Mbetet mister dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë

Vazhdon të mbetet mister gjetja e dokumentit origjinal, me të cilin u zyrtarizua Shpallja e Pavarësisë 99 vjet më parë. Edhe këtë 28 Nëntor, Shqipëria nuk e ka ende aktin origjinal të pavarësisë, madje nuk ka as fotografi nga çasti i firmave atë ditë në Vlorë.

Drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, shpjegon se ky institucion prej kohësh ka nisur kërkimet për gjetjen e aktit të mëvetësisë, i cili mendohet të jetë zhdukur në vitin 1945.

Arkivat e vendeve si Roma, Boni apo Beogradi, janë disa prej përpjekjeve, por Nika nuk e përjashton mundësinë se akti mund të jetë edhe brenda Shqipërisë.

Por, si humbi akti i firmosur nga 37 atdhetarët më 28 nëntor 1912? Aurel Plasari shprehet se Lef Nosi, një nga firmëtarët dhe koleksionist i njohur, mendohet të ketë qenë ruajtësi i dokumentit. Ai madje realizoi kopjen e parë të aktit në vitin1937, që është ai që kemi sot.

Më pas, me bastisjen e arkivit të tij, akti u zhduk. Sipas specialistëve, edhe gjatë periudhës së komunizmit janë realizuar kërkime mbi gjetjen e aktit origjinal të pavarësisë.

Por para apo pas ’90-ës, këto kërkime nuk kanë sjellë asgjë për shqiptarët, të cilët i drejtohen 100- vjetorit të kësaj date, pa dokumentin më të rëndësishëm të shtetit.

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!