Hadithi dhe vlera e mësimit të Hadithit
Pas Kur`anit Famëlartë, Hadithi është burimi i dytë i Fesë Islame. Andaj, duke e pasur parasysh këtë vlerë që posedon, ai ka qenë gjithnjë objekt studimi dhe hulumtimi te të gjithë dijetarët dhe hoxhallarët, të cilët janë marrë me hulumtime në fushat Islame.
Para se të fillojmë me vlerat e kësaj disipline, është e radhës që të japim definicionin e shkencës së Hadithit, për ato të cilët nuk kanë arritur të kuptojnë se çka ngërthen në vete ky term.
Nocioni el-Hadith, në aspektin etimologjik, ka kuptimin “lajm”, “rrëfim”, ose “çdo gjë që është e re”. Kurse sa i përket kuptimit terminologjik, d.m.th.: “çdo gjë që mbështetet te i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem qoftë fjalë, vepër, virtyt, tipar i natyrshëm i tij, ose cilësi morale, quhet hadith”.*
Të gjithë ne këtë nxitje e kemi marrë nga këshillat e të Dërguarit tonë salallahu alejhi ve selem, i cili i këshillonte shokët e tij që ta përcjellin atë që e dëgjojnë prej tij, ku na këshillon në Hadith:
Na ka transmetuar Muhamed b. Jahja, Na ka transmetuar Muhamed b. Jusuf nga Ibn Theuban (ky është Abdur-Rahman b. Theuan) nga Hasan b. Atijje nga Ebi Kebsh Seluli nga Abdilah b. Amër se ka thënë, ka thënë i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem: “Transmetoni (përcillni) nga unë, bile edhe një fjalë (gjurmë)…”1
Si dhe ta përcjellim atë çka kemi dëgjuar nga Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, me besueshmëri, pa e ndryshuar atë, pasi në një hadith thotë Pejgamberi salallahu alejhi ve selem :
Na ka treguar Ebu Velid i cili ka thënë: na ka transmetuar Shu`be nga Xhami bin Sheddad nga Amir b. Abdilah b. Zubejr nga babai i tij i cili ka thënë: I thashë Zubejrit: Nuk të kam dëgjuar të transmetosh prej të Dërguarit salallahu alejhi ve selem siç transmetojnë filani dhe filani? Ai tha: unë e kam dëgjuar të Dërguarin salallahu alejhi ve selem se ka thënë: Kush gënjen mbi mua, le të përgatit një karrige prej zjarri”.2
INSTITUCIONET E BASHKËSISË ISLAME
Bashkësia Fetare Islame është organizatë fetare Islame e të gjithë muslimanëve të cilët jetojnë në hapësirat e Republikës së Maqedonisë. Është institucion kompetent dhe përgjegjës për zhvillimin e jetës fetare mbi baza të shëndosha islame, organizon mbarëvajtjen e punëve fetare të besimtarëve dhe përcakton detyrat dhe obligimet e tyre. Bashkësia Islame mbron dhe kultivon thesarin e çmueshëm të vlerave morale, sociale, ekonomike, kulturore dhe arsimore të anëtarëve të saj. Ajo i përfaqëson muslimanët e këtij nënqielli në vend dhe jashtë dhe i mbron interesat e tyre në të gjitha sferat e jetës.3
Bashkësia Islame ka trupat, organet, institucionet, entet dhe sektorët e saj, siç janë: Institucioni i Reisul Ulemasë, Mexhlisi Shura, Mexhlisi Juridiko-financiar dhe myftinitë. Në kuadër të Mexhlisi Shura-së veprojnë gjashtë sektorë: sektori fataro-arsimorë, shkencor-kulturor, informativ-botues, juridik-administrativ, financiar dhe sektori për pronën e vakfit.4 Në këto institucione është investuar një mund i madh për ruajtjen dhe kultivimin e hadithit.
Xhamitë
Një ndër institucionet më me rëndësi, e cila e bart Islamin dhe traditën profetike te masa e popullit, është pa dyshim xhamia. Xhamitë kanë pasur një rol të rëndësishëm edhe në të kaluarën në mësimin e haditheve siç edhe ndodhte në kohën e të Dërguarit tonë salallahu alejhi ve selem, krahas mësimit të Kuranit dhe fikhut, apo lëmi tjera nga shkencat Islame. Këto shkenca zhvilloheshin në xhami.5 Pra, xhamitë, si në të kaluarën, si tash, luajnë një rol kyç për përcjelljen e haditheve të Pejgamberit salallahu alejhi ve selem, edhe pse nuk kemi hasur ndonjë xhami e cila zhvillon enkas mësimin vetëm të haditheve, ato përcillen përmes ligjëratave të cilat i mbajnë hoxhallarët në xhami apo mësimit në mektebe, pasi edhe mektebi është i një rëndësie të veçantë në bartjen e diturive fetare dhe asaj të Hadithit.
