Këndi i poezisë

Udhëtimi i shenjtë – Poezi nga Hafiz Ibrahim Dalliu

UDHËTIMI I SHENJTË

Ku e ka skajin ky karavan
Që si lumë gjarpëron shkretëtirës
Nga një copë diell
Kanë zbritur supeve
Fytyrave u shpërthen një nur
Burimi i djerëve
Shndërrohen në burim lotësh-
Sa ëmbel vajton shpirti në shkretëtirë
Atje ku lutjet shuajnë etjen
Buzëvë që dridhen.
Karavan i paskajshëm
I mbërthyer në qefin
Si vetimë vjeshte
Shkrumbon mëkatin.
Ç’ëndërr e amshueshme
Ky udhëtim i shenjtë.

FESTË SHPIRTI

Edhe pak do të vijë Nata e Madhe
Nëna do të na e kurdis orën në vesh
Nuk do të flejnë as gjelat që e ftojnë agun
Do të gëzohet çdo gjë në tokë e në qiell
Festa e shenjtë do të na ulë sofrës
Plot bereqet,dashuri,e do të ngrihemi të fortë
Tridhjet ditë do të festojmë Vëlla
Do t’i falemi All-llahut për bollëkun që e kemi
Pastaj do të hamë me lot në sy
Për ata që s’kanë ç’të hanë e ç’të pinë
Për zogjtë që dimrit na lëshohen supeve
Buzët do na plasin nga freskia e shpirtit

E Festë e Madhe do të kemi në Shtëpi

UDHË DREJT PËRJETËSISË

Ai e kalon urën me humbellë shkretëtire
Lumin e kaloi pa urë ujin e thellë
Pritat e pabesë plumbat nuk i zinin
Thikat s’i nxjerrin plagë as gjak

Rruga e shpirtit është rrugë me roje
As syri i zi nuk mund të të zë
Goja që të mallkon gurëzohet
Baruti laget në të thatë me vapë

Asnjë armë nuk bën punë kur dashuria
Të prinë andej kah Zoti rrugën tregon

M’u sos buka rrugës mararja mbeti pa ujë
Këmbë do ta arrijë cakun ku shpirti gjakon.

DREJTËSIA E SUNDIMTARËVE TË SOTËM

Po kërkove bukën,ta japin urinë,
Po kërkovejetën,ta japin patërdinë,
Po kërkove gjumin,ta japin llaftarinë,
Po kërkove nderin ,ta japin poshtërsinë,
Po kërkove shokun,ta japin pabesinë,
Po kërkove besën,ta japin tradhtinë,
Po kërkove mëshirën,ta japin gjakësinë,
Po kërkove njeriun,ta japin kafshërinë,
Po të jesh shenjtor,të bashkojnë me qenërinë,
Po kërkove dritën,të japin errësirën,
Po deshe shijen,të japin të vështirën,
Po kërkove fenë,të japin mundimin,
Po kërkove dhimbjen,të japin acarimin,
Po të duesh paqen,të bashkojnë me krimin,
Po të duesh familjen,të japin burgimin,
Po kërkove rregullin,të japin kukudhin,
Po kërkove Zotin, të japin të paudhin.

(Shkruar në burgun e Tiranës, në janar të v.1949)

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!