Proceset zgjedhore që kanë filluar në shumë vende të Lindjes së Mesme, nuk përbëjnë vetëm provën e parë drejt demokracisë në këto vende, por tregojnë se në rajon ka startuar një epokë e re.
Në Lindje të Mesme nga njëra anë po vazhdon vala e zgjedhjeve, kurse në anën tjetër po përjetohen zhvillime të rëndësishme lidhur me Sirinë. Procesi i zgjedhjeve, që filloi në Egjipt, do të vijojë për muaj të tërë. Ndërsa në Marok zgjedhjet përfunduan brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë që marrëveshja e arritur në Jemen nuk ka mundësuar ende qetësimin e situatës, vendimi i Ligës Arabe për sanksione kundër Sirisë duket se ka startuar një periudhë të re në rajon. Prandaj në programin tonë të sotëm do të flasim rreth këtyre temave.
Ashtu siç e kemi thënë edhe në javët e kaluara, kohëve të fundit Liga Arabe kishte filluar të shfaqë politika më të ashpra lidhur me Sirinë. Liga Arabe fillimisht i dërgoi Sirisë mesazhe paralajmëruese, pastaj i bëri thirrje Damaskut që t’i japë fund dhunës ndaj protestuesve, të pranojë vëzhguesit e pavarur dhe të vërë në jetë reformat. Por udhëheqja e Bashar Al-Asadit, edhe pse u duk sikur i pranoi këto paralajmërime, në të vërtetë vazhdoi të ndjekë politikat e mëparshme. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, në mbledhjen e Ministrave të Punëve të Jashtme të Ligës Arabe, zhvilluar në kryeqytetin Kajro të Egjiptit, u pranua zbatimi i masave detyruese kundër Sirisë. Midis sanksioneve të miratuara nga Liga Arabe, ato më të rëndësishmet janë ngrirja e pasurive, pezullimi pa afat i marrëveshjeve dhe investimeve të bëra me Bankën Qendrore të Sirisë, si dhe aplikimi i embargos tregtare në mallra përveç lëndëve të nevojave themelore. Krahas këtyre të lartpërmendurave, autoriteteve të larta siriane iu ndaluan udhëtimet drejt vendeve anëtare të Ligës Arabe.
Mbledhja, që përfundoi me vendime të rëndësishme për sa i takon çështjes së Sirisë, kaloi në një atmosferë të tensionuar. 19 prej gjithsej 22 vendeve anëtare të Ligës Arabe mbështetën vendimin për masa detyruese. Ndërsa Libani, Iraku dhe Jordania dolën kundër sanksioneve për Sirinë. Vendimi u pranua me shumicë votash dhe u vu menjëherë në zbatim. Këto vendime i mbështet fuqishëm edhe Republika e Turqisë. Nëse masat detyruese të Ligës Arabe nuk rezultojnë aq efikase sa duhet, atëherë ekziston mundësia që kjo çështje të ngrihet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Megjithëse Liga Arabe theksoi që është e shqetësuar se moszgjidhja e problemit me anë të vendimit të saj mund t’i hapë rrugën një ndërhyrjeje të jashtme, në rast se gjatë periudhës në vijim në Siri nuk vërehet ndonjë përmirësim i situatës, atëherë duket si një mundësi shumë e madhe që sanksionet e Ligës Arabe të bëhen shembull edhe për OKB-në.
Ndërkaq, vendimi i Ligës Arabe u prit me reagime të fuqishme në Siri. Në Damask dhe disa qytete të tjera të vendit dhjetëra-mijëra njerëz u tubuan nëpër rrugë e sheshe për të mbështetur Presidentin Bashar Al-Asad dhe regjimin e drejtuar prej tij. Kurse flamuj, që u valëvitën nëpër manifestimet e organizuara në Damask, nxjerrin në dritë ekuacionin e Lindjes së Mesme. Përdorimi i flamujve të Sirisë, Hizbullahut, Rusisë dhe Kinës në manifestimet e Damaskut, tregon se cilët janë aktorët në krah në Sirisë. Ky duket të jetë sinjali më i rëndësishëm i ekuilibrit të fuqive në rajon.