Medreseja “Isa Beu”
Në Maqedoni kanë ekzistuar në të kaluarën shkolla të veçanta ku mësohej shkenca e hadithit, të njohura si Dar-ul-Hadith, të cilat kanë ekzistuar në Shkup, Shtip dhe Ohër, ku mësohej hadithi nga libri i Sahihul Buhari-ut;6 Kurse sot në Maqedoni, ekziston shkolla e mesme, medreseja “Isa Beu”-Shkup, e cila është shkollë profesionale ku mësohen shkencat Islame dhe shoqërore, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e nivelit edukativo-arsimor e fetar.7 Në këtë institucion, mësohet shkenca e hadithit në vitin e tretë dhe të katërt. Në vitin e tretë mësohen çështjet kryesore të hadithit, “Mustalahul-hadith” – Terminologjia e Hadithit, ku është përgatitur një material i veçantë për këtë lëmi, e përgatitur nga prof. Sabahudin Mahmuti, i cili është njëkohësisht edhe ligjërues i kësaj lënde në këtë shkollë.8 Kurse në vitin e katërt, mësohet leximi i haditheve në gjuhën arabe, mësimi i haditheve përmendësh, si dhe komenti i tyre, ku ka material të përgatitur enkas për këtë nivel të arsimit, në të cilën janë përfshirë 39 hadithe, të nxjerra nga përmbledhja e Buhariut, Muslimit, si dhe “40 hadithe të zgjedhura” të imam Neveviut, etj.
“Fakulteti i Shkencave Islame” – Shkup
Bashkësia Fetare Islame u angazhua që muslimanët e këtyre trevave dhe kuadri arsimor të ketë edhe fakultet, i cili do të mbush zbrazëtirën që ekzistonte për një institucion të tillë. Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup është hapur zyrtarisht në vitin 1997.9
Në këtë fakultet, përpos lëndëve tjera fetare që zhvillohen, e një rëndësie të veçantë është edhe zhvillimi i lëndës së Hadithit, që mësohet gjatë katër viteve akademike. Në vitin e parë mësohen termet e shkencës së Hadithit, roli i sunetit në sheriat, pozita e sunetit, ndarja e shkencës së hadithit, format e transmetimit të hadithit, etj.
Për zhvillimin e këtyre ligjëratave, është përgatitur material i veçantë që u shërben studentëve, libri “Hyrje në shkencën e Hadithit”-1,10 e përgatitur nga Mr. Fahrudin Ebibi, kurse në vitin e dytë mësohet nga libri “Hyrje në shkencën e Hadithit-II”11 e përgatitur po ashtu nga Mr. Fahrudin Ebibi, në të cilën përfshihen llojet e haditheve, prej në llojin Mutevatir deri në atë të kategorisë Daif, kategoria e transmetuesve të hadithit, gjeneratat e transmetuesve dhe biografia e koleksionuesve dhe shkencëtarëve të hadithit. Në vitin e tretë mësohet jeta e imam Muslimit dhe hadithe nga kaptina “El-Iman – besimi”12 e përgatitur nga Dr. Bejadin Ameti, po ashtu ligjërues i lëndës së hadithit në Fakultetin e Shkencave Islame; si dhe nga libri “Et-Taxh” të Ali Mensur Nasif, në të cilën shtjellohen hadithet që kanë të bëjnë me Zekatin. Kurse në vitin e katërt mësohet mbi librin e imam Buhariut, nga libri “Metodika e Buhariut në librin Dituria” nga mr. Fahrudin Ebibi,13 ku përfshihet jeta e imam Buhariut, veprimtaria e tij, përmbajtja e Xhamius-Sahih-ut, etj.
Nga kjo vërejmë se hadithi në këto institucione është i zhvilluar në mënyrë profesionale dhe i mjaftueshëm për t`i plotësuar kuadrot e popullit tonë.
