dhe së paku për opinionin në media ose diku tjetër, asnjëherë deri tash nuk janë zbuluar vrasësit ose motivet e vrasjes nga organet kompetente.

Akuza të shumta janë drejtuar në adresë të personave të ndryshëm të partive politike, të institucioneve të ndryshme brenda e jashtë Kosovës, të cilat janë publikuar nëpër gazeta të ndryshme, por asnjëherë (për shumicën e këtyre rasteve) zyrtarisht nuk është kapur asnjë person dhe nuk është zbuluar zyrtarisht motivi i vrasjes, edhe pse në Kosovë ekzistojnë forca të mëdha ushtarake të KFOR-it, gjithashtu edhe numër i madh i policëve profesionistë ndërkombëtarë të UNMIK-ut, ku edhe numri i policëve të vendit tani ka arritur në 6000 policë, megjithatë vrasjet nuk janë ndalur dhe nuk kanë të ndalur,  ndonjëherë më shumë e ndonjëherë më pak.

Në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur më 12-13 dhjetor 2002 në Tiranë me titull “Gjendja e krimit të organizuar në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni si dhe problemet që lidhen me të” (kryesisht këto vende të banuara me shqiptarë), me ç’rast nga punimet e kësaj konference u botua një libër i veçantë, nga ligjëruesit potencohet se edhe në Kosovë ekziston krimi i organizuar. Në fjalën hyrëse, dr. Shefki Bejko ishte shprehur se krimi i organizuar është kthyer aktualisht në një rrezik serioz për vendet e sipër përmendura dhe se ky fenomen kriminal shprehet me vrasje, me trafikim të drogës, me prostitucion, me keqpërdorim të fëmijëve, me korrupsion etj. Faktorët kryesorë që ndikojnë në praninë dhe në rritjen e krimit të organizuar janë mungesa e stabilitetit politik, luftërat, varfëria e këtij rajoni, problemet etnike, diferencat apo vakumet ligjore dhe administrative etj.

Vrasjet Etnike.[11] Vrasjet etnike njihen te ata popuj të cilën kanë krijuar urrejtje të shumta mes vete, qoftë në kohët e tashme apo nga e kaluara dhe këto më tepër shfaqen mes popujve në një shtet ose mes shteteve fqinje. Këto vrasje kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në tërë botën, por Ballkani është më i njohur për këtë lloj të vrasjeve. Mund të thuhet se numri i vrasjeve kohët e fundit në Kosovë, duke përfshirë edhe luftën e vitit 1999, më së tepërmi janë bërë për vrasje etnike. Vrasjet etnike mund të jenë të rastit dhe të paramenduara, pas ndonjë provokimi negativ që e kryen ndonjëra prej palëve, siç është rasti i 17 marsit 2004, ku tre fëmijë shqiptarë gjetën vdekjen me ç’rast u akuzuan serbët se janë shkaktarë të këtyre vdekjeve e pastaj shqiptarët i sulmuan serbët.

 

Vrasja në afekt (gabimisht ose nga pakujdesia).[12] Ky lloj i vrasjeve është mjaft i njohur jo vetëm te shqiptarët në Kosovë, por anë e mbanë botës si në kohët e vjetra të kaluara, gjithashtu edhe në kohët e sotme. Vrasja gabimisht ose në afekt konsiderohet çdo vrasje që kryerësi pa faj dhe pa dëshirën e tij të ketë rënë në gjendje të këtillë.[13]

P.sh. kur godet pa qëllim ose godet për shkak të sulmit ose fyerjes së rëndë nga ana e viktimës, menjëherë pas sulmit. Kryesisht vrasja ndodh pa pasur qëllim dorasi që të vrasë. Ka edhe disa lloje të vrasjeve, por mendoj se mjafton vetëm me këto.

Dihet se ky fenomen negativ (vrasja), është krim që duhet të luftohet dhe duhet të eliminohet te çdo popull, shoqëri etj., për shkak të dëmeve që i sjell ajo. Edhe në të drejtën zakonore ky krim i rëndë është njohur si vepër shumë e rëndë dhe jo e pëlqyer në popull. Të gjitha shoqëritë qysh nga fillimi i kësaj bote e deri sot pajtohen se vrasja me qëllim është krim më i urryer te njerëzit, e cila kurrë nuk ka pasur mbështetje fetare, as ligjore dhe as mbështetje dhe përkrahje zakonore.

Mbi gjithë këtë, krimi i vrasjes është edhe kërcënim, çrregullim, shkatërrim dhe humbje e sigurisë në atë shoqëri. Për shkak të natyrës së saj shkatërruese, krimi i vrasjes përherë ka zgjuar frikë, pasiguri dhe tmerr ndër qytetarët duke shtuar në të njëjtën kohë interesimin për të Prandaj, në të gjitha fazat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore është shprehur një interesim i veçantë për shkakun, natyrën dhe motivet e krimit si edhe për pasojat tragjike, mënyrën dhe dënimin e tij.

-Vazhdon-

Shkruan: Rexhep Ismajli

___________________________
[1]. Prof. dr. Ismet Elezi, “Njohuri për të drejtën zakonore mbarëshqiptare”, Prishtinë 2003, f. 93.
[2]. Prof. dr. Ismet Elezi, vep. cit. f. 94.
[3]. Prof Dr. Ismet Elezi “Njohuri për tëdrejtën zakonore mbarëshqiptare” Prishtinë 2003 fq, 95
[4]. Prof Dr. Ismet Elezi op, cit,  fq, 95
[5]. Prof Dr. Ismet Elezi op, cit,  fq, 95
[6]. Si vrasje e cilësuar quhet vrasja e klerikut (hoxha dhe prifti) e cila si rregull dënohej me vdekje. Shih më gjerësisht te prof. dr. Ismet Elezi, “Njohuri për të drejtën zakonore mbarëshqiptare”, Prishtinë 2003 f. 95.
[7]. Prof Dr. Ismet Elezi op, cit,  fq, 100, 101
[8]. Fejzulla Hasani “Vepra penale, vrasja në afekt” punim magjistrature Prishtinë 1999
[9]. Dr. Ismet Salihu- Vrasjet në Kosovë, f. 205.
[10]. Fejzulla Hasani “Vepra penale, vrasja në afekt” op, cit.
[11]. Dr. Ismet Salihu “Vrasjet në Kosovë” Prishtinë 1985
[12]. Fejzulla Hasani “Vepra penale, vrasja në afekt” op, cit.
[13]. Fejzulla Hasani “Vepra penale, vrasja në afekt” punim magjistrature, Prishtinë 1999.

 

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!