Maroku, një prej vendeve më pak të prekura nga efektet e Pranverës Arabe, kishte vendosur të organizonte zgjedhje pa u përshkallëzuar trazirat në vend. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më datë 25 nëntor 2011 në Marok, tregojnë se fituese ka dalë Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), një forcë politike kjo që ndjek modelin e Partisë AK të Turqisë. Sipas këtyre përfundimeve, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka fituar të paktën 80 karrige në parlamentin maroken me gjithsej 395 deputetë. Pasi të jenë shpalluar rezultatet përfundimtare, pritet që AKP-ja marokene të ketë nxjerrë 90-100 deputetë. Kjo forcë politike për herë të parë ka marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 1997 dhe atëherë kishte fituar vetëm 8 karrige. AKP-ja e Marokut në zgjedhjet pasardhëse ka arritur të fitojë gjithnjë e më shumë vota dhe falë kësaj fitoreje politike, mund të bëhet partia, që ka nxjerrë më shumë deputetë gjatë të gjithë historisë së vendit. Partia marokene për Drejtësi dhe Zhvillim është pro monarkisë, ajo gëzon mbështetje të fuqishme në zonat rurale dhe në shtresën e mesme të qyteteve të vegjël. Sllogani kryesor i kësaj force politike është “demokratizimi dhe lufta kundër problemeve ekonomike”. Në Marok, ku me shumë mundësi do të formohet një qeveri koalicioni, duket e sigurt se me detyrën e formimit të qeverisë do të ngarkohet Partia për Drejtësi dhe Zhvillim.
Përpara se të fillonte procesi i gjatë zgjedhor, klima në Egjipt u tensionua jashtë mase. Kur ka mbetur vetëm pak kohë nga përvjetori i revolucionit të janarit, Sheshi Tahrir i kryeqytetit Kajro u kthye sërish në një fushë beteje. Ndërhyrja e forcave të sigurisë ndaj mijëra qytetarëve të tubuar për të protestuar kundër pushtetit ushtarak në vend, prodhoi një tensionim të madh, që mund të vështirësojë jashtë mase madje edhe procesin zgjedhor. Mareshalli Husein Tantavi, ushtaraku i lartë që drejton procesin e transicionit në Egjipt, deklaroi se vazhdimi i këtij qëndrimi të protestuesve do të shkaktojë një krizë në vend, gjë që nuk kanë për ta lejuar në asnjë lloj mënyre. Përveç kësaj, Tantavi kërkoi që Kemal Ganzuri, politikani i ngarkuar me detyrën për të formuar qeverinë e re të transicionit, të mbështetet nga Muhamet El-Baradei dhe Amr Musa. Nga ana tjetër, debatet politike në
Egjipt vazhdojnë të fokusohen mbi cilësinë e parlamentit të ri dhe qeverisë, që do të formohet së afërmi. Ndërkohë që disa parti politike janë të mendimit që në rast se vazhdon tutela ushtarake zgjedhjet dhe parlamenti nuk do të kenë asnjë lloj kuptimi, disa forca politike të tjera, çfarëdo që të ndodhë, mbajtjen e zgjedhjeve e shikojnë si një hap për të filluar ndryshimet në kushtetutë.
Ndërsa në Jemen, pavarësisht se javën e kaluar u arrit një marrëveshje paqeje pas trazirave të brendshme 9-mujore, situata nuk është qetësuar ende. Si pasojë e zjarrit të hapur në drejtim të protestuesve, të cilët kërkonin që Kryetari i Shtetit, Ali Abdullah Saleh, t’u dorëzohej organeve gjyqësore, 5 qytetarë gjetën vdekjen dhe u plagosën shumë të tjerë. Për më tepër, destabiliteti, që krahas kryeqytetit Sana po vihet re edhe në qytete të ndryshme të këtij vendi, tregon se Jemeni nuk është ende një vend i sigurt.
(TRT)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!