Sprovat e kësaj bote (IV)

Të sprovuar kanë qenë edhe pejgamberët

(Pjesa e katërt)

Nëse do ta merrnim dhe ta shfletonim historinë e të dërguarve të Allahut, do të shihnin ngjarje madhështore, suksese, mësime dhe mrekulli të mëdha, mirëpo assesi nuk do të mundeshim t’i iknim aspektit tjetër rrëqethës, atij që dhemb shumë,  gjegjësisht nënshtrimit të të dërguarve sprovave të ndryshme. Me që ata ishin më të paluhatshmit dhe më të durueshmit në përhapjen e misionit të tyre të shenjtë, ata edhe u sprovuan më së shumti prej të gjithë njerëzve.

Allahu i Lartësuar thotë:

Përkujto (O i dërguar) kur Zoti i vet, Ibrahimin e provoi me disa obligime, e ai i përmbushi ato, e Ai i tha: “Unë po të bëj ty prijës (imam) të njerëzimit”! Ai tha: “(bën o Zot) Edhe nga pasardhësit e mi”! (Zoti) Tha: “Mirësinë Time nuk mund ta gëzojnë mizorët!”[1]

Ndërsa për Ejubin a.s., thotë: “Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, i dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit.”[2]

 Allahu, xh.sh., ia ripërtëriu gjendjen Ejubit, a.s., vetëm pas durimit dhe lutjes së tij. Sprova që e kaploi atë ishte vërtetë shumë e rëndë. Pas tetëdhjetë vitesh me pasuri e shëndet, Allahu, xh.sh., deshi që ta sprovon me varfëri e sëmundje. I vdiqën edhe të gjithë fëmijët. Nga frika se mos vallë sëmundja e tij është ngjitëse iu larguan edhe shërbëtorët, miqtë dhe njerëzit, kështu që mbeti i vetëm i shtrirë në shtrat për tetëmbëdhjetë vite radhazi, duke i shërbyer, me shumë sakrifica, e vetmja gruaja e tij. Ajo punonte edhe për vete edhe për kujdesin ndaj burrit të saj. Gjendja ekonomike u bë edhe më rëndë atëherë kur gruan e Ejubit, a.s., nuk e merrnin më në punë, me që kishin frikë se mos vallë sëmundja e burrit të saj është transferuar tek ajo dhe mundet t’i infektoj të tjerët, derisa ajo u detyra t’i shes edhe gërshetat e saj për ushqim. Nga ana tjetër, çfarë bënte Ejubi a.s.? A ankohej ai ose, a e humbi besimin që e kishte ndaj Allahut? Natyrisht që jo! Ajo që ai vazhdimisht bënte ishte falënderimi dhe madhërimi i Zotit me mundësitë që kishte. Allahu në Kur’anin fisnik e shpreh atë që thoshte Ejubi a.s.: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit.”[3] Zatën, kjo ishte edhe lutja që Ejubi, a.s., e bëri për t’ia zbutur Allahu gjendjen e rëndë.[4] Me fjalë të tjera: Zoti im, nga kjo fatkeqësi që më ka gjetur, nuk të ankohem Ty për shëndetin dhe për gjithë ato që m’i more, por më pengon shumë se nuk mundi të të përmendi ashtu si unë dua.[5] Pasi Zoti, siç thotë në Kur’an: “ “Vërtet, Ne e gjetëm atë të durueshëm. Sa shumë rob i mirë ishte ai…”[6], e gjeti të paluhatshëm dhe të mbështetur fort në Të, ia ndryshoi gjendjen, e shëroi, ia shtoi pasurinë dhe fëmijët, madje i fali 28 fëmijë të tjerë.

Aspekti historik i Kur’anit në shumicën e rasteve tregon për sprovat dhe mundimet e të dërguarve të Allahut. Në bazë të tij kuptojmë se i sprovuar ishte edhe Ademi, Nuhi, Ibrahimi, Musai, Jusufi, Isai, Muhammedi, a.s. e profetë të tjerë, të cilët, pavarësisht llojeve të sprovave, misionin e kishin të përbashkët.

Sad b. Ebi Vekasi e pyet Muhamedin, salallahu alejhi ue selem: “Cilët njerëz janë më të sprovuar”, dhe ai përgjigjet: “Njerëzit më të sprovuar janë pejgamberët, pastaj ata që janë më afër tyre dhe që i ndjekin ata. Sprovohet njeriu sipas shkallës së besimit, nëse është i fortë në besimin e tij edhe sprovën e ka më të madhe. Nëse është i dobët në besimin e tij do të sprovohet sa shkalla e besimit të tij. Njeriu sprovohet derisa të ecë mbi tokë pa asnjë mëkat.”[7]

Nga këto citate të shenjta kur’anore dhe profetike na del në pah një aspekt i ndritshëm, të cilin vetëm të dërguarit e kanë parë dhe ata të durueshmit. Nëse të dërguarit e Zotit, e me theks të veçantë, Muhammedi, as., janë më të dashurit e Zotit, atëherë pse ato të sprovohen më së tepërmi? Si mund ta sprovosh dikë që e donë tej mase?

S’do mend se një provë e bërë nxjerr në pah shumë të vërteta dhe sekrete, dhe ne, gjerë më tani, kemi dëshmuar për urtësitë dhe mirësitë që bartë ajo me vete. Sikur të mos sprovoheshin profetët, si do t’i përballonin sprovat ithtarët e tyre; kur e kemi parasysh realitetin e jetës dhe sfidat që i bartë ajo, e veçanërisht thirrja islame dhe monitorimi i Ligjit të Zotit në sipërfaqen e tokës në përputhshmëri me natyrën e tij;  dhe sikur të mos sprovoheshin ithtarët e profetëve, si do të reagonin pabesimtarët në këtë botë dhe në botën tjetër?! Kjo është dëshmia më e madhe e sprovës!

-Vazhdon-

Pjesa e parë:
Sprovat e kësaj bote – Domethënia dhe urtësia e sprovës

Pjesa e dytë:
Dy anët kryesore të sprovës

Pjesa e tretë:
Sprovat mund të jenë të llojllojshme

 

Shkruan Mehas Alija



[1] Bekare, 124.

[2] Enbija, 84.

[3] Enbija, 83.

[4] Shih Amër Halid, Përmirësimi i Zemrave, Furkan, 2006., fq., 78.

[5] Sulejman Bugari, Vratimo se Gospodaru, Bemust, Sarajevë, botimi i gjashtë, 2005.

[6] Sad, 44.

[7] Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është sahih.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!