Si u ndërtua Qabeja e shenjtë?

Duke i anashkaluar mendimet e shumta, të cilat flasin për numrin e ndërtimeve dhe riparimeve të Qabes, do të përmendim detajet më të rëndësishme.

Të parët që e kanë ndërtuar Qaben janë melaiket. Për këtë shkak, Ali bin Husejn, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tregon se kur Allahu u tha melaikeve se do të vendoste në tokë njerëzit, ata, të nisur nga veprimet gjakderdhëse të xhindëve, iu përgjigjën: O Zoti ynë, a do të vendosësh në tokë ata që do të bëjnë shkatërrime dhe gjakderdhje? Kur panë se Allahu u zemërua me ta, filluan të kërkonin falje duke ardhur përrreth Arshit të Tij, tre orë a shtatë rrotullime për të kërkuar kënaqësinë e Zotit të tyre. Allahu u kënaq me një gjë të tillë dhe u tha: “Ndërtoni në tokë një shtëpi, ku të kërkojë mbrojtje nga dënimi im çdokush ndaj të cilit jam i mërzitur, siç vepruat edhe ju me Arshin e ta fal ashtu siç ju fala dhe ju.”

Pas melaikeve e ndërtoi Qaben Ademi, alejhi selam.

Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për shkak të ndërtimit të Qabes nga Ademit alejhi selam, tregon se kur Allahu e zbriti Ademin në tokë, ky tha: “O Allah, pse nuk po i dëgjoj më zërat e melaikeve? Allahu i përgjigjet. – Për shkak të gjunaheve të tua o Adem, por shko dhe ndërto një shtëpi e bëj tavaf rreth saj, ashtu siç i pe melaiket duke bërë tavaf rreth Arshit tim. Kështu Ademi alejhi selam e ndërtoi Qaben, pasi Xhibrili me krahun e tij i zbuloi themelet e saj dhe melaiket hodhën në të gurë aq të mëdhenj, saqë nuk i mbanin dot tridhjetë burra.

Pas Ademit e rindërtuan bijtë e tij, por ne do të ndalemi pak në rindërtimin e katërt, të cilin e ka bërë Ibrahimi me djalin e tij, Ismailin, paqja qoftë mbi ta.
Në tregimin e gjatë për historikun e ujit të Zemzemit tregohen vizitat që pejgamberi Ibrahim i bënte Ismailit, më poshtë po vazhdojmë me një vizitë tjetër, e cila ishte edhe shkaku i rindërtimit të Qabes: “ … pastaj qëndroi larg tyre për një kohë sa dëshiroi Allahu dhe pas kësaj ai i vizitoi ata. Ai e pa Ismailin nën një pemë pranë Zemzemit, duke mprehur shigjetat e tij. Kur ai e pa Ibrahimin, u ngrit ta mirëpriste atë (dhe përshëndetën njëri-tjetrin siç bën babai me të birin dhe i biri me babanë e tij). Ibrahimi tha: ‘O Ismail, Allahu më ka dhënë një urdhër.’ Ismaili tha: ‘Bëj çfarë të ka urdhëruar Zoti yt të bësh.’ Ibrahimi e pyeti: ‘A do të më ndihmosh ti?’ – ‘Po, – tha Ismaili, – unë do të të ndihmoj.’ Ibrahimi tha: ‘Allahu më ka urdhëruar të ndërtoj një shtëpi këtu, duke bërë me shenjë drejt një kodrine më të lartë sesa vendi përreth saj.’ Pejgamberi alejhi selam shtoi: “Pastaj ata ngritën themelet e Shtëpisë (Qabes). Ismaili sillte gurët, ndërsa Ibrahimi po e ndërtonte dhe kur muret u ngritën lart, Ismaili solli këtë gur dhe ia dha Ibrahimit, i cili qëndroi mbi të dhe vazhdoi ndërtimin. Ismaili i jepte në dorë gurët dhe që të dy vazhdonin të thoshin: “Zoti ynë pranoje këtë prej nesh, vërtet, Ti je Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.” [Bekare,127] [Sahihul Buhari, Hadithi Nr. 3364]

Guri i madh të cilin ia ofroi Ismaili, është guri ku edhe sot e kësaj dite duken gjurmët e Ibrahimit. Ky gur deri në kohën e Omerit ka qenë afër murit të Qabes, por kur njerëzit që bënin tavaf u shtuan dhe guri i pengonte Omeri dha urdhër të vendoset aty ku gjendet edhe sot. Përsa i përket Gurit të Zi, i cili tregon edhe pikënisjen e fillimit të rrotullimit rreth Qabes, thuhet se ai ka qenë më i bardhë se qumështi, por për shkak të mëkateve të njerëzve është nxirë. Këtë gur, të ardhur nga xheneti, meleku Xhibril ia solli Ibrahimit alejhi selam kur e përfundoi ndërtimin e Qabes.