Librat e Hadithit që kanë dalë në dritë
Përpos librave që u cekën më parë, të cilat janë materiale të përgatitura për nxënësit dhe studentët, janë bërë edhe angazhime tjera për të kontribuuar në sferën e shkencës së hadithit, ku nga profesorë të këtyre vatrave, janë përkthyer vepra të hadithit, si “Suneni i Ebu Davud-it”14 kurse është marrë iniciativa në bashkëpunim me studentët, që të përkthehet edhe vepra e imam Malik-ut “El-Muvetta”. Në gjuhën shqipe janë të përkthyera edhe 10 vëllime të Sahih-ut të Buhari-ut, 2 vëllime të Sahihul Muslim-it, 4 vëllime të sunenit të Tirmidhiut, këto janë të përkthyera nga hoxhallarë të vendit dhe jashtë saj. Si do që të jetë, edhe këto janë në shërbim të popullatës sonë që të jenë sa më afër me hadithet e të Dërguarit tonë salallahu alejhi ve selem.
Hadithi te “Hëna e Re”
Revista “Hëna e Re” është një gazetë informative, kulturore, islame, e cila botohet në suaza të Bashkësisë Islame. Ajo filloj të sheh dritën e botimit për herë të parë më 1987, edhe atë në tri gjuhë: Shqip, maqedonisht dhe turqisht. Me këtë organ të saj informativ, e plotësoi edhe një zbrazëtirë në aspektin e informimit të mirëfilltë të pjesëtarëve të saj lidhur me aktivitetet e saj të nduarnduarta në jetën fetare.15
Përpos temave të ndryshme islame, si ato historike, ekonomike, morale, kulturore, në këtë revistë, bëhet përcjellja e suksesshme e haditheve, të cilat komentohen dhe interpretohen nga analistë të njohur të vendit tonë, me çka plotësohet edhe më tepër nevoja e muslimanëve për njohuri më të gjëra mbi hadithin, sidomos kur kjo revistë është mujore dhe më lehtë arrin në mesin e popullatës.
Përskaj revistës, në shërbim të literaturës Islame është edhe shoqata “Ilmije”, e cila angazhohet për botimin e literaturës dhe edicioneve të nevojshme, kryesisht të literaturës profesionale për shfrytëzimin e nëpunësve fetarë, në mënyrë që nëpunësit fetarë, mësimet fetare Islame nga Kur`ani dhe Suneti t`ua përcjellin besimtarëve muslimanë në mënyrë autentike.16 Po ashtu, kjo shoqatë e cila është një nga asociacionet e Bashkësisë Islame, angazhohet që për çdo vjet të botoj Takvim-in, kalendarin dhe imsakije, në të cilat gjejmë mësime nga hadithi apo edhe vet hadithe të Pejgamberit salallahu alejhi ve selem.
Librat e hadithit në bibliotekën “Isa Beg”
Biblioteka e Isa Beut është një ndër bibliotekat më të vjetra dhe më të pasura në Ballkan, të cilën në shek. XV, e themeloi prijësi i njohur i ushtrisë Osmane, Gazi Isa Beu. Në vitin 1689 në djegien e Shkupit, kjo bibliotekë dëmtohet shumë, kurse në vitin 1941 pushon së punuari. Më 1991 në Çarshinë e Vjetër të Shkupit filloi me punë biblioteka e Isa Beut, e cila sot vepron në suaza të Bashkësisë Islame.17 Sot Biblioteka e Isa Beut gjendet në lokalet e Fakultetit të Shkencave Islame. Këtu gjenden libra në gjuhën shqipe, arabe, turke, maqedonishte, osmane, perse, angleze, frënge, boshnjake dhe serbokroate. Mijëra libra janë nga koha më e re, kurse mbi 2100 tituj në arabisht, osmanishte dhe persishte. Madje në këtë bibliotekë janë ruajtur mbi 500 dorëshkrime, të cilat kanë vlerë të madhe artistike dhe estetike. Krahas këtyre, hasim edhe një mori librash të shkencës së Hadithit, që gjenden sot në bibliotekë, siç janë: Sahihu-l-buhari me koment nga imam Kastalani në 10 vëllime, Fet’hu-l-bari nga imam Askalani, Umdetu-l-kari nga Ajni, Sahihu-l-muslim me koment nga Imam Neveviu, Xhamiu-s-sahih nga imam Muslimi, Sunen-i i imam Ebu Davudit, Sunen-i ibn Maxhes, Sunen-i i Tirmidhiut, Sunen-i i Darimiut, Sunen-i i Nesaiut, Musned-i i Ahmed Ibn Hambelit, Muvetta-u i imam Malikut, Nejlu-levtar nga Shevkaniu, Mizanu-l-i’tidal nga Dhehebiu, Kitabu-l-keshf edh-Dhunun, Ilmu-z-zevaid el-Hadith nga Haldun Ahdab, Sherh Xhamiu-s-sagir nga Aziziu, Sherh Usulu-l-hadith nga Harbuti, Sijeru-l-a’lam en-Nubela nga Dhehebiu, Subulu-s-selam-i nga Sananiu, Bulugu-l-meram nga imam Askalani, Nihaje fi garibi’l Hadidh nga Ibn Ethiri, `lamu-ul-Hufadh ve’l-muhadithin nga Abdus-Settar, Usdu-l-Gabe nga Ibn Ethiri, dhe shumë tituj të tjerë të cilët kanë të bëjnë me shkencën e Hadithit. 18
Profesorët e lëndës së Hadithit në F.SH.I.
