Përcillet për në banesën e fundit pretendenti i fronit mbretëror Leka Zogu I. Autoritete të besimeve fetare në vend bënë lutjet e fundit për të ndjerin Leka Zogu I, në ambientet para Parlamentit të Shqipërisë.
Pas përfundimit të homazheve në ambientet e brendshme të parlamentit, ku dhe qëndronte arkivoli i të ndjerit, autoritete të besimeve fetare tradicionale në vend bënë lutjen e rastit që trupi dhe shpirti i Leka Zogut të prehet në paqe.
Kreu i Komunitetit Mysliman Haxhi Selim Muça, iu lut Zotit të Lartësuar që shpirti i të ndjerit Leka Zogu I, të prehet në paqe, t’ia falë gjynahet dhe t’i dhurojë begatinë e botës tjetër dhe mëshirën e Tij të Pafundme.
Kreu i KMSH-së, H. Selim Muça, pranë të cilit qëndronte edhe Princi Leka bashkë me bashkëshorten e tij, e përfundoi lutjen me fjalën: “I paharruar qoftë kujtimi i tij dhe u prehtë paqe”.
Më pas përfaqësuesit e besimeve të tjera fetare i drejtuan lutje Zotit që pretendenti i fronit mbretëror të jetojë përherë në mëshirën e Tij.
Në ceremoninë funerale të përcjelljes për në banesën e fundit të mbretit Leka Zogu I, përveç klerit fetar ishin të pranishëm edhe krerët më të lartë të shtetit si: Presidenti i vendit SHTZ Bamir Topi, Kryeministri z. Sali Berisha, Kryebashkiaku z. Lulzim Basha, Kryeparlamentarja znj. Jozefina Topalli, Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga dhe qindra e mijëra qytetarëve të ardhur nga të katër anët e trojeve shqiptare, si dhe nga diaspora.
Më pas trupi i pajetë i Leka Zogut I, iu dha lamtumira e fundit dhe u përcoll për në varrezat e Sharrës, ku qindra besimtarë nën drejtimin e myftiut të Zonës Tiranë H. Shaban Saliaj kanë kryer edhe faljen e namazit të xhenazesë. Një dua dhe lutje për të ndjerin ndaj Zotit xh.sh. i është bërë nga Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së H. Ylli Gurra.
(KMSH)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!