Konstruksioni i Qabesë

Kur Muhammedi alejhi selam, më pas i Dërguari i Allahut, ishte tridhjetë e pesë vjeç, kurejshët vendosën të ndërtojnë Qaben, e cila gjer atëherë ishte një grumbull gurësh në një truall paksa të ngritur. Ishte e lartë nëntë arshin (6.30 m) që nga koha e Ismailit alejhi selam. Nuk kishte kulm (çati) dhe disa hajdutë kishin vjedhur prej saj një arkë ari, e cila në atë kohë ndodhej brenda këtij grumbulli. Për shkak të traditës së vet dhe vlerës së madhe historike, si dhe të ndërtimit që i bëri Ibrahimi alejhi selam, Qaben gjithnjë e kanë vizituar të gjithë kalimtarët e Mekës. Ndodhte që shumë prej tyre të merrnin me vete nga një copë dhé apo gur, si simbol shenjtërie apo bereqeti (veprim i ndaluar ky). Pesë vjet para pejgamberisë së të Dërguarit alejhi selam, Qabja përmbytet nga shpërthimi i pendës Arem. Kurejshët u frikësuan, sepse Qabja ishte gati të rrënohej, prandaj vendosën ta rindërtonin duke i ruajtur themelet dhe vendin e saj të mëparshëm. Vendosën ta ndërtonin vetëm me pasurinë e fituar në mënyrë të ndershme, pa përzierje të kamatës, ryshfetit, të hollave të vjedhura dhe të plaçkitura. Ata frikësoheshin t’i rrëzonin mbetjet ekzistuese të Qabes. Këtë e filloi Velid bin Mugire Mahzumi e të tjerët pas tij, kur panë se Velidit gjatë pastrimit nuk i ndodhi asgjë e keqe. Pasi e rrëzuan Qaben gjer në themelet që i kishte ndërtuar Ibrahimi alejhi selam, përpiluan edhe planin e ndërtimit të saj. Çdo fisi i caktuan sasinë e gurëve që do të sillnin dhe pjesën e murit që do të ndërtonin, kështu, të gjithë ishin pjesëmarrës në ndërtim. Sollën një ndërtues romak, të quajtur Bakum, dhe ndërtimi shkoi sipas planit, derisa erdhën në lartësinë e vendit ku duhej vendosur haxherul-esvedi (guri i zi). Çdo fis e konsideronte veten të privilegjuar, që këtë punë të ndershme ta bënte ndonjëri prej tyre. Grindja mes tyre zgjati katër apo pesë ditë dhe kanosej rreziku që të shpërthente një përleshje e përgjakshme rreth tempullit të Shenjtë, në tokën e Shenjtë. Në tërë këtë rrëmujë, më i maturi ishte Ebu Umeje bin Mugire Mahzumi, i cili dha këtë propozim: Personi i parë, i cili do të paraqitet në dyert e Haremit të Qabes, le të vendosë dhe të zgjidhë këtë problem.

Desh Allahu që ky person të jetë Muhammedi alejhi selam. Kur e panë, brohoritën “El-Emin El-Emin” (ngaqë ishte i njohur me këtë ofiq, që do të thotë: i besueshmi, besniku) jemi të kënaqur që ky të vendosë.

Kur i Dërguari i Allahut alejhi selam u afrua më afër, ata ia parashtruan çështjen dhe kërkuan zgjidhje nga ai. I Dërguari i Allahut alejhi selam kërkoi një copë pëlhurë, e shtriu në tokë dhe në mes të saj vuri “Gurin e Shenjtë”, pastaj u tha kryetarëve të fiseve të ngatërruara që të afroheshin, të kapnin nga një cep të pëlhurës dhe të gjithë së bashku ta ngrinin “Gurin e Shenjtë” gjer te vendi ku do të vendosej. Pastaj i Dërguari i Allahut alejhi selam e mori atë me duart e veta dhe e vendosi ku duhej. Me këtë veprim të mirë ishin të kënaqura të gjitha palët.