Lënda e Hadithit në Fakultetin e Shkencave Islame ligjërohet nga dy profesorë, të cilët kanë të kryer specializime në shkencën e Hadithit, ato janë:
Mr. Fahrudin Ebibi
Fahrudin Ebibi, nga fsh. Nikushtak të Kumanovës, ligjërues i lëndës së Hadithit në Fakultetin e Shkencave Islame dhe Dekan i këtij fakulteti, ka kryer shkollën e mesme “Alaudin” në Prishtinë në vitin 1984, fakultetin e Usulidin-it në Ez`her, Kajro-Egjipt, lëmia e Hadithit në vitin 1992, kurse magjistraturën në Universitetin “Ez-Zejtun” – Tunis, në vitin 2003, me temën “Burimet e Buhariut dhe metodologjia e tij në kreun Dituria nga përmbledhja Xhamius-Sahih”; kurse vazhdon për punimin e doktoraturës në temën “Studimi sociologjik i sunetit” – në Institucionin sociologjik-Shkup.19
Dr. Bejadin Ameti
Bejadin Ameti, nga fsh. Orizare të Kumanovës, ligjërues i lëndës së Hadithit në Fakultetin e Shkencave Islame, kreu shkollën e mesme në “Universitetin Islamik” – në Medine më 1991; fakultetin e kreu në Fakultetin e Hadithit, në Universitetin Islamik në Medine, lëmi e Hadithit, më 1995; në vitin 2000 mbrojti magjistraturën me temë “Hadithologët shqiptarë” Universiteti i Selxhukut Konya,Turqi; më 2008 mbrojti doktoraturën me temë “Shkenca e Hadithit në Maqedoni”, Universiteti i Selxhukut Konya,Turqi; kurse më 2009 fiton titullin docent i lëndës së hadithit si mësimdhënës në Fakultet.20
Shkruan: Shaban Tairi
Literatura e konsultuar:
1. “Meusuatu Hadithi Sherif” – version elektronik, nga: “Global Islamic Software Company` 1991-1997”; Këtu përfshihen hadithet nga: Sahihu i Buhariut, Sahihu i Muslimit, Suneni i Tirmidhiut, Suneni i Nesaiut, Suneni i Ebu Davud, Suneni i Ibn Maxheh, Musnedi i Ahmedit, Muvetta i Malikut dhe Suneni i Darimijut;
2. “Bashkësia Islame dhe institucionet e saj” – Shkup, 1997, boton: Sektori për shkencë dhe kulturë islame i Mexhlisit Shura pranë BI në R.M.
3. EBIBI, Mr. Fahredin, “Hyrje në shkencën e Hadithit”, Shkup, 1999, botoi: Mexhlisi Shura B.I.M;
4. EBIBI, Mr. Fahredin “XHAMIA” nr.1 –, Shkup, 2004;
5. RAMADANI, Mr. Naser “Depërtimi Osman në Maqedoni dhe zhvillimi i arsimit Islam gjatë shekujve 9-10h./XV-XVI”-; Shkup, 1998; botoi: Mexhlisi Shura B.I.M.
