Mehas Alija

Sprovat mund të jenë të llojllojshme

(Pjesa e tretë)

Natyra e sprovës është shumëdimensionale dhe përfshinë rrafshe të shumta të perceptimit. Sprova mund të jetë e përgjithshme dhe specifike. Ajo mund të manifestohet në forma dhe mënyra të ndryshme, aspekte dhe segmente të llojllojshme dhe përjetimi i saj zbulon shumë elemente të reja. Andaj, kur e kemi parasysh këtë përfshirje të gjerë të sprovës në jetën e njeriut, si në këtë botë, ashtu edhe në botën e ahiretit, ne do të mundohemi që karakterin e sprovës ta sodisim në disa aspekte, ku do të ekspozohen disa lloje të saj.

Thamë më lartë se qëllimi i njeriut në këtë botë është ta njohë dhe ta lartësoj duke e adhuruar, Allahun e Madhërishëm. Por, nuk mjafton vetëm kjo. Në këtë botë Zoti për njeriun krijoi dhe caktoi rend dhe sistem, sipas të cilit ai do ta ndërtoj dhe konceptoj jetën dhe të ardhmen, familjen dhe shoqërinë dhe botën mbarë në parimet më të shëndosha dhe në pajtueshmëri të plotë me Ligjin e Zotit. Sfida që njeriun gjithmonë e ndjek pas është qëndrimi dhe raporti i tij me Zotin dhe me Ligjin e Tij. Ajo sfidë, e cila u shfaqë edhe para ekzistimit tonë si krijesa trupore, kur Zoti i krijoi shpirtrat dhe ato e pranuan Atë si Zot të Vetëm për t’u adhuruar. Allahu, xh.sh., në Kur’anin famëlartë, thotë: Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!”. Të mos thoni në ditën e kijametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur”.[1]

Dëshmia paraekzistenciale është sprova më e madhe. Pranimi i Zotit dhe dëshmia e besimit, e shprehur shpirtërisht në paraekzistencë, dëshmon qartë se njerëzit kur vijnë në këtë botë janë ata vetë që i përmbahen ose nuk i përmbahen besës së dhënë. Ata që vazhduan edhe në këtë botë ta adhurojnë Allahun dhe ta ushtrojnë në sipërfaqe të tokës Ligjin e Tij, ata iu përmbajtën fjalës së dhënë dhe do të jenë të shpëtuarit, të cilët përndryshe quhen si besimtarë, ndërsa ata të cilët nuk iu përmbajtën besës, d.m.th., e thyen fjalën e dhënë, ata janë të humburit dhe të dështuarit, të cilët përndryshe quhen si mosbesimtarë. Besimi dhe mosbesimi janë dy lloj sprovash. Allahu, xh.sh., nuk i ka sprovuar vetëm mosbesimtarët, por nën thjerrëzën e sprovës i ka vënë edhe besimtarët, madje tek besimtarët e dalluar sprova është edhe më e theksuar. Çfarë dëshmon se edhe besimi, si vlerë absolute, nuk është gjë tjetër pos një sprove që shpie drejtë lumturive dhe përfundimeve të mira.

Si dhe pse e sprovon Allahu, xh.sh., besimtarin dhe njeriun në përgjithësi?

Përgjigjen e kësaj do të mundohemi që ta paraqesim nëpërmjet disa ajeteve kur’anore ku Allahu, xh.sh., më së miri e tregon. Ai në suren Ankebut, në ajetet 2 dhe 3, thotë: A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë? Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.[2]

Besimtarin Allahu, xh.sh., e sprovon në shumë mënyra. Atë e ndjekin batica dhe zbatica në jetë dhe gjatë misionit. Sa më shumë të jetë i vendosur në përballjen e gjendjeve të palakmueshme që e godasin, aq më shumë shfaq epërsinë e bindjes së tij. Kështu Allahu, xh.sh., thotë: ‘’Dhe që Allahu t’i provoj (pastrojë) besimtarët (nga gjynahet) dhe t’i shkatërrojë mosbesimtarët.’’[3]

Gjithashtu, thotë: “Po ju menduat se do të hyni në Xhennet, pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur, sa që i dërguari thoshte, e me te edhe ata që kishin besuar: “Kur do të jetë ndihma e All-llahut?!” Ja (u erdhi ndihma) vërtetë ndihma e All-llahut është afër![4]

Janë shumë elemente që dalin në shesh kur besimtari sprovohet. Allahu e sprovon atë për ta dalluar nga mynafiku dhe mosbesimtari, ashtu siç e bën shembullor për durim dhe moslëkundje për në trasimin e rrugës së vërtetë. Gjatë sprovimit të besimtarit tek ai testohen karakteristikat e tij shpirtërore; testohet nëse është durimtar, falënderues, guximtar, dorëdhënës, testohen parapërgatitjet e tij për botën tjetër, sa është i vetëdijshëm me kaderin e Zotit dhe për dhuntitë e Tij. Nëse ai do të lëkundej nga e mira ose e keqja që e ka goditur, pasi që Allahu, xh.sh., njeriun e sprovon edhe me të mirë edhe me të keqe, kështu ndodh edhe me besimtarin, ai faktikisht është paraqitur me sinjale të dobëta gjatë demonstrimit të besimit të tij.

