Në rritjen e numrit të popullatës, kontribut më të madh kanë dhënë komunat në të cilat pjesa dërmuese e banorëve janë shqiptarë. Sipas të dhënave të Entit të statistikës, duke e marrë parasysh numrin e banorëve, Çairi dhe Gazi Baba mbeten në majën e listës me më shumë lindje në Shkup, derisa Tetova, Gostivari dhe Kumanova kryesojnë në Maqedoni.
Komunat shqiptare sërish gjenden në majën e vendeve ose rajoneve me më shumë fëmijë. Janë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave ato që bëjnë të ditur se Çairi, Gazi Baba, Gostivari, Tetova dhe Kumanova, por edhe komunat me më pak banorë siç janë Zhelina dhe Studeniçani, dominojnë në rritjen e popullatës vendase, krahasuar me komunat në të cilat banorët janë kryesisht maqedonas.
Megjithë numrin e lartë të lindjeve në komunat shqiptare, sipas të dhënave zyrtare për tremujorin e tretë të vitit, numri i foshnjave që lindin në Maqedoni është në rënie të vazhdueshme. Statistika për periudhën korrik-shtator zbardh se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i bebeve është ulur për 7.4 për qind, që do të thotë se gjatë periudhës në fjalë në Maqedoni janë lindur 6 mijë e 108 fëmijë.
Njëkohësisht, analizat e Entit të statistikave që kanë të bëjnë me numrin e banorëve bëjnë të ditur se, gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, është përmirësuar shëndeti i përgjithshëm i banorëve vendas, i cili ka rezultuar me më pak vdekje. Sipas të dhënave zyrtare, në kohën kur janë regjistruar 6.108 lindje, në të gjithë territorin e vendit kanë vdekur 4.350 persona.
Të gjitha këto të dhëna tregojnë se nga korriku deri në shtator, popullata e Maqedonisë është rritur për 1758 persona. Në rritjen e numrit të popullatës, kontribut më të madh kanë dhënë komunat në të cilat pjesa dërmuese e banorëve janë shqiptarë. Sipas të dhënave të Entit të statistikës, duke e marrë parasysh numrin e banorëve, Çairi dhe Gazi Baba mbeten në majën e listës me më shumë lindje. Në Komunën e Çairit, gjatë tremujorit të tretë të këtij viti kanë lindur 295 foshnja, ndërsa në atë të Gazi Babës brenda tre muajve në fjalë janë lindur 217 bebe. Ndërkaq, një kontroll në listën e lindjeve vë në dukje diferencën e madhe midis komunave maqedonase dhe shqiptare, kur bëhet fjalë për numrin e lindjeve.
Për shembull, midis komunave ose qyteteve maqedonase mund të gjenden të tilla në të cilat nga korriku deri në shtator, kanë lindur 4, 5, 8, 11 ose 12 fëmijë, siç janë qyteti i Pehçevës, Demir Kapija, Gradsko ose Dojrani, që nuk është rast me komunat shqiptare, në të cilat regjistrohen më shumë lindje, si në rajonet rurale, po ashtu edhe në rajonet urbane.
Në këtë kontekst, të dhënat zyrtare bëjnë të ditur se për shembull, në Komunën e Studeniçanit, gjatë tremujorit të fundit këtij viti kanë lindur 101 fëmijë, në Zhelinë 106, ndërsa në qytetet ku dominojnë shqiptarët, lindjet arrijnë deri në disa qindra. Për shembull, nga korriku deri në shtator, në Kumanovë kanë lindur 345, në Tetovë 319, ndërsa në Gostivar 251. Gjatë periudhës në fjalë, mësohet se kanë vdekur 49 foshnja.
“Megjithëse gjatë tremujorit të tretë është ulur numri i të vdekurve, gjatë të njëjtës periudhë kanë vdekur 49 foshnja. Komunat me më shumë foshnja të vdekura janë Çairi dhe Qendra, ku kanë gjetur vdekjen nga 7 fëmijë, ndërsa në vendin e tretë gjendet Komuna e Shtipit, ku janë regjistruar 3 foshnja të vdekura”, thuhet në raportin e Entit shtetëror të statistikave. Për sa u përket martesave, gjatë tremujorit të tretë numri i tyre, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është rritur për afër 12 për qind, që do të thotë se kurorë kanë lidhur 4641 çifte. Njëkohësisht është ulur numri i divorceve. Gatë kësaj periudhe janë shkurorëzuar 259 çifte.
(Koha)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!