Kurejshëve u harxhohet pasuria e pastër (hallall) për ndërtim, prandaj nga ana veriore ndërtuan murin në lartësi prej gjashtë arshin, sot i quajtur muri Hatim apo muri i gurit. Në këtë mur bënë derën dhe e ngritën nga toka që të mos hynin në Qabe kush të donte, por vetëm ai, të cilit i lejohet. Kur ndërtimi i Qabes arriti lartësinë pesëmbëdhjetë arshin, bënë plafonin e mbështetur në gjashtë shtylla. Me këtë ndërtim Qabja mori trajtën e vet katrore (duke mos e përfshirë të tërë sipërfaqen e ndërtuar që nga Ibrahimi) me përmasa përafërsisht të njëjta. Lartësia është përafërsisht pesëmbëdhjetë metra, gjatësia e murit, në të cilin është Guri i Zi, është dhjetë metra, sikurse edhe muri tjetër kundruall tij. Guri i Zi gjendet në lartësi prej 1.5 metra nga themelet ku bëhet tavafi. Muri ballor, në të cilin gjendet dera, është i gjatë dymbëdhjetë metra, sikurse edhe ai kundruall tij. Dera e Qabes është e vendosur në lartësi dy metra nga toka. Nga ana e jashtme, Qaben e rrethon rrethi i gurëve në lartësi njëzet e pesë centimetra e në gjerësi tridhjetë centimetra. Këto në realitet janë blloqe gurësh nga godina e parë, të ruajtura në këtë mënyrë.

Për një kohë të gjatë njerëzit u mësuan me këtë formë të Qabes e cila nuk ishte e plotë. Nisur nga ky fakt Pejgamberi Muhammed alejhi selam i thotë Aishes se nëse populli nuk do të ishte i ri në Islam (për ta kuptuar të vërtetën) do të urdhëroja që të rindërtohej Qabja në formën e ndërtuar nga Ibrahimi. Nisur nga ky fakt dhe nga shkatërrimi i Qabes që ndodhi në kohën e Abdullah bin Zubejrit, ky i fundi e rindërtoi, në vitin 65 sipas Hixhrit, Qaben në themelet e Ibrahimit. Mirëpo Qabja u ndërtua edhe një herë pas tij në atë mënyrë që e ndërtuan kurejshët duke mos e ditur se si ishte e vërteta. Kur e dëgjoi mbreti i asaj kohe, deshi ta rindërtonte të plotë, por dijetari Malik bin Enes e ndaloi duke pasur frikë se mos kthehej Qabja në një ndërtesë që e prish një mbret dhe e ndërton një tjetër. Aktualisht Qabja mbetet në përmasat që u ndërtua nga kurejshët pesë vite para pejgamberisë.

Qabja pësoi sërish një shkatërrim të pjesshëm në kohën e sulltan Muratit, ngaqë për shkak të një vërshimi të ujit ishte rrëzuar muri nga Shami, muri nga Lindja deri tek dera dhe nga perëndimi rreth 2/3 e murit. Sulltan Ahmedi, i biri i sulltan Muratit, shpenzoi për ndërtimin e saj tetëdhjetë mijë dinarë. Kjo ndodhi në vitin 1020 sipas hixhrit.
Qabja mbulohet me një pëlhurë, e cila i ndërrohet çdo vit në periudhën e Haxhit si dhe lyhet me erë të mirë.

Ambienti i xhamisë (jo ndërtesa në formë katrore) është zgjeruar vazhdimisht në varësi të shtimit të nevojave të besimtarëve.

Sot, Xhamia e Shenjtë është kjo:
Sipërfaqja ndërtimore: 202 000 m2
Sipërfaqja e oborreve: 61 000 m2
Sipërfaqja e përgjithshme: 40 000 m2
Numri i besimtarëve që mund të falen njëherësh: 695 000
Numri i minareve: 9
Lartësia e minareve: 89
Numri i shkallëve të zakonshme: 11
Numri i shkallëve lëvizëse: 5
Sistemi i ajrimit të kondicionuar, me kapacitet: 40 000 tonë.

 

(Drita Islame)

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image « Previous Photo Next Photo »

You are viewing image number 1 of total 2 images.

View full image « Previous Photo Next Photo »

You are viewing image number 2 of total 2 images.


Gjithashtu mund të lexoni

1 Koment

  1. samir zeka

    selamu aleikum ai qe e ka shkrua kete tekste kaqe mire e kaqe qarte zoti e shprblefte me xhenete selamu alejkume te gjithe besimtarve musliman .SAMIRI,, nga ..italia

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!