Pastaj Allahu, xh.sh., besimtarin e ka sfiduar me kërkesën permanente për të qenë gjithmonë i përpiktë në zbatimin e urdhëresave të Tij. Urdhri, për shembull,  për t’u falë[5], për të agjëruar[6], për të shkuar në haxh[7], si dhe për t’i vënë në praktikë edhe dispozitat  e tjera, për besimtarin paraqet sfidë të madhe, që me mundësitë që do t’i posedoj, duhet ta kapërcej dhe ta dëshmojë besimin dhe prirjen e tij drejtë plotësimit dhe zbatimit të të gjitha atyre dispozitave me të cilat është ngarkuar.

Nga ana tjetër, edhe mosbesimtari nuk është lënë i pa sprovuar me mosbesimin e tij. Gjendja shpirtërore e mosbesimtarëve dallon nga ajo e besimtarëve. Ata që nuk kanë besim apo e kanë zemrën e sëmurë nuk mund t’iu përballen vështirësive, pasi që e kanë durimin e kufizuar dhe kanë pikën e ultë të vlimit. Ndonjëherë, edhe gjëja më imtë mund të ngrit tensionin, që shkakton tërbimin e tyre, sharje, fillojnë grindje, fyerje të menjëhershme, shfaqin agresivitet dhe dhunë. Ata që janë zakonisht të hareshëm, të buzëqeshur dhe gazmor në rrethanat normale pësojnë ndryshim të përnjëhershëm të karakterit gjatë kohërave vështira. Ata shndërrohen në njerëz agresivë, të padisponuar, kokëfortë dhe të ngrysur. Kur myslimanët flasin me kujdes rreth të vërtetës dhe bukurisë, jobesimtarët zgjedhin të sulmojnë, dhe në këtë mënyrë zbulojnë fytyrën dhe karakterin e vërtetë.[8] Ajo që mund të vërehet, nga ajetet e kur’anit, tek mosbesimtarët është qëndrimi i tyre negativ që marrin kur përballen me fatkeqësi dhe vështirësi dhe dyfytyrësia e tyre e vazhdueshme.

Allahu i Lartësuar thotë:

“E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar!” Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar!”[9]

Pra, All-llahu sprovon edhe jobesimtarët duke i begatuar dhe pasuruar si dhe duke  ua pakësuar furnizimin sipas vullnetit të Tij. Në situatën e tillë, myslimanët mbajnë besimin në All-llahun dhe i mbesin falënderues Atij, derisa jobesimtarët reagojnë menjëherë dhe bëhen mosmirënjohës. Ata nuk janë të vetëdijshëm se janë në sprovë, humbasin edhe këtë edhe botën tjetër.

Pse ndodh kjo? E gjithë kjo ndodh për arsye se besimtari nivelin e përgatitjes shpirtërore e ka më të lartë, sesa mosbesimtari dhe hipokriti, të cilët janë me përgatitje me nivel më të ulët.

Ekziston edhe një arsye tjetër pse Allahu xh.sh., i sprovon mosbesimtarët dhe hipokritët. Ato i sprovon me qëllim që të kthehen në besim të drejtë dhe të pendohen me pendim të sinqertë, si dhe për t’ua bërë të ditur se  nuk janë atë vetë të zotët e gjithçkaje, porse ka dikush tjetër që është mbi to, si Zot për t’u marr dhe për t’u dhënë, po qoftë kjo edhe pa dëshirën e tyre. Këtë më së miri e vërteton ajeti kur’anor, ku Allahu, xh.sh., thotë: “E pse të mos përuleshin kur ju erdhi atyre dënimi jonë?…”[10]  Domethënë edhe pas këtij dënimi që Allahu, xh.sh., ua çoi si sprovë, ata përsëri nuk u përulën, nuk u kthyen në besimin e vërtetë dhe ta besojnë Allahun si Zot të vetëm, Krijues dhe Furnizues i të gjitha gjallesave, por përsëri vazhduan që Atij t’i shoqërojnë Zot tjetër krahas madhërisë së Tij.

