Mbytja (vrasja) e njeriut në Islam (III)

Mbytja në luftëra dhe konflikte

(Pjesa e tretë)

Islami nuk është fe agresive, as Kur´ani e Pejgamberi a.s. nuk propagandojnë luftën apo ndonjë konflikt, përkundrazi ideali i islamit është paqja dhe siguria në jetë.

Kur´ani fisnik dhe Pejgamberi a.s. kërkojnë nga besimtarët që ta duan paqen e jo ngatërresat të cilat të çojnë deri në luftë dhe në derdhjen e gjakut. Vetë Pejgamberi a.s. gjatë shpalljes së ligjit islam e pa se lufta ishte metoda që përdorej për t’u mbrojtur vetë muslimanët, territoret dhe të drejtat e tyre.

Në lidhje me këtë, All-llahu xh.sh. thotë:

Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtë e All-llahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (muslimanëve).[1]

Zbulesa kur’anore te Pejgamberi a.s. vazhdoi për një periudhë 23 vjeçare. Gjatë 13 viteve të para të kësaj periudhe, muslimanët jetonin si pakicë nën një qeverisje pagane në Mekë dhe ishin të detyruar të ballafaqoheshin me shtypje. Shumë njerëz (muslimanë) u diskriminuan, u dhunuan, u torturuan, madje edhe u vranë. Megjithatë, muslimanët vazhduan të jetojnë pa kaluar në gjakderdhje dhe gjithmonë u bënë thirrje paganëve për paqe, me të vetmin qëllim që të ruhet jeta e njeriut.

Kur shtypja e paganëve u bë tërësisht e padurueshme, muslimanët u shpërngulën në qytetin e Jethribit, i cili më vonë do të quhej Medinë. Aty ata do të vendosnin qeverisjen e re në një mjedis më të lirë dhe më miqësor. Edhe pse ata vendosën rendin e tyre, kjo nuk i shtyu aspak ata që të rrëmbenin armët kundër paganëve të egër të Mekës.[2]

Muhamedi a.s. i urdhëroi njerëzit e tij për luftë vetëm pasi pranoi shpalljen kur’anore:

Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtë e All-llahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (muslimanëve). (U lejuan të luftojnë) ata të cilët vetëm pse thanë: “All-llahu është Zoti ynë!” u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. E sikur All-llahu të mos i zmbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i All-llahut. E All-llahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues.[3]

Shkurt, muslimanët janë të lirë të luftojnë kur shtypen dhe dhunohen. Gjithashtu muslimanët urdhërohen për të mos përdorur provokime të panevojshme:

” Dhe luftoni në rrugën e All-llahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën).” [4]

Megjithatë nuk mbetej vetëm me kaq, gjatë gjithë jetës së Muhamedit shpërthyen disa luftëra, por Muhamedi a.s. krijoi një mjedis shoqëror të sigurt e paqësor për muslimanët dhe për paganët duke nënshkruar marrëveshjen e paqes, siç ishte marrëveshja e Hudejbijes. Mirëpo kjo marrëveshje nuk u zbatua. Me kalimin e kohës, ushtria muslimane arriti të krijojë një forcë të madhe kundër kundërshtarëve. Megjithatë, Muhamedi a.s. e mori Mekën nën kontroll pa gjakderdhje dhe me një shpirt të madh tolerance.

Sipas fjalëve të Xhon Esposito, ekspert perëndimor i islamit: ”…me mënjanimin e gjakmarrjes dhe plaçkitjes së pushtimit, profeti e zgjodhi çështjen duke siguruar amnistinë dhe duke mos zhveshur shpatën kundër armiqve të tij të dikurshëm.” [5]

Jo vetëm gjatë çlirimit të Mekës, por edhe në rrjedhën e të gjitha betejave e çlirimeve të bëra në kohën e Muhamedit a.s., të drejtat e njerëzve të pambrojtur e të pafajshëm u mbrojtën me kujdesin më të madh. Muhamedi a.s. në të vërtetë iu drejtua besimtarëve që po përgatiteshin për luftë, me këto fjalë: ”Shkoni në luftë me përkushtim ndaj fesë së Zotit! Mos prekni gratë, pleqtë dhe fëmijët, përmirësojeni gjithmonë gjendjen e tyre dhe tregohuni të butë me ta! Zoti i do njerëzit e sinqertë.” [6]

I Dërguari i Zotit gjithashtu e qartësoi qëndrimin që muslimanët duhet të mbajnë edhe nëse gjenden ende në flakët e luftës apo të konflikteve: ”Mos vritni fëmijë! Shmangni prekjen e njerëzve që ia kanë përkushtuar veten lutjes nëpër kisha! Kurrë mos vritni gra dhe pleq! Mos digjni e as mos prisni pemë! Kurrë mos rrënoni shtëpi!” [7]. Nga thëniet e Kur’anit dhe të Muhamedit a.s. kuptojmë se jeta e njeriut në çfarëdo rrethana që të gjendet, ajo është e sigurt dhe e garantuar nga ana e All-llahut xh.sh. dhe nuk lejohet të derdhet gjaku i tij. D.m.th. edhe në këto raste duhet të ketë kujdes njeriu që të mos i tejkalojë kufijtë e rregullave të caktuara sipas parimeve islame, mbi të drejtat e njeriut në luftëra dhe konflikte apo në ndonjë rast të ngjashëm me këto.

