Neo-osmanizmi, ndërmjet frikës dhe shpresës

Shkruan: Qemajl Morina

Neo-osmanizmi, ndërmjet frikës dhe shpresës

Kohëve të fundit shihet një interesim i shtuar rreth asaj që po quhet neo-osmanizëm, që mund të konsiderohet fazë e tretë e modernizimit të shtetit turk. Kësaj radhe, neo-osmanizmi vjen nën presion të kërkesave urgjente të Bashkimit Evropian pas fazës së dytë (ataturkiane), i cili kuptoi modernizmin si perëndimorizim (westernization) të Turqisë në aspektin formal (të veshjes) apo në përmbajtje (ligjeve) që ajo të kthehet pjesë e civilizimit perëndimor.

Pas fazës së parë të atij osman, i cili nuk ishte studiuar siç duhej, me gjithë rëndësinë e tij, qoftë në Turqi apo në vendet tjera, që ishin pjesë e shtetit osman, i cili përfundoi së ekzistuari në fund të vitit 1918.

Për këtë zgjedhja e kësaj teme për objekt debati në Sallonin e së martës u prit shumë mirë nga të pranishmit, rreth së cilës u zhvillua një debat tejet interesant.

Perandoria Osmane konsiderohet prej perandorive më të mëdha, ku mbizotëroi toleranca ndërfetare që nga koha e Perandorisë Romake. Ai ishte shteti ku çështja e tolerancës fetare nuk kishte të bënte me personalitetin e sunduesit apo kohës, por ajo ishte e institucionalizuar. Shteti osman ishte perandori që mbështetej në multietnicietet dhe në tolerancë institucionale, ashtu siç u përfaqësua në parlamentin e parë osman të vitit 1876. Shteti osman paraqet thelbin e laicizmit osman e jo shtetin e hilafetit, megjithëse sulltan Abdulhamiti i Dytë (1876-1908) quante veten kalif të myslimanëve.

Deri në vitet e shtatëdhjeta të shekullit njëzet, Turqia ishte shumë e rezervuar në përdorimin e termit “osmanli”, i cili i përfaqësonte një të kaluar të papranueshme për një shumicë të njerëzve të asaj kohe. Mirëpo, kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, e përdori këtë term haptazi para botës, kur në Forumin ekonomik të Davosit në Zvicër, me tone tejet të ashpra polemizoi me presidentin e Izraelit, Shimon Perez, lidhur me çështjen e Gazës, ku përveç tjerash deklaroi: “Osmanlinjtë ishin ata që morën në mbrojtje hebrenjtë, të cilët Spanja i dëboi në fund të shekullit pesëmbëdhjetë pas rënies së Andaluzisë”.

Politikani i parë, i cili u përpoq t’i kundërvihet armatës turke duke u mbështetur në fuqinë e Amerikës, ishte kryeministri turk Adnan Menderesi, i cili e riktheu këndimin e ezanit në gjuhën arabe në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit njëzet, një përpjekje që ai e pagoi me jetën e vet.

Ndërkohë ish-presidenti turk Turgut Ozal e fshehu përkatësinë e tij të tarikatit Nakshibendi si dhe ishte presidenti i parë i Turqisë që falej në pallatin presidencial, larg syve të armatës turke.

Në vitet e tetëdhjeta, kryeministri Nexhmedin Erbakani legalizoi partinë e parë proislamike në Turqinë sekulare, me emra të ndryshëm si “Fadile”, “Refah” etj.

Ai disa herë korri fitore në zgjedhje, por qëndrimi i tij në pushtet nuk ishte shumë i gjatë, për shkak të qëndrimit jo miqësor të armatës turke ndaj programit të tij pro-islamik.

Nuk ka dyshim se kreator i politikës turke të tanishme është ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Ahmet Davutoglu, i cili në vitin 2001 botoi librin e tij me titull: “Thellësitë strategjike”. Në këtë libër, ai flet për qëllimin e Turqisë për të depërtuar thellë në Azi në vend të Evropës, apo ”kthim te rrënjët”.

Ai aty flet për “krizën e dhembshme të identitetit që po e vuajnë breza të tërë popullit turk”. Shkakun e kësaj krize ai e sheh si rezultat i “dy kuteve me të cilat po vepron Bashkimi Evropian”, në veçanti pas ndodhisë së Davosit, kur turqit deshën t’i tërheqin vërejtjen Perëndimit se Turqia mund të jetë “therrë” nëse nuk pritet me lule nga BE.

Vlen të theksohet se Davutoglu u inkuadrua në politikë si akademik, profesor universiteti, në nëntor të viti 2002 si këshilltar për politikë të jashtme i kryeministrit, Rexhep Tajip Erdogan, kurse më 1 maj 2009 si ministër i Punëve të Jashtme. Nuk ishte as anëtar parlamenti, e as anëtar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim e cila është në pushtet.

Megjithatë, Turqia nuk është e hapur vetëm ndaj botës myslimane, ajo është e hapur edhe ndaj Bashkimit Evropian, ku edhe pret të anëtarësohet që nga viti 1963. Lidhur me këtë, kryeministri turk, Erdogan ka qenë i qartë në porositë e tij. “Turqia nuk dëshiron ta shohë Bashkimin Evropian si klub të të krishterëve, por kërkon ta shohë atë si një bashkim politik dhe social”. Ai është i zhgënjyer me pritjen e gjatë të vendit të tij. “Nuk ka asnjë vend të jetë lënë në pritje për 50 vjet. Nëse anëtarësimi ynë do të pengohet me pretekste politike, ajo që do të humbasë do të jetë Evropa”.

Një interesim të veçantë Turqia ka treguar edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Vizitat e krerëve politikë kanë qenë të shpeshta, mirëpo reagimet ndaj disa deklaratave kanë qenë të ndryshme prej vendit në vend. Më i përfoluri është ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Davutoglu, dhe në veçanti fjalimi i tij i mbajtur në Sarajevë me titull: “Trashëgimia osmane dhe bashkësitë myslimane sot në Ballkan”. Lidhur me këtë temë reagimi më i ashpër erdhi nga orientalisti dhe ish-diplomati serb, Darko Tanaskoviq, që mban titullin: “Çfarë kërkon Turqia në Ballkan?”

Në sallon u diskutua si të gjendemi ne shqiptarët në këtë gërshetim të interesave dhe si të radhitemi ne si komb që ka rol kyç në këto hapësira? Turqia është një fuqi rajonale me rëndësi, me një rritje ekonomike të lartë, e cila në çerekun e parë të këtij viti arriti në 11 për qind, për investimet e të cilës ka nevojë Kosova. Por u potencua gjithashtu se për këtë duhet që nga pala kosovare të përgatiten projekte konkrete.

Ajo që vlen të potencohet më në fund është se orientimi i ri i Turqisë po shërben si model për të gjitha vendet e Lindjes së Mesme, në veçanti atyre të përfshira në pranverën arabe. Andaj, me të drejtë në librin e tij më të ri “Islamikët e Turqisë – osmanlinjtë e rinj”, historiani maroken, Idriz Buvanu, thotë se në kërkimin e tyre për ta “rikthyer lavdinë e të parëve, kanë gjetur një gjuhë mirëkuptimi mes islamit dhe Perëndimit, por me mjete bashkëkohore e jo me mjete të shekujve të kaluar”.

P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Portalit Breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!