E njëjta gjë ndodh edhe kur Allahu xh.sh., robërit e tij i sprovon edhe me sprova materiale. Ato mund të jenë të ndryshme, të përgjithshme dhe specifike. Të përgjithshme janë ato sprova me të cilat çdo krijesë ballafaqohet, siç është p.sh., jeta dhe vdekja. Allahu, xh.sh., në Kur’anin fisnik thotë: “Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.”[11] Ndërsa, sprovat specifike kanë karakter të ndryshëm dhe nuk janë të barabarta dhe të njëjta si te çdo krijesë. Allahu, xh.sh., dikujt i jep pasuri, shëndet dhe fëmijë, ia shtonë kënaqësitë, ia bën të hareshme jetën duke i dhuruar dhunti e begati të shumta, të cilat ia jep njëra pas tjetrës, ndërsa dikujt i ka dhënë më pak pasuri, uri, ose nuk i ka dhënë fëmijë, dikë e ka sprovuar me sëmundje, vështirësi dhe fatkeqësi të mëdha, të cilat mund t’i vijnë njëra pas tjetrës, dikë e ka sprovuar më dije dhe pushtet, pra, këto janë sfida të llojit të vet dhe secila prej tyre ka domethënien e saj specifike.

Në vazhdim do t’i përmendim disa ajete kur’anore ku paraqiten format dhe mënyrat më karakteristike me të cilat Allahu i Lartmadhërishëm e ka sprovuar njerëzimin.

“Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në vetën tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, por në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare.” [12]

“Dhe, dinë mirë se pasuria e juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, dhe se te All-llahu është shpërblimi më i madh”.[13]

Ne do t’ju sprovojmë me diçka prej frikës, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet (fëmijët), po ti jepju myzhde durimtarëve.”[14]

 “Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek All-llahu është e ardhmja më e mirë. Thuaj: “A t’iu kumtoj për diç shumë më të mirë se ato (kënaqësitë e dynjasë)? Për ata që janë ruajtur, ata kanë tek Zoti i tyre xhennete nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përgjithmonë, kanë edhe bashkëshorte të pastra e gëzojnë edhe kënaqësinë e All-llahut. All-llahu është i kujdesshëm për robët”.[15]

I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në një hadith, të cilin e transmeton Ibn Abbasi, r.a., thotë: “Dy dhunti janë që njerëzit i bëjnë të tradhtuar dhe të zhgënjyer: shëndeti dhe koha e lirë.”[16]

Ky hadith na përkujton në dhuntitë që na janë dhënë si dhuratë për t’i shfrytëzuar dobishëm, në mënyrë që më vonë të mos pendohemi dhe të ankohemi për to, pasi që njeriu nga vetë natyra është i tillë që, për të mirën të cilën e humb, të ankohet dhe të pendohet, mirëpo atëherë bëhet vonë.

Ja kjo është jeta. Dikush e ka harruar vetveten duke jetuar në mirësi dhe begati, ndërsa nga ana tjetër, tjetri vdes nga uria dhe mungesa e ujit të pijshëm, mbase edhe nuk nguron të bëj dëme të mëdha, siç janë vjedhja, kidnapimi, vrasja, vetëm e vetëm për ta zbutur gjendjen e tij të mjerueshme që e ka kapluar. Pasuria dhe fëmijët, për dikë, janë kuptimi i vetëm i jetës dhe ekzistencës së tij. Ai harron se Zoti ato ia fali si mjete për të mundur sa më lehtë të afrohet më pranë Tij dhe Ligjin e Tij ta zbatoj sa më përkushtueshëm.

-Vazhdon-

Pjesa e parë:
Sprovat e kësaj bote – Domethënia dhe urtësia e sprovës

 

Pjesa e dytë:
Dy anët kryesore të sprovës

 

Shkruan Mehas Alija

_______________________

[1] El-Araf, 172.

[2] Ankebut, 2-3.

[3] Ali Imran, 141.

[4] Bekare, 214.

[5] Bekare, 43.

[6] Bekare, 183.

[7] Ali Imran, 97.

[8] Harun Jahja, Fshehtësia e sprovës. (Marrë nga internet faqeja e Harun Jahjasë në shqip)

[9] Fexhr, 15-16

[10] En’am, 43.

[11] Mulk, 2

[12] Ali-Imran, 186.

[13] Enfal, 28.

[14] Bekare, 155.

[15] Ali-Imran, 14-15.

[16] Buhariu.

Gjithashtu mund të lexoni

1 Koment

  1. abdullah

    Allahu ju bekofte ju dhe punen tuaj ta vlefshme ne hizmet te muslimaneve.Esselamu alejkum.

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!