Trashëgimi

Bibliotekat, margaritarë të epokës qytetëruese islame

Bibliotekat e kohës së epokës së artë islame nuk janë hasur në ndonjë qytetërim apo kulturë tjetër. Ato ishin të shtrira në të gjitha pjesët e territorit islam. Të dhënat historike dëshmojnë se gjurmë të këtyre bibliotekave janë gjetur kudo, duke filluar nga pallatet e princave myslimanë e për të vazhduar me institucione të tjera të rëndësishme kulturore e arsimore. Prania e tyre në qendra të mëdha administrative ashtu si edhe në zona tepër të izoluara, është një nga dëshmitë e forta për interesin e veçantë që popullata islame ushqente për dijen dhe fjalën e shkruar.

Llojet e bibliotekave 

Për rëndësinë dhe kapacitetin e tyre bibliotekat e periudhës civilizuese islame mund t’i rendisim si vijon:

Bibliotekat akademike: Këto janë bibliotekat më të famshme në qytetërimin islam, më e rëndësishmja e tyre konsiderohet Bejtul Hikma (Shtëpia e Urtësisë) në Bagdad e themeluar prej kalifit Me’mun er Rrashid.

Bibliotekat private: Ky lloj i bibliotekave pati një shtrirje të gjerë në pothuajse të gjithë hartën e shtetit islam. Ndër këto biblioteka përmendim: Bibliotekën e  kalifit Al-Mustansir, të El-Fet’h bin Hakan dhe bibliotekën e Ibn el Amijd, i cili, sikurse besohet, zotëronte  një fond të çmuar që përfshinte një numër të madh veprash kulturore e shkencore. Një bibliotekë tjetër e pasur gjatë kësaj kohe ishte ajo e gjyqtarit Ebi el Mutrif, i cili kryesonte listën e elitës myslimane në Andaluzi sa i përket literaturës së grumbulluar.

Bibliotekat publike: Këto ishin qendrat që ruajtën në vazhdimësi trashëgiminë e njerëzimit dhe ekspertizën e tij kulturore e shkencore. Ato ishin në dispozicion të masave pavarësisht shtresës apo statusit social. Prej tyre përmendim: Bibliotekën e madhe të Kordobës, e themeluar nga kalifi umejad Al-Mustansir (350 h / 961 e.r.). Ajo kishte një numër të konsiderueshëm punonjësish e hulumtuesish shkencorë që kujdeseshin për përkthimin e botimeve të vjetra dhe klasifikimin e tyre sipas rëndësisë. Ishte  njëherazi vendi ku tuboheshin mendjet e ndritura të Andaluzisë, si dhe studiues evropianë që vinin e hulumtonin aty për shkak të dendësisë së botimeve dhe listës së gjatë të autorëve. Një bibliotekë tjetër e kësaj natyre ishte ndërtuar në Damask. Kjo bibliotekë kishte agjentët e saj në të gjithë botën myslimane. Ata kishin si detyrë evidentimin e kryeveprave të reja botërore dhe grumbullimin e tyre pranë kësaj qendre. Biblioteka numëronte 85 përkthyes që punonin ditë-natë për përkthimin e botimeve të vjetra nga gjuhët e tyre origjinale në arabisht.

Bibliotekat e institucioneve arsimore: Shteti islam qysh në hapat e parë i kushtoi rëndësi primare hapjes së shkollave publike, pasi me themelimin e tyre sigurohej edukimi dhe arsimimi i individit dhe shoqërisë. Shkollat e para që u hapën në Irak, Siri, Egjipt, kurse më vonë edhe në vende të tjera, kishin bibliotekat e tyre brenda ambientit mësimor. Thuhet se shkolla Fadilijjah në Kajro koleksiononte një fond prej 200.000 njësish librare. Sipas historianit Jekut el Hamaui, institucionet e para arsimore të njohura në botën islame posedonin biblioteka me një larmi titujsh dhe dyert e tyre ishin të hapura për të gjithë.

Bibliotekat e xhamive qendrore: Ky është lloji i bibliotekave të para në Islam, pasi krijimi i tyre filloi paralel me ngritjen apo shtrirjen e objekteve të kultit. Ndër to veçojmë: Bibliotekën e xhamisë së Az’harit në Kajro, bibliotekën e Xhamisë së Madhe në Kajravan etj.

Për kapacitetin e madh të dijes dhe qendrave hulumtuese në botën myslimane Gustav le Bon shkruan: “Në kohën kur librat dhe bibliotekat për evropianët nuk paraqisnin kurrfarë rëndësie, kalifati islam dispononte një numër të madh qendrash dhe bibliotekash madhështore. Për ilustrim do të përmendim “Shtëpinë e Urtësisë” së Bagdadit e cila numëronte katër milion libra, biblioteka e Sulltanit në Kajro kishte një milion, biblioteka Tripoli (në Damask) kishte tre milion libra, ndërsa në Spanjën myslimane për çdo vit publikoheshin rreth 80 mijë libra”.

Ky ishte një përshkrim i shkurtër i bibliotekave në kulturën civilizuese islame, që dëshmon qartë për rëndësinë dhe interesin që myslimanët kishin ndaj librit dhe institucione të dijes.

 

Marrë nga Gazeta “Drita Islame

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!