6. Web faqja zyrtare e Fakultetit të Shkencave Islame: www. Fshi.edu.mk;
__________________________
* Fahrudin Ebibi, “Hyrje në shkencën e Hadithit”, (Shkup, 1999);
1 Sahih Buhari, kitab ehadithul Enbija, nr.3202; Sunen Tirmidhij, kitabul ilm an Resulilah, nr.2593, Musned imam Ahmed, musned el mukethirin mines-Sahabe, nr. 6198 dhe 6594, Sunen Ed-Darimij, kitab el-Mukaddime, nr. 541;
2 Sahih Buhari, kitabul ilm, nr. 104, Sunen Ebu Davud, kitab ilm 3166, sunen Ibn Maxhe kitab mukadime 36, Musned Ahmed, ashere mubeshirine bil xhenet, 1339, sunen Darimij kitab el-mukadime, 235;
3 Bashkësia Islame dhe institucionet e saj, fq. 5;
4 Po aty, fq. 6;
5 Shih: “Xhamia”- Mr. Fahredin Ebibi; fq.19;
6 Depërtimi Osman në Maqedoni dhe zhvillimi i arsimit Islam gjatë shekujve 9-10h./XV-XVI- Naser Ramadani; fq. 115 dhe fq. 132;
7 Bashkësia Islame dhe institucionet e saj, fq. 8-9;
8 Terminologjia e Hadithit – Prof. Sabahudin Mahmuti, Shkup, 2001;
9 Bashkësia Islame dhe institucionet e saj, fq. 10-11;
10 Ky libër është i botuar në vitin 1999 në Shkup, e botuar nga Mexhlisi Shura BIM, vlen të ceket se ky libër është i vetmi i këtij karakteri deri tash në gjuhën shqipe;
11 Ky libër është i botuar në vitin 1999 në Shkup, e botuar nga shoqata “Ilmije”-Shkup;
12 “Imam Muslimi dhe kaptina e Besimit”- Mr. Bejadin Ameti, 2004/05, Shkup;
13 E botuar në vitin 2010 në Shkup;
14 “Suneni i Ebu Davudit”, vëllimi i parë, i përkthyer nga Irfan Abazi, Taxhedin Bislimi, Fahrudin Ebibi dhe Jusuf Zimeri, botuar në Shkup, nga “Furkan ISM”-2004;
15 Bashkësia Islame dhe institucionet e saj, fq. 18-19;
16 Po aty, fq. 14-15;
17 Po aty, fq. 12-13;
18 Nga katalogu i bibliotekës së “Isa Beu” pranë Fakultetit të Shkencave Islame;
19 www.fshi.edu.mk. / CV akademike;
20 www.fshi.edu.mk. / CV akademike;
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!
selam alejkum, ne lidhje me verejtjen e pare, eshte e shenuar ne fusnoten me numer 14, aty e kam sqaruar se behet fjale per vellimin e pare, per verejtjen e fundit, aty ka fusnote, eshte e marrur prej CV akademike te institucionit perkates, nese ato kane be gabim, por mundet qe te quhet ashtu institucioni, sa per verejtjet tjera, ato jane gabime teknike, si ibn davud, duhet ebu davud, ibn malik duhet imam malik, etj, selam alejkum
Esselamu alejkum i nderuari Shaban, kam ca verejtje te vogla:
Fillimisht nuk e dij se a jane gabime nga ana e jote apo nga “katalogu i bibliotekës së “Isa Beut” pranë Fakultetit të Shkencave Islame” ngase shumica e gabimeve kane te bejne me dorshkrimet dhe librat.
Me rendesi eshte qe kush do qe te ket gabuar te permisoj gabimin e vet, e sidomos nese gabimi buron nga institucioni me i lart i shkollimit islam ne Maqedoni…
- Citoj: “janë përkthyer vepra të hadithit, si “Suneni i Ebu Davud-it”- kjo jep te kuptohet se Sunen Ebi Davudi eshte perkthyer komplet ne gjuhen shqipe! E qe nuk eshte e vertete.
- Citoj:”Sahih`ul-Buhari nga Kastalani”- Imam Kastelaniju eshte autor i Irshad es-Sarij li sherh Sahih el-Buharij e jo autor i Sahih el-Buharijut te cilen e ka tubuar vet Imam Buhariju.
- Citoj: ” Sunen Ibn Davud,”- Autori i Sunenit eshte Ebu Davudi e jo Ibn Davudi. Ndoshta e keni ngatruar me ndonje liber te birit te Ebu Davudit, Imam Ibn Ebi Davudi i cili eshte autor i “Kitab el-Mesahif”, “Kitab el-Beath” etj.
- Citoj: “Muvetta ibn Malik”- Ibn Malik eshte autor i “el-Kafijetu esh-Shafijeh” dhe “el-Elfijeh en-Nehavijeh” e jo autor i Muvettas ngase autor i Muvettas eshte Imam Malik bin Enesi.
- Citoj: “Nilul Evtar të Sheukanit”- Emri i librit eshte “Nejl el-Eutar” e jo Nil.
- Citoj: “Sire-l-A`lam en-Nubela të Dhehebiut” – Emri i librit eshte “Sijeru Ealami-n-Nubela”, d.m.th Sijer ne shumz e jo Sire, dhe “el” nuk ka ne Ealam.
- Citoj: “kreu shkollën e mesme në “Universitetin Islamik” – në Medine më 1991″- shkollen e mesme ne Universitet!!!
Selami i Allahut qoft mbi myslimanet ne pergjithesi dhe nxenesit e dijes ne vecanti…