Sipas parimeve islame, edhe në këto raste njerëzit e pafajshëm dhe të pamundshëm siç janë fëmijët, gratë, pleqtë etj., jeta e tyre duhet të ruhet. Sipas këtyre rregullave ndalohen këto veprime në luftëra dhe konflikte: ”Vrasjet mizore, keqtrajtimet dhe dhunimet, vrasja e grave, madje edhe kur ato i ndihmojnë meshkujt (të plagosurit), fëmijët dhe të sëmurët, vrasja e atyre që nuk mund të mbrohen siç janë pleqtë, të verbrit, të paralizuarit, të sëmurët mental dhe femrat, vrasja e armikut tradhtisht, sakatimi i të pafeve (prerja e hundës ose e veshëve), helmimi i burimeve të pijshme etj.” [8]

Muhamedi a.s. ndërroi jetë duke lënë porositë e tij që të mos i përdorin shpatat e tyre kundër njeriut, të mos derdhet gjaku i tij në asnjë mënyrë, vetëm kur është e ligjshme. Pas vdekjes së tij vjen gjenerata e artë me të njëjtat porosi të cilat ua kishte lënë Muhamedi a.s. atyre sa ishte gjallë. Administruesit muslimanë, të cilët zbatonin me sinqeritet moralin e islamit, qeverisnin gjithmonë me tolerancë, mirësi e drejtësi. Në të njëjtën mënyrë, historia e Perandorisë Osmane që qeverisi për shekuj me radhë vende të shumta në tre kontinente, është e mbushur me shembuj tolerance dhe me kujdesin e madh për mbrojtjen e jetës së njeriut. Në këtë rast të mos lëmë pa e përmendur një shembull nga jeta e shokëve të Muhamedit a.s. thënien e artë të Ebu Bekrit r.a. kur i dha urdhër ushtrisë së tij në luftën e parë të Sirisë: ”Ndaluni o njerëz, që të mund t´jua jap dhjetë rregulla për t´i mbajtur në mend e në zemër: Mos tradhtoni e as mos iu largoni rrugës së drejtë! Ju nuk duhet të gjymtoni, as të vrisni fëmijë, burra të moshuar apo gra…”[9]

Nëse shfletojmë faqet e historisë, do të shohim se ka pasur luftëra të vogla dhe të mëdha, gjithashtu do të shohim një numër të madh të vrasjeve të njerëzve të pafajshëm.

Sipas zviceranit Zhan Zhak Babel, në luftërat e deritanishme kanë humbur jetën 3 miliardë e 640 milionë njerëz.[10]

Gjithashtu vlerësohet se vetëm në shek. XX, numri i viktimave të pafajshëm është: Prej vitit 1914 – 1918 – 10 milionë, prej vitit 1939 – 1945 – 50 milionë, prej vitit 1945 e deri më sot – 16 milionë njerëz.[11]

Siç na është e njohur nga historia, madje edhe nga kjo e kohës më të re, ka pasur shumë shembuj të shkeljeve flagrante të rregullave më elementare të luftës.

Civilizimi modern perëndimor krenohet me deklaratën e Kombeve të Bashkuara që mbrojnë të drejtat e njeriut gjatë luftës, shpesh dëgjojmë për gaze helmuese, bomba thërrmuese dhe lloje të tjera të bombave që hidhen mbi kokat e njerëzve të pafajshëm. Mjafton këtu t‘i kujtojmë vetëm disa nga veprimet barbare gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të parë krizën e thellë morale që kishte përfshirë botën. Vetëm humbjet e njerëzve, pa i llogaritur shkatërrimet materiale, kishin përpjesëtime marramendëse. Vetëm në këtë luftë, numri i viktimave të pafajshëm ishte më se 50 milionë. [12]

Njerëzimi ka harxhuar ngjyrë sa lumenjtë e letra sa malet me dëshirë të flaktë për paqe.

Pas Luftës së Dytë Botërore, më 26 qershor të vitit 1945 në San Francisko pesëdhjetë shtete e nënshkruan Kartën e Kombeve të Bashkuara. Pjesa hyrëse e saj fillon me moton:”Ne, njerëzit e Kombeve të Bashkuara, kemi vendosur t‘i mbrojmë gjeneratat e ardhshme prej tragjedisë së luftës e cila dy herë në distancë prej një gjenerate, i solli njerëzisë mjerime të papërshkrueshme.”[13]

Pas nënshkrimit të kësaj karte, pjesa dërmuese e njerëzve menduan se një dokument i këtillë kurrë deri atëherë nuk ka qenë i formuluar. Ndërkaq, shumica e tyre kanë pritur se do të bëhet kthesë në historinë e civilizimit. Për fat të keq, pas shumë pritjeve të mëdha, dëshpërimi bëhet edhe më i madh.

Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të zhvillohen luftëra të tmerrshme. Prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, më shumë se 25 milionë njerëz janë vrarë në më se 150 luftëra. Çdo ditë diku në botë zhvillohen mesatarisht rreth 14 luftëra të ndryshme.[14]

Volteri në një shkrim shprehet: ”E kuptoj perfekt të drejtën e paqes; kjo e drejtë nënkupton mbajtjen e fjalës për t‘i siguruar çdo njeriu të gëzojë plotësisht të drejtat e tij natyrore, mirëpo nuk di ç‘është e drejta e luftës. Një kodeks për vrasje më duket një koncepcion i çuditshëm.”[15]

Gjithashtu, Montaigne ka thënë: ”Në esencë, kjo shkencë ose art për të vrarë, për të shkatërruar dhe për të zhdukur llojin e vet është gjendje që nuk e bëjnë as egërsirat.”[16]

Jemi dëshmitarë të kohës në të cilën po jetojmë, çdokush ka dëgjuar dhe dëgjon vrasje dhe masakra që kryhen në njeriun gati në të gjithë botën. Për të mos lënë pa e cekur Irakun e sotëm të larë me gjak, djepin e dikurshëm të diturisë, çdo ditë vriten me dhjetëra njerëz të pafajshëm, pastaj lufta në Çeçeni e lënë në harresë ku aty nuk ndalen vrasjet çdo ditë, në Bosnjë e Hercegovinë ku ndodhi një masakër marramendëse e cila do të mbahet në mend gjithmonë. Gjithashtu së fundi edhe në Kosovë. Sipas KMDLNJ, ka indikacione shumë të sigurta se një pjesë e viktimave shqiptare janë djegur në furrat e shkritores së minierës së Trepçës. Të vrarët e të masakruarit u hodhën edhe nëpër puse të ujit nëpër fshatra, një numër i tyre mbetën me javë e me muaj të pavarrosur. Numri i të vrarëve besohet të jetë mbi 11.000.[17]

Muhamedi a.s. erdhi me moton e tij që t’i sjellë njerëzisë paqe dhe siguri dhe çdokush ta jetojë jetën e tij kudo që gjendet dhe kudo që jeton. Ai e la porosinë para 14 shekujve, duke i porositur të gjithë njerëzit pa dallim: “…mos të kërkojnë konflikt me armikun.” Por, në raste lufte dhe konflikte, ai e la porosinë e tij me sa vijon: “Kur të shkoni në luftë, bëjeni këtë në emër të Tij dhe për hir të Tij. Mos i kaloni kufijtë, mos i thyeni premtimet dhe mos vritni fëmijë.”[18]

Muhamedi a.s. gjithashtu la porosinë që në raste kur zënë robër:

“Ju porosis që të silleni mirë me robërit e luftës”.[19]

Në islam gjithashtu ndalohet eksperimentimi me robërit, fyerja apo torturimi i tyre. E njëjta ndalesë zbatohet për robërit e plagosur.

Haptazi mund të them se asnjë fe nuk kujdeset për të drejtat e njeriut për jetë më shumë se islami dhe askush nuk i zbaton të drejtat e njeriut më shumë se muslimanët, për këtë dëshmon vetë historia dhe koha në të cilën jetojmë. Kjo ka ndodhur gjithnjë në të kaluarën dhe ndodh në të tashmen, e sigurisht do të ndodh kështu në të ardhmen nëse islamin dhe parimet e tij i kanë në zemër.

 

-Vazhdon-

Shkruan: Rexhep Ismajli

 

________________________
[1]. El Haxh-xh, 39.

[2]. Sefijurrahman el Mubarekfuri “Nektari i vulosur i xhenetit”, Prishtinë 2004.

[3]. El Haxh-xh, 39 – 40.

[4]. El Bekare, 190.

[5]. Harun Jahja, ”Isami dënon terrorizmin”, f. 41.

[6]. Harun Jahja vep. cit. f. 42.

[7]. Harun Jahja, vep. cit. f 42.

[8]. Vepra, revistë islame, Shkup nr. 86.

[9]. Amër Halid, ”Përmirësimi i zemrave”, Tiranë 2005 f. 74.

[10]. Prof.dr. Zejnullah Gruda, “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në konflikte të armatosura”, Prishtinë 2005, f. 12.

[11]. Nikola M. Nikolov, ”Komploti botëror”, Tetovë 1998, f. 27.

[12]. Shih prof. dr. Zejnullah Gruda “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në konflikte të armatosura”, Prishtinë 2005.

[13]. Nikola M. Nikolov, vep. cit. f. 32.

[14]. Nikola M. Nikolov, vep. cit. f. 33.

[15]. Prof. dr. Zejnullah Gruda, vep. cit. f. 11.

[16]. Prof. dr. Zejnullah Gruda, vep. cit. f. 11.

[17]. Dr. Vesel Latifi. ”Kriminalistika”, Prishtinë 2001, f. 145.

[18]. Takvimi 2006, nr. 36 Prishtinë, f. 195.

[19]. Takvimi vep. cit. f. 196.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!